Pavarësia e Kosovës dhe paqja në rajon

Opinione

Pavarësia e Kosovës dhe paqja në rajon

Nga: Sadri Rexhepi Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 13:30
Sadri Rexhepi

Të nderuar kolegë! Fundshekulli i XX- të për kombin shqiptar ishte dhe do të mbetet një ndër epokat e civilizimeve bashkëkohore, kur kombi shqiptar u ngritë në ballafaqimet e diplomacisë botërore. Gjithsesi, shembja e komunizmit, si projekt botëror, ekonomik, politik dhe veçmas si doktrinë ideologjike paralajmëroi shansin e madh historik edhe për kombin tonë. Kombi shqiptar i cili në ato zhvillime dhe ndryshime kolosale të epokave u rreshtua kah orbita perëndimore, pikërisht kah e ardhmja e përbashkët evropiane, me përqafimin e vendosur dhe të ideologjisë së lirisë, të demokracisë, pra të vlerave të shoqërisë perëndimore në fakt e mori udhën e faktorizimit në rajon. Realisht, me rreshtimin e faktorit shqiptar gjithnjë nën udhëheqjen e shtetit shqiptar kah vlerat sublime përendimore, kah civilizimet demokratike, ne përfundimisht u ndamë nga epoka e mos lirisë, e robërimit jo vetëm mendjes, por edhe të robërimit të gjysmës së kombit tonë të ndarë, që në fundshekullin e XX-të shtrihet nën pushtimin jugosllav. Kombi shqiptar, në radhë të parë shteti shqiptar, i cili gjithnjë ishte dhe do të jetë trungu i qenies sonë kombëtare, i ecjeve tona drejtë civilizimeve të reja perëndimore ishte gjetur para thirrjes së pa përsëritshme të historisë. Dhe atë, jo vetëm të historisë sonë kombëtare, por edhe thirrjeve të historisë së re, e cila po ngrihej mbi themelet e filozofisë së rendit të ri botëror me në krye SHBA-të.

Këto thirrje ishin edhe më sfiduese, kur dihej se në prag të përmbylljes së shekullit të XX-të, kur po ndodhte rirreshtimi i madh i kombeve të rajonit tonë, përkatësisht të Evropës Juglindore, duhej menduar, vepruar dhe punuar për çlirimin e pjesës së ndarë të popullit tonë nga sundimi, gjegjësisht robëria sllave.

Në vorbullën e gjithë këtyre rrethanave dhe zhvillimeve për shumë çka dramatike, kombi ynë si tërësi ka ditur të ndërtojë strategjinë e rrugës sonë kombëtare çlirimtare dhe prosperuese, duke u renditur në krahun e demokracisë botërore dhe ecjeve krah për krah me ndërtuesit e Rendit të Ri Botëror. Populli ynë pa përjashtim, e flaku ideologjinë e errësirës, ideologjinë e robërisë, ideologjinë e vetë-izolimit dhe shpërtheu drejtë demokracisë, drejt lirisë si vlerë universale, drejt çlirimit të vetë dhe shikimit të së ardhmes së sigurt.

Në të gjitha këto situata, shumë sfiduese, Kosova ishte një ndër ballafaqimet më të vështira që kombi ynë i kishte në radhë me sunduesit sllav dhe me përkrahësit e tyre historik, në raport me Kosovën. Duke vepruar si një trung kombëtar, duke mos pranuar kurrë ndarjet e pa drejta historike, me dhunë Ballkanike, Evropiane dhe Botërore, duke mos rënë asnjëherë në kurthet e shumta të diplomacisë jugosllave, në radhë të parë serbe, por edhe ruse, shpirti i kombit arriti të ndërtojë dhe të mbajë gjallë edhe në kohërat më të vështira për Kosovën dhe kombin, qëndrimin e vendosur, të padiskutueshëm e të pakthyeshëm për domosdoshmërinë e çlirimit të Kosovës nga sundimi jugosllavo – serb.

Diplomacia shqiptare dhe vetë prijësit e Kosovës gjithnjë dhe gjithmonë edhe në kohërat më të vështira të luftës heroike të popullit të Kosovës me në krye UÇK-ën çështjen e çlirimit të Kosovës dhe pavarësinë e saj e shikuan e avancuan dhe e ngritën në përmasat, në kornizat e diplomacisë moderne perëndimore.

Prandaj, çështja e Kosovës ishte çështje fundamentale e paqes, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe kusht për paqen në rajon.

Të nderuar të pranishëm

Shikuar nga këndvështrimi shqiptar, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, shihej dhe vazhdon të shihet si nyja kyçe e faktorizimit të kombit tonë në fillimet e shekullit të XXI-të. Nuk ishte dot e mundur që kombi ynë të bëhej faktor në rajon deri sa Kosova të mos çlirohet dhe të mos shpallej pavarësia e saj. Kjo edhe për arsye se ecja e kombit tonë drejt të ardhmes evropiane, drejt NATO-së dhe Rendit të Ri Botëror nuk do të mund të realizohet me parcionalizimin e çështjes sonë kombëtare. Çështja shqiptare është një dhe si e tërë, që do të thotë se, Pavarësia e Kosovës ishte dhe është kusht i fuqizimit dhe faktorizimit të mëtejshëm të mbarë kombit tonë. Nga ana tjetër, pavarësia e Kosovës ishte dhe është gurthemel i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ne rajon. Pavarësia e Kosovës nuk cenon lirinë e Serbisë, nuk prek integritetin dhe sovranitetin e Serbisë dhe të asnjë prej vendeve fqinje sllave në kufinjt e shtetit të Kosovës. Përkundrazi, është faktor i stabilitetit dhe i forcimit të paqes në rajon. Prandaj, veçmas për këtë fakt, Serbia jo vetëm që ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, por edhe bën gjithçka që ta nxisë situatën konfliktuoze në raportet ndëretnike. Kjo luftë politike e Serbisë kundër Kosovës ndodh për arsye se pikërisht Serbia nuk është e interesuar për paqe në rajon, por përkundrazi për destabilitet. Serbia edhe sot e kësaj dite, pra nëntë vjet pas themelimit të shtetit të Kosovës është në frymën e Rendit të Ri Botëror, është në kornizat e strategjisë se rreshtimeve të reja jo vetëm shqiptare, por edhe atyre ndërkombëtare të shekullit të XXI-të, të cilave rreshtime u prijnë SHBA-të dhe NATO. Serbia duhet ta kuptoj se Pavarësia e Kosovës duke qenë pjesë edhe e projektit perëndimor, pra të Rendit të Ri Botëror, detyrimisht dhe në mënyrë të pa diskutueshme është faktor paqeje në rajon.

Prandaj, duke qenë thellë të bindur se Pavarësia e Kosovës e ndihmon stabilizimin e zhvillimeve në rajonin, përherë të trazuar të Ballkanit Perëndimor edhe në prag të shënimit dhe festimit të nëntë Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ritheksojmë se Kosova gjithmonë do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kosova do të jetë vend demokratik me marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me bashkëpunim miqësor dhe civilizues në rajon. Pra, edhe në raportet dhe bashkëpunimin fqinjësor ndërshtetëror me Serbinë fqinje. Këtë fakt e dëshmon edhe e dhëna se pavarësia e Kosovës, integriteti dhe sovraniteti i saj i plotë dhe i garantuar ndërkombëtarisht, ngase tashmë janë njohur zyrtarisht rreth 100 shtete të botës demokratike, ndërkohë që pritet të kemi edhe njohje të reja. E tërë kjo na bën të themi me mburrje se ndërkombëtarizimi i shtetësisë së Kosovës nga shkurti i vitit 2008 e deri më tash, për 9 vite me radhë, ka shënuar progres të rëndësishëm, duke dhënë edhe një dëshmi të fuqishme se pavarësia e Kosovës është realitet, jo vetëm i pa diskutueshëm, por edhe realitet i ri ndërkombëtar që faktorizon paqen në rajon. Mbi të gjitha, Perëndimi , bota demokratike, aleatët tanë në Ëashington, Nju York dhe në Bruksel, janë të interesuar që të forcohen themelet e shtetit demokratik të Kosovës, sepse shteti ynë paraqet faktor kyç për paqen, sigurinë dhe të ardhmen prosperuese të rajonit.

Para afro tri dekadave, konkretisht në vitin 1990, të dy shtetet gjermane, Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore u bashkuan dhe u bë një shtet unik. Kombi gjerman u bashkua në një Atdhe të njësuar, që do të thotë u bë bashkimi i shtetit etnik gjerman. Andaj, shtrohet pyetja: pse të mos lejohet edhe bashkimi i shqiptarëve dhe formimi i Shqipërisë Etnike, për çka u derdh gjaku shqiptar në qytete e fshatra të viseve të banuara me shiptarë në rreth mbi 22 shekuj? Së këndejmi, ne duhet t’i shfaqim mirëseardhje bashkimit kombëtar shqiptar dhe formimit të Shqipërisë Etnike. (...).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat