Hashim Thaçi nuk ëshë baba i Kosovës!

Opinione

Hashim Thaçi nuk ëshë baba i Kosovës!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 07:07
Mehdi Hyseni

-Çudi,  në vend se Hashim Thaçi ta paditë  Serbinë për gjenocid dhe t’i marrë të gjitha masat e duhura  ligjore dhe kushtetuese për lirimin sa më të shpejtë të Ramush Haradinajt  nga burgu hetues i Kolmarit të Francës, ai  çorienton vëmendjen e popullit, duke e apeluar atë, që të pajtohet-përqafohet me vrasësit e heroit dhe kryekomandantit  legjendar Adem Jashari.
 
Sipas Hashim Thaçit: “Pajtimi me Serbinë do të ndodhë, demarkacioni me Malin e Zi është në rregull”.

-Po, nëse ndodh, që Beogradi dhe Moska me forcë dhe me gjenocid, ta rikthenin Kosovën  nën sovranitetin e dikurshëm kolonial pushtues të Serbisë (1912-1999), atëherë,  do të vinte në shprehje “pajtimi i imponuar-detyrueshëm”, përkatësisht realizimi në praktikë  i idesë së presidentit Hashim Thaçi. Ndryshe, jo kurrë nuk do të ndodhë pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve derisa Serbia dhe serbët të mos kërkojnë falje pubike kolektive, si dhe të mos i paguajnë  të gjitha borxhet  për krimet e gjenocidit në Kosovë (1989-1999).
 
Pra,  pa dhënien llogari dhe, pa  kërkimfaljen kolektive të Serbisë për kryerjen e gjitha krimeve të gjenocidit dhe për të gjitha shkatërrimet dhe dëmet materiale, që ia ka shkaktuar Kosovës, gjatë viteve 1989-1999; pa njohjen e Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008), si dhe pa rikthimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës Kosovës, populli shqiptar i Kosovës kurrë nuk do të pajtohet me serbët dhe me Serbinë. Këtë le ta mbajë në mend presidenti Hashim Thaçi së bashku me të gjithë ata  korrupcionistët, plaçkitësit dhe shfrytëzuesit e popullit dhe të Kosovës (1999-2017).
 
Si mund të kërkohet pajtimi me serbët dhe me Serbinë, para se Hashim Thaçi, të bënte pajtimin mes shqiptarëve për shkak të rivalitetit të tyre politik të luftës për pushtet si gjatë kohës së luftës, ashtu edhe në kohë paqeje. Pikësëpari, duhet të mbyllet kjo kaptinë e pajtimit politik brendashqiptar, pastaj, të kërkohen zgjidhje oportune për pajtimin e jashtëm  me serbët dhe me Serbinë.
 
-Agresori pushtues-Serbia, duhet të kërkojë pajtim me shqiptarët, JO viktimat shqiptare të gjenocidit të saj!
 
Derisa   Serbia  dhe serbët  nuk  po e njohin shtetin e pavarur  të Kosovës, por po  kërkojnë kokën e Ramush Haradinajt, fshirjen me gomë të zezë të  çdo gjurme të luftës  së drejtë  çlirimtare kombëtare të UÇK-së në Kosovë, si dhe formimin e “Republika srpska” në Veriun e Kosovës,  nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë pajtimi të shqiptarëve me Serbinë, e cila me të gjitha mjetet politiko-propagandistike dhe diplomatike po lufton , që të rikthejë sovranitetin e saj kolonial në Kosovën shqiptare,   të cilën, sipas Kushtetutës në fuqi (2006) ende e konsieron si pjesë integrale të territorit të saj.
 
Si mund të hedhim ide, propozime, kërkesa dhe dëshira perverse iracionale, që të pajtohemi me Serbinë, kur ajo ka okupuar pjesën veriore të Kosovës, duke e shndërruar në problem ndërkombëtar për shkëputjen e së cilës po debaton me palën kosovare, të prirë nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe ministrja Edita Tahiri në Bruksel (2011-2017)?
 
-Hashim Thaçi, Kosovën Veriore e bëri problem ndërkombëtar, të cilin po e debaton me palën serbe në Bruksel(2011-2017) sipas  “Planit Gjashtëpikësh” të imponuar nga  ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq dhe  nga ish-ministri i tij i Jashtëm Vuk Jeremiq, të cilin me kënaqësi të madhe, dhe pa asnjë rezervë e miratoi  qeveria  dhe parlamenti i ish-kryeministrit Hashim Thaçi;  BE-ja në rolin e ndërmjetësuesit nën drejtimin e  Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e politikës së jashtme, si dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
 
-Vërtet, Kosova është shndërruar në një “tender privat” të Hashim Thaçit dhe të partizanëve  të tij partiakë, qeveritarë dhe parlamentarë ( 1999-2017), mirëpo, Hashim Thaçi , duhet të kuptojë se, ai  nuk është “babai” i Kosovës, por vetëm  një president i dalë nga  Marrëveshja e kompromosit politik me Isa Mustafën për formimin e qeverisë së koalicionit (LDK+PDK+Srpska  lista), i cili  pa pëlqimin e popullit nuk ka kurrfarë të drejte të lidhë marrëveshje me Beogradin për fatin e Kosovës, ashtu siç po vepron pa lejen e tij në Dialogun e Brukselit (2011-2017) për copëtimin e territorit  verior të Kosovës.
 
-Hashim Thaçi, kur të dojë le të pajtohet me Serbinë, por viktimat shqiptare kurrën e kurrës, pa dhënien llogari të Beogradit!
 
-E pranuam se pranuam, presidenti Hashim Thaçi, tanimë është pajtuar me serbët dhe me Serbinë. Këtë e provojnë edhe vizitat përulëse dhe përkulëse të tij pllakave përkujtimore serbëve të vrarë në Kosovë; Dialogu i Brukselit (2011-2017); Formimi i “Bashkimit të Komunave Serbe” në Kosovën Veriore; Krijimi i Qeverisë së Koalicionit PDK+LDK+Srpska Lista, dhjetor 2014 etj.
 
Mirëpo, me gjithë pajtimin e Thaçit me  serbët, pajtimi me Serbinë, nuk varet nga dëshira e sinqertë dhe paqësore e shqiptarëve, por nga vetë Serbia dhe nga drejtësia evropiane dhe ndërkombëtare. Me Serbinë, do të pajtohemi, atëherë, kur ajo ta ketë braktisur politikën dhe praktikën e saj kolonialiste dhe neokolonialiste ndaj territoreve indigjene shqiptare. Derisa Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur, por e konsideron “territor legal” të saj, duke e quajtur “Kosovo je Srbija”, pajtimi me të, është vetëm një utopi e shkretë dhe, një iluzion i kotë i “Predsednikut” Hashim Thaçi dhe i të gjithë atyre politikanëve, diplomatëve dhe shtetarëve shqiptarë, që në thelb, nuk e njohin historinë e hidhur shekullore të marrëdhlnieve serbo- shqiptare.
 
Paqësimi me Serbinë, pas ribashkimit të Kosovës dhe të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) me Shqipërinë. Këtë ditë, vërtet, po e presim me padurim. Mirëpo, kjo do të ndodhë, kur shtetarët shqiptarë, të jenë zgjuar nga gjumi njëshekullor, e nuk shohin ëndrra të bukura për Serbinë gjenocidale dhe kolonialiste, por për Shqipërinë.
 
Pa rikthimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës Kosovës, si dhe pa ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kurrë nuk dot të vijë dita e pajtimit të shqiptarëve me Serbinë.
 
Për të mos krijuar konfuzion në opinion, së pari, duhet të pajtohemi me faktin se, çdo individ ka të drejtën e shprehjes së dëshirave dhe të preokupimeve të ndryshme jetësore. Mirëpo, kjo e drejtë individuale personale, nuk vlen, kur është fjala për politikanët a diplomatët e rangut më të lartë, të cilët drejtojnë, përfaqësojnë dhe prezantojnë institucionet e ndryshme të një shteti, sepse dëshira dhe preokupimet e tyre,nuk mund të jenë individuale private, por kolektive, që burojnë nga vetë populli-sovrani.
 
JO pajtim me Serbinë, por  ribashkim me Shqipërinë!
 
Pavarësisht se çfarë na thotë dhe dikton politika ditore në Kosovë, në asnjë aspekt nuk e besoj se populli shqiptar i Kosovës, “mezi po pret atë ditë”, që të pajtohet me Serbinë!
Përkundrazi, populli shqiptar i Kosovës mezi po pret që t’i ribashkohet Shqipërisë, sepse vetëm atëherë, do të përfundonte përjetësisht drama tragjike shekullore e Kosovës, e cila dikur ishte plaçkë koloniale e paligjshme e Serbisë (1912-1999).
 
Ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë e diktojnë si interesat startegjike, kombëtare, gjeopolitike, ekonomike, ashtu edhe interesat e sigurisë, të mbrojtjes, të zhvillimit, të integrimit, të demokratizimit dhe të përparimit të gjithëmbarshëm si komb dhe si shtet i fuqishëm shqiptar në Ballkan. Ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, si hap i parë racional, i drejtë dhe i pranueshëm si mbi bazën e së dejtës historike, ashtu edhe të asaj juridike ndërkombëtare, është çelësi i zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.
 
E ardhmja e Kosovës nuk varet nga Serbia dhe nga serb?ët, por nga Shqipëria dhe shqiptarët!
 
Paqësimi me Serbinë, pas ribashkimit të Kosovës dhe të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) me Shqipërinë.Këtë ditë, vërtet, po e presim me padurim.Mirëpo, kjo do të ndodhë, kur shtetarët shqiptarë, të jenë zgjuar nga gjumi njëshekullor, e nuk shohin ëndrra të bukura për Serbinë gjenocidale dhe kolonialiste, por për Shqipërinë. Kjo është e sotmja dhe e ardhmja e ndritshme e Kosovës në një shtet të përbashkët me Shqipërinë. Kjo është zgjidhja e vetme politike realiste, që mund të shpjerë në pajtimin e shqiptarëve me Serbinë. Ndryshe, politika dhe diplomacia shqiptare, edhe në shekullin XXI, do të bëhej rob i formulave, i diktateve dhe i ultimatumeve të politikës kolonialiste dhe neokolonialiste serbe, duke e lënë Kosovën dhe Anamoravën nën kërcënimet e sferës së influencës tradicionale ruso-serbe në Ballkan. Si duket, edhe fillimi i “dialogut teknik” midis Prishtinës dhe Beogradit , si dhe status quo-ja e statusit kolonial të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) po i konvenon ekuilibrit të marrëdhënieve të dikurshme ballkanike-evropiane, por në një formë të re evolutive integruese “soft power” të uesternizimit të Ballkanit nga ana e Bashkimit Evropian (BE).
 
Këtë të vërtetë të pakundërshtueshme, do të duhej ta dinin, jo vetëm politika, diplomacia, propaganda zyrtare e institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës, por çdo shqiptar, sepse ardhmëria e Kosovës nuk varet nga normalizimi me çdo kusht i marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, si dhe me shtetet e tjera fqinje kolonialiste, të cilat edhe sot, në fillimshekullin XXI (2017), më se gjysmën shqiptarëve dhe të territoreve të tyre etnike i mbajnë peng nën sovranitetin e tyre kolonial shtetëror (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe “Maqedonia”).
 
Pavarësisht se çfarë funksionesh dhe detyrash ushtrojmë (publike a private) në shoqërinë tonë multietnike kosovare, asnjëherë nuk duhet ta mendojmë, as ta pohojmë e, as ta shkruajmë togfjalëshin “vlerësues” se ardhmëria e shqiptarëve varet nga PAJTIMI i tyre me  Serbinë dhe me serbët, por nga shqiptarët dhe Shqipëria, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Së fundi, pajtimi i shqiptarëve me serbët, është i mundur të arrihet, por vetëm atëherë pasi bashkësia ndërkombëtare ta ketë ndëshkuar ligjërisht dhe drejtësisht robërinë koloniale dhe gjenocidale të Serbisë mbi shqiptarët dhe Kosovën.
 
Ndryshe “pajtimi”, të cilin po e ëndërrojnë serbomëdhenjtë e Beogradit  dhe “Baba” i Kosovës, Hashim Thaçi, është vetëm një utopi e shkretë me të cilën po ushqehet dhe po ngushëllohet hollokausti dhe imperializmi serbomadh në Ballakn, duke llogaritur përherë në logjikën e forcës militariste të Beogradit, dhe duke shpresuar se në këtë mënyrë, do ta “përfitojë” bashkësinë ndërkombëtare në rehabilitimin e tij në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat