Përbërja etnike e popullsisë në Maqedoni, përfaqësimi dhe vetëmashtrimi

Opinione

Përbërja etnike e popullsisë në Maqedoni, përfaqësimi dhe vetëmashtrimi

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 20:54
Abdulla Mehmeti

Përveç argumenteve historike, edhe sipas përbërjes etnike të popullsisë Maqedonia nuk mund të jetë shtet nacional i popullit maqedonas!

Përbërja etnike e popullsisë në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i vitit 2002:*

1. Maqedonas: 1 297 981
2. Shqiptarë: 509 083** 
3. Vlleh: 9 695
4. Rom: 53 879
5. Turq: 77 959
6. Austriakë: 35
7. Boshnjakë: 17 018
8. Bullgarë: 1 487***
9. Gjermanë: 88
10. Grekë: 422
11. Hebrenj: 53  
12. Egjiptianë: 3 713
13. Italianë: 46
14. Myslimanë: 2 553
15. Polakë: 162
16. Rumunë: 38
17. Rusë: 368
18. Rusinë: 24
19. Sllovakë: 60
20. Sllovenë: 365
21. Serbë: 35 939
22. Ukrainas: 136
23. Hungarezë: 129
24. Kroatë: 2 686
25. Malazezë: 2 003
26. Çekë: 60
27. Të tjerë: 5 332
28. Nuk janë deklaruar: 404
29. Janë deklaruar si pjesëtarë të rajoneve të caktuara: 829

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, Maqedonia ka pasur gjithsej 2 022 547 banorë.

Numri i fëmijëve të lindur sipas përkatësisë etnike të prindërve

Në bazë të të dhënave zyrtare të Entit Republikan të Statistikave të Maqedonisë, për vitin 2012 jepet kjo pasqyrë:

Maqedonas: 11 995  
Shqiptarë: 8 035
Turq: 1 092  
Rom: 1 552
Vlleh: 2 37  
Serbë: 125  
Boshnjakë: 251  
Përkatësi tjetër etnike: 481

Të dhënat statistikore, politika dhe vetëmashtrimi

Këto të dhëna statistikore nuk mund të jenë plotësisht të besueshme, duke marrë parasysh manipulimet permanente të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë, sidomos në lidhje me numrin e shqiptarëve, megjithatë, numri i shqiptarëve edhe sipas këtyre të dhënave, sigurisht të zvogëluara, është mbi 35%, duke mos llogaritur numrin e fëmijëve të lindur të familjeve shqiptare që jetojnë në vendbanimet ku ata janë pakicë në krahasim me popullsinë tjetër joshqiptare, ku për shkak të sigurisë dhe ekzistencës së mëtejme në këto vendbanime nuk e deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Po ashtu, në këtë përqindje nuk janë përfshirë edhe fëmijët e familjeve shqiptare të besimit ortodoks, të cilët llogaritet se përbëjnë 5-7 % në nivel të shtetit.

Përqindja e popullsisë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në pushtetin ligjvënës

Me manipulimin e zgjedhjeve, falsifikimin perfid të tyre, me pëlqimin edhe të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, sipas numrit të mandateve të fituara të deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë, përfshirja e shqiptarëve mezi arrin në 16,6%, ose më pak se gjysma e popullsisë shqiptare, të cilën pretendojnë se e përfaqësojnë këto subjekte politike!

Edhe pse të dhënat zyrtare për numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni, sidomos për numrin real të shqiptarëve, janë të pasakta dhe të pabesueshme, edhe sipas kësaj përqindje të sajuar nga politika zyrtare e këtij shteti, me mbi 26% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, shqiptarët do të duhej së paku të përfaqësohen me mbi 32 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë, jo me 20 deputetë, sa përfaqësohen aktualisht, në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016. Ndërkaq, sipas përqindjes reale të shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullsisë, ata duhet të përfaqësohen me së paku 45 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë.

Papërgjegjësia dhe vetëmashtrimi i udhëheqësve të subjekteve politike aktuale të shqiptarëve në Maqedoni janë antihistorike, joreale, jodemokratike dhe reflektojnë përulje të skajshme ndaj pushtetit të këtij vendi, për realizimin e interesave të veta personale dhe grupore, jo edhe të interesave të popullit shqiptar në këtë vend. 

* Nga kjo pasqyrë mund të shihet përbërja e popullsisë sipas përkatësisë etnike, ndërsa të dhënat për numrin e popullsisë nuk mund të merren si të sakta, duke pasur parasysh se Enti Shtetëror i Statistikave i Republikës së Maqedonisë njihet si institucion në shërbim të politikës së këtij shteti dhe falsifikues i të dhënave të kësaj natyre, sidomos kur është në pyetje numri i shqiptarëve në këtë shtet. 

** Sipas të dhënave të besueshme krahasimtare, mbi 42% të popullsisë së Maqedonisë e përbëjnë shqiptarët autoktonë.

*** Në bazë të disa të dhënave statistikore, në Maqedoni jetojnë afër 200 mijë qytetarë me përkatësi etnike bullgare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat