Dy puçe të dështuara politike në Luginë të Preshevës

Opinione

Dy puçe të dështuara politike në Luginë të Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 25 mars 2017 Në ora: 10:23
Nehat Hyseni

Avazin e prishjes së koalicionit qeverisës APN-PVD në komunën e Preshevës e nisi pronari i portalit "presheva.com", Driton Salihu, me tekat dhe ambiciet e tij egoiste e karrieriste për të ndërtuar njëfarë "zyre" aty ku realisht nuk e kishte vendin, kurse e bitisi "gazda" i tij politik, Shqiprim Arifi me kontrabandën e shitblerjes së këshilltarve komunalë. 

Ky marifet politik e nxiti "babën" e intrigave dhe dallaverave, Nagip Arifin, në komunën e Bujanocit, që të vihet në aksion. 

Sepse, sa duket, ai vlerësoi se i kishte ardhur momenti i shumëpritur!

Kështu, tandemi i "dy Arifëve", njëri në Preshevë, që e ndiente veten të "fuqishëm" si sulltan Murati i Perandorisë Osmane, i njohur për mizoritë e tia të heqjes së kokave. 

Shqiprimi e hoqi "shpatën" nga këllëfi, por nuk arriti t'ia heq kokën Xhelal Mehmetit-Xhimit, zëvendëskryetar i komunës së Preshevës, meqë atij iu "hoq" koka (politike), para se t'ia arrinte fitores dhe "triumfit" të tij politik. 

Shqiprimit, apo "Arifit të Preshevës", nuk i ndihmuan në këtë "marshim" drejt "piemontit", as ideologët mesjetar që se ku i gjeti e na i solli nga Europa, mbase nga tarafi i atyre që rekrutuan luftëtarë për "luftën e shenjtë" në Siri, Irak e Afganistan?! 

Mbase, ky ishte "biznes" shumë fitimprurës, që na mori shumë djem të rinjë nga bankat shkollore, për këtë "mision të shenjtë". 

Shumica prej tyre ranë "shehitë" në tokat e Shamit.

Gjithashtu, edhe disa nga vajzat dhe nxënëset më të zonja të shkollave të mesme nga Lugina dhe Maqedonia nuk mbetën mbrapa tyre, duke i braktisur bankat shkollore dhe iu bashkangjitën këtij "misioni të shenjtë". 

Ato mbeten sekret familjar, meqë arsyetimi para opinionit ipet kinse ato kanë shkuar "mysafire" në Turqi, apo dhe se gjinden në "mërgim". 

Familjet dhe prindërit e tyre janë të pikëlluara dhe të trishtuara thellë nga humbja e më të dashurve dhe më të dashurave të tyre, të cilët madje janë të detyruar ta mëshefin këtë dhëmbje të madhe dhe pikëllimin nga opinioni publik. 

Djemtë përfunduan në fronte të luftës, kurse vajzat kishin për detyrë t'i kënaqnin epshet seksuale të luftëtarve para se të shkonin në front, duke deklaruar "martesën" e atypëratyshme. 

Ato vajza kanë mbetur si gra të veja, meqë shumica e "burrave" të tyre kanë rënë "shehitë", kurse ato kanë mbetur shtatzëna e kanë lindur fëmijë dhe nuk kthehen dot në vendlindje. 

Kurse, shoqëria jonë, sidomos në Luginë dhe Maqedoni, nuk është e përgatitur t'i mirëpres, t'i sistemoj dhe t'i riatdhesjoj e integroj.

Kurse, z. Arifi i komunës së Bujanocit, i cili përveç mbiemrit të njejtë me z. Arifin e komunës së Preshevës, gjithashtu karakterizohet si "ish kryetar" komune, ashtu si (mbi) emnaku i tij nga Presheva, kishte përgatitur gjatë kohë, në mësheftësi të plotë puçin e tij tinzar politik, për ta rrëzuar nga pushteti mazhorancën aktuale të kësaj komune, të udhëhequr nga z. Shaip Kamberi.

Pse pikërisht tani, dmth në këtë moment z. Arifi i Bujanocit, organizoi këtë "puç" politik?

Analiza ime politike na çon në dy arsye themelore:

a) Arsyeja e parë e këtij sulmi apo puçi të befasishëm ndaj qeverisjes lokale të komunës së Bujanocit, sipas të gjitha gjasave, na rezulton të jetë tragjedia dhe pikëllimi i madh familjar me rastin e vdekjes së Abelard Kamberit, nipit 21 vjeçar të kryetarit Shaip Kamberi. 

Kjo tragjedi e rëndë dhe kjo humbje e madhe kishte pikëlluar rëndë mbarë Luginën e Preshevës. Kurse, z. Shaip Kamberin, edhepse njihemi shumë gjatë, kurrë nuk e kam parë më të pikëlluar dhe më të mërzitur! 

Madje, më tha gjatë vizitës tonë për ngushëllime, se ishin bërë dy javë "pa dalë në punë". 

Pra, sa duket, Nagip Arifi me tarafin e tij politik duhet ta ketë vlerësuar këtë tragjedi familjare të z. Kamberi si moment të volitshëm për "aksion" dhe sulm të befasishëm e tinzar.

Sepse, kurrë më të lënduar e të plagosur nga tragjedia e përmendur familjare nuk do ta kishte gjetur "kundërshtarin" e vet politik. Prandaj, sa duket, ka llogaritur në fitore të sigurt.

b) Arsyeja e dytë e këtij sulmi apo puçi politik të pabesë e tinzar, konsideroj se është nevoja e SNS-it të Vuçiqit, në vigilie të votimit për zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

Meqë dihet se kryetari Kamberi nuk do të lejoj vjedhjen e planifikuar "industriale" për Vuçiqin, duke e shfrytëzuar bojkotimin e zgjedhjeve nga shqiptarët e Luginës. 

Gjithsesi, duke e ditur afrinë ose kumbarinë e vjetër familjare të z. Arifi me Dr. Stankoviqin si kryetar të TK-së, që njihet për qëndrimin e tij antishqiptar dhe ofertën e fundit të tij për të dëshmuar kundër ish kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj në Paris, mbase do jetë nxitur edhe nga ai. 

Por, mos të harrojmë se z.Arifi i komunës së Bujanocit i ka borxh atyre edhe për ndihmat dhe meritat që kishin ata në katapultimin e tij në postin e kryetarit të komunës dhe për diverzionin e tij ndaj PVD-së dhe përçarjes së shqiptarve të kësaj komune me formimin e PD-së së Nagip Arifit, për qëllime diverzive dhe destruktive dhe për vendosjen e kontrollit të Serbisë ndaj politikbërjes së pavarur të shqiptarve të Luginës, si dhe kundër unitetit të shqiptarve në komunën e Bujanocit.

Por, fatmirësisht, u pa puna se të dy Arifët dhe dirigjentët e tyre politik, kishin bërë llogarinë "pa hanxhiun". 

Arifi i Preshevës, jo vetëm që nuk arriti që ta shkarkoj zëvendëskryetarin Mehmeti, por edhe ra vet në gropën apo kurthin e parapërgatitur, duke u shkarkuar nga posti i kryetarit të komunës së Preshevës.

Kurse, z. Arifi të komunës së Bujanocit i shkoi puna huq dhe dështoi si i turpëruar dhe duke u koritur me pafytyrësinë e tij.

Madje, me këtë rast Nagip Arifi ia shtoi vetes dhe kumbarëve të vet politikë edhe një njollë morale shtesë, për pabesinë dhe pashpirtësinë e tij të sulmit në momentin e tragjedisë dhe dhëmbjes së madhe e të pafund familjare të kryetarit aktual dhe liderit të shqiptarve të komunës së Bujanocit, të respektuar nga të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe mbarë Shqiptarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat