Lugina e Preshevës e tradhëtuar nga Hashimi e Isa sot edhe më zi se nga Azemi e Fadili dikur

Opinione

Lugina e Preshevës e tradhëtuar nga Hashimi e Isa sot edhe më zi se nga Azemi e Fadili dikur

Nga: Nehat Hyseni Më: 28 mars 2017 Në ora: 12:28
Nehat Hyseni

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë autokton, e jo "ardhacakë" në këto troje të tyre stërgjyshore, të banuara më shqiptarë qysh nga kohërat e lashta të periudhës iliro-romake. 

Studimet reth lashtësisë së tyre, edhepse mungojnë për nga numri dhe thellësia e gjurmimeve e trajtimeve të mirëfillta shkencore, meqë nuk janë bërë studime më serioze arkeologjike, por kryesisht sipërfaqësore e joprofesionale, megjithatë, edhe si të tilla kanë arritur të dëshmojnë dhe faktojnë lashtësinë mijavjeçare të shqiptarve në këtë pjesë të Ballkanit.

Problem në vete paraqet historiografia serbe, e cila synon që shqiptarët e Luginës së Preshevës, por edhe territorin me mbi 11.000 km2, në 750 vendbanime me shumicë shqiptare në Serbi, si dhe për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, dmth nga territoret e ish Jugosllavisë, synon dhe pretendon paturpësisht t'i paraqesin si "ardhacak" nga viset e Shqipërisë së sotme, që sipas tyre kanë ardhur pas "Shpërnguljes së parë dhe të dytë të Madhe Serbe".

Politika ekspansioniste serbe, e ndihmuar nga pansllavizmi gjenocidal i Rusisë ndaj shqiptarve gjatë Luftës Ruso(Serbo)-Turke 1876-1878, dmth para Kongresit të Berlinit, arriti që kufirin midis Turqisë dhe Serbisë ta sjellë nga Aleksinca apo nga "Molla e Kuqe", reth 200 km, në Ristovc, vetëm 30 km larg nga Presheva. 

Kurse, Medvegjën atëbotë e përfshiu në kuadër të Serbisë. 

Arsyetimi i politës serbe para Europës ishte se nuk është fjala për spastrim etnik, meqë deklaronte se ishin shpërngulur "turqit" e ardhur me pushtimin otoman të Serbisë. 

Në vitin 1912, me Luftën e parë dhe të dytë Ballkanike, Serbia vazhdoi spastrimin etnik nga viti 1878 dhe pushtoi Kosovën, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë, me të njejtin arsyetim se po shpërnguleshin "turqit", por kësaj radhe edhe shqiptarët "ardhacakë nga Shqipëria".

Pra, historiografia serbe ishte shumë aktive dhe, sa duket, arriti ta bindë Europën e krishtere se po bënte spastrimin e kësaj pjese të Europës nga elementi turko-musliman dhe nga shqiptarët "ardhacak nga Shqipëria", shumica prej të cilëve ishin poashtu myslimanë.

Ngatyrisht se Kongresi i Berlinit në vitin 1878, i kryesuar nga Bizmarku, bir i një nëne serbe, karshi Turqisë së sfilitur, i siguroi Serbisë të kaloj "pa therrë në këmb" para drejtësisë europiane e botërore. 

Edhe pas gjenocidit e masakrave të tmerrëshme të vitit 1912, të cilat "de jure" ishin luftë kundër Turqisë, kurse "de facto" ishin gjenocid ndaj shqiptarve dhe grabitja e tokave, shtëpive e katandive shqiptare dhe dëbimi i tyre i dhunshëm për Turqi dhe Lindjen e Afërt, në Siri, Jordan, Egjipt, etj. duke krijuar koloni të tëra muhaxhirësh shqiptarë atje.

Jugosllavia socialiste e J. B. Titos e vazhdoi avazin e politikës gjenocidale serbe ndaj shqiptarve në përgjithësi, e sidomos të atyre të Luginës së Preshevës dhe atyre të Maqedonisë, duke përtrirë kështu Elaboratin famëkeq të Akademikut serb, Vaso Çubrloviqit të vitit 1938, si Konventën e Mbretërisë së Jugosllavisë të Aleksandar Karagjorgjeviqit për shpërnguljen dhe dëbimin e dhunshëm të shqiptarve në Turqi, realizimin e të cilit e ndëpreu Lufta e dytë Botërore (1939-1945).

Në vend të ekspeditave ushtarake, Tito e përdori Aleksandar Rankoviqin, i cili nga viti 1953 ishte Zëvendës i Titos, si Zëvendëskryetar i Republikës në RFPJ dhe shef i UDB-së famëkeqe, për dëbimin e shqiptarve në Turqi me masakrat e organizuara ndaj tyre në "aksionin për grumbullimin e armëve" që u zbatua egërsisht dhe duke përdorur metodat e torturat më çnjerëzore e kriminale ndaj tyre. Në këtë mënyrë i detyroi mbi gjysëm milioni shqiptarë të shpërngulen dhunshëm në Turqi dhe gjithandej në Lindjen e Afërt, në Europën Perëndimore, në Amerikë e Australi, etj.

Në korrik të vitit 1966, Tito e shkarkoi Aleksandar Rankoviqin nga të gjitha postet politike, meqë e kishte rrezikuar atë vet seriozisht jo vetëm pushtetin, por edhe ekzistencën fizike e qeverisjen e shtetit nga Tito.

Pasoi periudha postrankoviqiane, e cila siguroi një frymarrje më të lehtë dhe një status më të avancuar politik të shqiptarve me amendamentet e viteve 1968-1971, e sidomos me Kushtetutën e vitit 1974, kur Kosova u avancua si element konstituiv i  federatës dhe nga Statuti i deriatëhershëm si akt më i lartë juridik e ligjor, fitoi Kushtetutën.

Por, me demostratat e vitit 1981 i dhanë fund periudhës zhvillimore të Kosovës dhe, sa duket, idilës së ruajtjes së "vëllazërim-bashkimit" ideologjik shqiptaro-serb, kurse në vitet e 90-ta edhe të atij jugosllav, siç porosiste Tito: "si drita e syrit"!

 Këtë refren e stërpërisnin të gjithë.

Kurse, komunistët shqiptarë në krye me Fadil Hoxhën, e sidomos me Azem Vllasin ambicioz, të etshëm për karrierë politike e pushtet, të ndihmuar nga një pjesë e konsiderueshme e "inteligjencës komuniste" të kohës, u bënë me ose pa vetëdie, me apo pa vullnetin e tyre, argatë të përulur e servilë ndaj sllavokomunistëve të përbetuar antishqiptarë, në luftën e tyre të shenjtë "Kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar".

Me bindjen e tyre naive dhe devotshmërinë e verbër ndaj ideologjisë komuniste ose ndonjëri prej tyre, thjeshtë për arsye dhe ambicie karrieriste, ata bënë kërdinë mbi inteligjencën dhe mbi vlerat më sublime kombëtare shqiptare, duke e filluar me "heqje kokash të indoktrinuara me nacionalizëm e irredentizëm shqiptar" në Universitet, shkolla e ndërmarrje ekonomike, dhe duke përfunduar me shkatërrimin definitiv të autonomisë së Kosovës, me marshimin triumfal të nacionalsocializmit apo fashizmit serbomadh, në krye me Hitlerin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin.

Kështu, më në fund u këndellën shqiptarokomunistët kokëshkretë, se mori fund ëndrra e tyre makabre dhe argatllëku e servilizmi i tyre poshtrues e jokurrizor ndaj sllavokomunizmit antishqiptar apo "dreqit të zi", kundër shqiptarizmit, duke i falemnderuar tërbimit gjenocidal shkurtpamës serb kundër shqiptarve, që i kishte futur të gjithë shqiptarët "me një thesë", pa i diferencuar dhe pa i ndarë e klasifikuar ata në "shqiptarë të ndershëm" dhe "irredentistë", siç bënin dikur komunistët. 

Kështu, befasisht u gjetën në të njejtin kosh "xhelatët dhe viktimat" e dikurëshme shqiptare: Azem Vllasi me shokët e vet komunistë dhe "irredentistët" e "kundërrevolucionarët" që vuajtën denimet kapitale e jonjerëzore nëpër kazamatet e tmerrëshme të Jugosllavisë dhe sidomos në ato të Serbisë!

Kjo periudhë millosheviqiane zgjati deri në vitin 1999, kur Kosova u çlirua nga Serbia me bombardimet e NATO-s,  me luftën e UÇK-së dhe me rrezistencën stoike kombëtare të shqiptarve. 

Por, Lugina e Preshevës pas vitit 1999 mbeti jashtë Kosovës, nën regjimin antishqiptar të Serbisë, edhepse bëri rrezistencë dhe luftë të armatosur të UÇPMB-së gjatë viteve 2000-2001.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbetën të zhgënjyer e të dëshpruar nga fati i zi dhe nga gazepi e dhuna e pushtetit antishqiptar të Serbisë, që nuk iu hoq qafe ashtu siç e patën fatin vëllezërit e tyre shqiptarë në Kosovë.

Por, periudha e pas vitit 1999 dmth e çlirimit të Kosovës nga Serbia, e sidomos ajo pas shpalljes së Pavarësisë së Republikes së Kosovës më 17 shkurt 2008, shqiptarve të Luginës së Preshevës në raport me Kosovën, mjerisht, shënoi zhgënjim dhe trishtim edhe më të madh se sa nga komunistët e Titistët e dikurshëm.

Tragjikomedia dhe fati ogurzi i tyre kishte të bënte me "paaftësinë" dhe pamundësinë e mirëkuptimit të shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nga politikbërja dhe performansa antishqiptare postrugoviane klasës politike të  "patriotëve" shqiptarë, të pozitës dhe opozitës Kosovare, me disa përjashtime të vogla. 

Duke filluar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe nënshkrimi nga ana e tij të Marrëveshjes Kosovë-Serbi të 19 prillit 2013, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, në Bruksel, pa Luginën e Preshevës, si dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 nga kryeministri Isa Mustafa, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të BE-së, zonjës Frederica Mogherini, Republika e Kosovës nënshkroi tradhëtinë kombëtare ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës. 

Por, e vërteta është se me këtë Hashim Thaçi e Isa Mustafa e tradhëtuan edhe vet Sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe të mbarë Shqiptarisë. Kështu, ata tradhëtuan edhe më zi interesat e shqiptarve seç e bënë dikur komunistët shqiptarë.

Pra, "patriotët" shqiptarë të Kosovës së lirë dhe të Pavarur, në krye me kryeministrin e dikurshëm dhe Presidentin e sotëm, Hashim Thaçin, si dhe me kryeministrin Isa Mustafa e shitën apo e tradhëtuan kauzën e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Bruksel, mbase më keq dhe më zi se komunistët dhe titistët kosovarë në krye me Azem Vllasin e Fadil Hoxhën.

Derisa komunistët edhe mund t'i kuptonim disi, meqë këtu ishte Serbia me ushtrinë, policinë dheUDB-në famëkeqe e makabre, kur politikanët dhe populli nuk ishin të sigurtë nga "terri i natës" dhe se a do t'i çelë drita të gjallë dhe as çka sjellë dita e nesërme, duke u sjellur çdo ditë në arkivole djemtë e ri nga ushtria. 

Prej këtij fati nuk ishte i sigurt dhe imun as Azem Vllasi dhe komunistët e tjerë shaiptarë, i cili u burgos dhe nuk e dinte se a do të shpëtoj as ai vet, e as familja e tij.

Por, tani, në shekullin XXI që nuk e kemi policinë, ushtrinë e as UDB-në famëkeqe dhe shtetin e Serbisë në Prishtinë e as në Kosovë, e duke e pasur madje edhe KFOR-in dhe FSK-në, prej kujt u friguan, vallë, Hashim Thaçi e Isa Mustafa që e nënshkruajtën, me mend në kokë, pa fije turpi e ndërgjegje kombëtare e njerëzore aktin e tradhëtisë ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës në Bruksel?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat