RTP-ja e uzurpuar nga RTK-ja, vazhdon procesi gjyqësor

Opinione

RTP-ja e uzurpuar nga RTK-ja, vazhdon procesi gjyqësor

Nga: Ramadan Koçinaj Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 16:05
Ramadan Koçinaj (ish gazetar i RTP-së)

MENAXHERI. Në ditët e para të çlirimit të Kosovës, në verën e vitit 1999, në platonë e Hotel Grandit në Prishtinë, rastësisht përmes disa kolegësh, e takova një nga menaxherët e EBU-së. Menaxheri në fjalë kishte ardhur në Prishtinë për ta themeluar një Radiotelevizion për Kosovën. Në bisedë e sipër, i sqarova se Kosova ka pasur një Radiotelevizionin RTP, i cili ka funksionuar deri në ditën e parë të pushtimit klasik të Kosovës,deri më 05.07.1990. Zotëria (menaxheri) në fjalë, i informuar më herët shumë mirë për këtë, më dëgjoi me vëmendje, tundi kokën dhe me tha: -I di të gjitha, por ne do ta themelojmë një Radiotelevizion të ri, të përkohshëm dhe në shërbim te UNMIK-ut dhe Kosovës. Në këtë Radiotelevizion, -tha se,- nuk do të ketë vend për ata gazetarë të RTP-ës të cilët patën guximin profesional dhe intelektual të ballafaqohen me z. Millosheviq. Kjo për arsyen se UNMIK-u, si mision i parë i llojit që është, patjetër që do të ketë shumë dobësi dhe stafi i ish-RTP-ës do të jetë pasqyrë e atyre dobësive. Kjo, në këtë situatë, neve nuk na konvenon, andaj për ta ruajtur fytyrën tonë dhe të misionit të UNMIK-ut, do ta bëjmë një Radiotelevizion i cili do të jetë në shërbim emergjent. Pra, një Radiotelevizion që para se ta ngrejë pasqyrën për t’ia vënë në dukje dobësitë e UNMIK-ut, do t’ia makiazhoj fytyrën atij. Për t’ia arritur kësaj, ne do të ngremë diçka krejt tjetër. Diçka të re!- përfundoj Menaxheri i EBU-së.

SHTËPIA E TJETRIT NUK BËHET E JOTJA KURRË.  Dhe filluan ta ngrenë atë “të renë”, atë “diçka krejt tjetër”. E filluan kështu, duke mbledhur, diku regjenerimin e qelizave latente të ish-rrjetit servil të kohës së komunizmit, diku seleksionimin e elementeve pozitive, por të dëshmuar si konformist për t’i kthyer “në buzëkuqin” që jep nuanca të ish-RTP-ës; dhe diku, duke shfrytëzuar lodhjen ekonomike të ish-punëtorëve dhe nevojën e tyre për punë,  e krijuan një institucion të ri duke dëmtuar rëndë ish-punëtorët e RTP-ës të cilët nuk do të mund të kompensohen kurrë.

Para popullit të etshëm për liri thirreshin në nevojat emergjente që ka vendi dhe me këto alibi krijonin arsyetime  për “themelet e institucionit më jo transparent që ka sot Kosova, të institucionit që po themelonin dhe ndërtonin mbi boshllëkun absolut juridik. Me një indiference frigjide, imorale, pa moral profesional e njerëzor “institucioni i ri” hyri në shtëpi të huaj, -pa qarë kokën për ish-punëtorët e RTP-ës. Bartësit e stimulimeve specifike akomodoheshin e rehabilitoheshin duke modeluar një dukuri të re shumë problematike në aspektin shumë dimensional:  human, ekonomik, juridik, politik, social dhe kriminal.

Ata nuk e qanin kokën për implikimet praktike e problematikat që mbart mënyra e trajtimit të rastit, por këtë dukuri e trajtonin me interpretime "politike", kinse: “s'ka mundësi për zgjidhje tjetër. Jemi komb apo shoqëri e sapodalë nga lufta. Jemi ne tranzicion” etj. etj.

Aspak konvencional! Mbresëlënësit hipokrit e realizuan këtë manipulim eksperimental-institucional duke e themeluar një institucion i cili që në fillim të punës së vet u bë objekt i urrejtjes së bardhë. RTK-ja, madje, u bë hallka e parë e rrethit satanik në Kosovën plot me përvoja traumatike. Si e tillë ajo e cila duhej të ishte pasqyra e parë e transparencës në Kosovën e pasluftës, u bë mjegullnaja e errët dhe e parë e pasqyrës mbi veprimet e UNMIK-ut dhe të këqijave që po e kaplonin vendin me të madhe.

GJYKATA DHE PUNËT E DJALLIT. Ajo u bë madje edhe njëra ndër institucionet e para mbi të cilën u ngritë padia e parë e madhe në Gjykatën Komunale të Prishtinës. -Gjykatës e cila, edhe vet si e korruptuar dhe e shantazhuar, për dhjetë vite do të jetë e pa aftë për të sjellë një vendim të vetëm të çfarëdoshëm: pozitiv apo negativ, lidhur me lëndën RTP-RTK.

Madje, dueti RTK – Gjykatë do të bëhet fillesa e   parë e jotransparencës së veprimeve ligjore në favor të shkeljes së Ligjit dhe të veprimeve imorale që do të pasojnë më vonë edhe më egër e më vrazhdë, jo vetëm me këtë problematikë, por me krejt Kosovën në tërësi.).

Në këtë kontekst, duke marr parasysh mënyrën e themelimit, funksionimit dhe qasjes jo korrekte e jo humane ndaj ish-punëtorëve të RTP-ës, RTK-ja u bë bartëse e jo respektit dhe jo simpatisë  në opinionin kosovarë. Këtë e vërteton edhe rezistenca e opinionit për të mos e paguar inkasimin për RTK-ën përmes KEK-ut. Madje,  dikur padrejtësia për këtë rast u konfirmua edhe me vendimin e Gjykatës Supreme për ndalimin e inkasimit të padrejtë. -A nuk flet mjaft një vendim gjykate për të vërtetuar imoralitetin e funksionimit të këtij institucioni të dyshimtë?!

Themelimi, menaxhimi, funksionimi jokorrektë, llogaritë bankare me shumë pikëpyetje, duke mos i lënë anash as pakënaqësitë e kosovareve për programin e RTK-ës, kanë bërë që për dhjetë vjet, ekzistenca e këtij “mediumi publik”,  të mos jetë e qëndrueshme e kohët e fundit të jetë edhe në panik-atak ekzistencial.

Z. ZHAK NË PANIK PËR KË? Në panik-atak nuk është vetëm RTK-ja, por edhe themeluesi dhe ndihmësi i saj Rrjeti Evropian i Transmetimeve (EBU). Bile, Euro-kërcënuesi Zhak Reveillon nga EBU-ja në një reagim dhe përkujdesje të vet për RTK-ën e pati kërcënuar edhe kryeministrin e vendit z. Hashim Thaçi se do të shqyrtohen e ndalen edhe njohjet nëse RTK-ë nuk ndihmohet nga qeveria për qejf të EBU-së. Pati harruar zoti Reveillon se sipas eurostandardeve nuk do të guxonte as të ëndërroj të largojë njerëz nga puna në stilin e Millosheviqit. Harronte z.Reveillon dhe zonja Ingrid Deltendre se nuk ishte,aspak mirë dhe e drejtë sipas standardeve evropiane të të drejtave të njeriut, t’i trajtojnë ashtu, si i trajtuan ata[EBU] dhe përgjegjësit kosovarë, punëtorët e ish RTP-ës.

Është tragjike që edhe një pjesë e kosovarëve dhe ndërkombëtarëve në Kosove ka deficite dhe devijime në perceptimin e problemit të RTP-ës. Ata mendojnë, me hesapet e tyre, siç  mendojnë joastronautët për Marsin. Këta harrojnë se trajtimi jo i drejtë i RTP-ës është transparenca dhe jotransparenca më tragjike e këtij vendi. Madje-madje, për këtë problem dhe probleme të ngjashme me këtë në Kosovën e pasluftës, jo që mungon lufta dhe zëri qytetarë e akademik, por mungon edhe solidarizimi më i thjeshtë njerëzor.

Vetëdija e ngritur në shkallë institucionale ose...

Për Gjykatën dhe Kuvendin, ku duhet të jetë  bota e vetëdijesimit dhe e  korrigjimit të padrejtësive, problemi në fjalë është "terra inkognita".

Kuvendi i Kosovës në përgjithësi dhe çdo deputet në veçanti duhet ta dinë se RTP-ja ishte bartësja dhe fituesja e parë e Luftës Mediale kundër terrorit informativ ndaj Kosovës në ish-Jugosllavi. Për këtë arsye, Kuvendi i dhe  të gjithë deputetët bashkë, me të gjitha strukturat udhëheqëse të Republikës së Kosovës, e kanë për obligim të patejkalueshëm, që në Ligjin për RTK-ën, i cili po  shqyrtohet në Kuvend, ta trajtojnë drejtë dhe me kompetencë edhe RTP-ën. Në të kundërtën, ata do të jenë bashkëfajtorët historik ndaj punëtorëve të RTP-ës, ashtu siç ishin ata që i nxorën me dhunë nga puna këtu e njëzet vjet më parë. 

Derrit t’i thuhet derr e Sokratit Sikrat

Veçanërisht për vendim të drejtë në këtë problem obligohet zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai në këtë frymë u deklarua në ditën e dytë të Qeverisë Thaçi 2, në një televizion kombëtar, kur u zotua të angazhohet në shqyrtimin e këtij problemi. I përkujtojmë zotit Kuçi se në atë emision, në ditën e dytë të Qeverise Thaçi 2 ka thënë : “Si ministër i Drejtësisë do të angazhohem në emër të Zotit dhe Drejtësisë për Drejtësi në këtë vend. Përveç kësaj,. para këtij zotimi, ai e ka nënshkruar një Memorandum me anë të të cilit i ka nxjerrë nga greva ish-punëtorët e RTP-ës. Ai Memorandum sado që të jetë me hile dhe eskivazhe juridike e obligon z. Kuçi që “derrit t'i thotë derr dhe Sokratit Sokrat” dhe të ngrejë mekanizma për të vënë në jetë Memorandumin të cilin e ka nënshkruar vetë.

Përndryshe, çfarëdo vendim i padrejte ndaj këtij problemi, dëshmon për deficit të mendimit, sjelljes dhe qëndrimit të emancipuar  shtet-formues. Një vendim jo i drejtë karshi punëtorëve të RTP-ës, në anën tjetër, RTK-ës i bën keq, sepse vazhdon ta mbajë pa identitet moral, juridik dhe institucional dhe e identifikon me ciklopizëm institucional. Madje, hap rrugë që të vazhdoj edhe më tutje, dëmshëm, i pa penguar dhe ilegjitim konfrontimi  me esencializmin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat