Aleancat ballkanike sllave dhe shqiptarët

Opinione

Aleancat ballkanike sllave dhe shqiptarët

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 17:25
Abdulla Mehmeti

As marrëveshjet e fshehta politike dhe ushtarake të Aleancave sllave të Ballkanit asnjëherë nuk mundën ta anashkalojnë faktin se këto territore historikisht janë dominuar nga shqiptarët autoktonë.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Ballkanike, u nënshkrua Marrëveshja serbo-bullgare, gjegjësisht, Marrëveshja e aleancës dhe miqësisë mes Serbisë dhe Bullgarisë, më 13 mars 1912, mes Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Bullgarisë.

Image

Përmes kësaj Marrëveshje u krijuan themelet e Aleancës Ballkanike Sllave. Marrëveshja u shoqërua më vonë edhe me anekse të fshehtë dhe me Konventën ushtarake (lufte), e nënshkruar më 2 qershor 1912, si pjesë integrale e kësaj Marrëveshje.

Përveç saj, të njëjtën ditë janë nënshkruar edhe dy marrëveshje shtesë mes Gjeneral shtabeve të përgjithshme të ushtrive të këtyre dy shteteve.

Në bisedimet që filluan nga fundi i muajit shtator të vitit 1911, në zhvillimin e bisedimeve dhe përgatitjen e këtyre marrëveshjeve (sigurisht në cilësi të instruktorëve) pjesë aktive morën edhe deputetët rusë në Beograd dhe në Sofje, Nikollas Hartvig dhe Aleksandar Nelidov.

Vetëm një vit më vonë u nënshkrua Marrëveshja e Bukureshtit, traktat paqeje mes palëve ndërluftuese në Luftën e Dytë Ballkanike, më 10 gusht 1913, me të cilin Maqedonia u nda në tri pjesë, mes Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, më 2 gusht 1944, me ndikimin e Kominternit (Internacionales komuniste), për herë të parë u krijua Republika ish jugosllave e Maqedonisë, në pjesën e Maqedonisë që e morri (pushtoi) Serbia me Marrëveshjen e Bukureshtit, e cila u konstitua si shtet i veçantë në pjesën më të madhe në territoret etnike shqiptare.

Më 8 shtator 1991, pas rrënimit të ish Federatës Jugosllave, u organizua Referendumi për ,,pavarësinë" e Maqedonisë, me këtë pyetje referendumi: „A jeni për Maqedoni të pavarur, me të drejtë të bashkimit në një federatë të ardhshme me shtetet sovrane të Jugosllavisë?” Nga vetë pyetja e Referendumit, në të cilën e deklaruan shumica e qytetarëve të këtij vendi, përveç shqiptarëve, me të drejtë ky shtet ende konsiderohet nga faktori ndërkombëtar dhe shumica e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e këtij shteti, si Republika ish Jugosllave e Maqedonisë (Former Yugoslav Republic of Macedonia, ose FYROM), jo si shtet plotësisht i pavarur dhe sovran.

Duke pasur parasysh këto fakte, kërkesa që e kam parashtruar sa herë përmes analizave të mia, për organizimin e një Konference Ndërkombëtare për Maqedoninë, është nevojë e domosdoshme për të ardhmen e sigurt të këtij vendi dhe perspektivën e tij evropiane, si shtet i pavarur dhe sovran.

Si e shohin Maqedoninë politikanët e sotëm, pas këtyre marrëveshjeve politike dhe ushtarake të Aleancave sllave në Ballkan (nga fillimi i shekullit të kaluar e deri më sot), mes ,,vëllezërve sllavë" si dhe të aleancave të fshehta të mëvonshme mes shteteve fqinje të Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, me ndihmën edhe të Rusisë?!

Është koha të vetëdijesohet çdo qytetar i Maqedonisë, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, se shqiptarët nuk janë vetëm pjesë e rëndësishme, por vetë themeli dhe garancia për ekzistimin e këtij shteti ballkanik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat