Të ashtuquajturat shoqata Vorio Epiriote vazhdojnë të hedhin helm mbi Shqipërinë!

Opinione

Të ashtuquajturat shoqata Vorio Epiriote vazhdojnë të hedhin helm mbi Shqipërinë!

Arben Llalla Nga Arben Llalla Më 28 mars 2017 Në ora: 12:52
Organizatat nacionaliste greke

Shoqatat greke në bashkëpunim me shoqatat e minoritarëve ekstremistë vazhdojnë të bëjnë aktivitete në propagandimin për aneksimin e Jugut të Shqipërisë me parrullën Autonomia e Vorio Epirit.

Më 12.03.2017, Organizatat nacionaliste “Lidhja Patriotike” dhe “Shoqata Vorioepirote “Pirros”, në praninë e rreth 100 personave, kanë organizuar, në ambientet e hotel “Imperial” në Larisa, një aktivitet përkujtimor me rastin e 103-vjetorit të “autonomisë së Vorio Epirit”.

Folës kryesorë kanë qenë elementët ekstremistë të njohur si Theodhoros Kamarinos, diplomat ish-konsulli grek në Korçë; Asterios Hamo, kryetar i “Lidhjes Patriotike”; Mondi Kolila dhe Lefter Prifti, drejtues të “Shoqatës Kombëtare Vorio Epiri 1914”, etj.

Nuk kanë munguar deklarimet e ekstremistëve, të Theodhoros Kamarinos dhe Lefter Priftit, të cilët vazhdojnë të hedhin baltë mbi Shqipërinë në emër të ëndrrës së tyre për Vorioepirin. Madje nuk ngurrojnë të kritikojnë dhe politikat e Greqisë për normalizim të marrëdhënieve me Shqipërinë.

Ish Konsulli grek në Korçë Theodhoros Kamarinos në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Pas Luftës së Dytë Botërore, vorioepirotët ishin vendosur në shënjestër nga Sigurimi i Shtetit dhe ishin persekutuar. Por, edhe gjatë periudhës pas rënies së komunizmit, vorioepirotët janë përndjekur dhe vazhdojnë të përndiqen nga segmente të shtetit shqiptar, veçanërisht nga shërbimet sekrete.

Gjatë këtyre viteve Greqia nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar vorioepirotët. Me politikat e saj ajo ka treguar një qëndrim antigrek, madje më antigrek se vetë Shqipëria, e cila ka ndërmarrë disa reforma për grekët.

Greqia është zyrtarisht në gjendje lufte me Shqipërinë, pasi ligji i luftës, nuk është shfuqizuar asnjëherë dhe është në fuqi akoma edhe sot. Në vitin 1985 ka një vendim të MPJ të Greqisë,për abrogimin e Ligjit të Luftës, por ky vendim prej 30 vitesh nuk është votuar asnjëherë në Parlamentin e Greqisë, pra nuk ka asnjë vlerë.

Çështja e shpalljes së luftës apo marrëveshjet e paqes parashikohen në Kushtetutën e Greqisë dhe aty shkruhet qartë se asnjë marrëveshje apo vendim nuk ka vlerë nëse nuk votohet nga Parlamenti i Greqisë.

Greqia ka vepruar në kundërshtim me interesat e saj në disa aspekte:

Ka ndihmuar financiarisht një vend armik, duke e argumentuar se ndihmat jepeshin për minoritetin grek atje.

Ka ndihmuar një shtet armik që të integrohet në organizmat ndërkombëtarë.

Ka lejuar pranimin e Shqipërisë në NATO, duke u futur në aleancë me një shtet me të cilin është në luftë. Greqia ka çështje shumë problematike me Turqinë, është aleate në NATO, por nuk ka ligj lufte me të.

Vazhdon të mbështesë politikisht një vend i cili i kundërvihet minoritetit grek dhe vetë popullit grek.

Këto problematika të rënda me Shqipërinë mund të zgjidhen vetëm nëse Greqia do të qeveriset nga qeveri patriotike.

Homogjenët grekë në Shqipëri kanë një problem të madh me vetë shtetin grek, i cili nuk i njeh në tërësinë e tyre. Këtu hyjnë grekët vllahë të Korçës, por në vend që shteti grek t’i ndihmojë me hapjen e shkollave, atje mbyllen shkolla greke dhe si rrjedhim Greqia vetë po humb një popullsi me mbi 10.000 banorë, që është me origjinë greke.

Shqipëria me programin e saj të rehabilitimit të territorit, kërkon të shkelë të drejtat  e pronës së vorioepirotëve, veçanërisht, në Himarë dhe më pas, zhdukjen tërësore të elementit grek nga Vorioepiri”.

Ndërsa Lefter Priftit i cili është me origjinë nga Korça deklarojë : “Mund të ndalohen të gjitha grabitjet e pronave dhe padrejtësitë e tjera me një veprim, bashkimin e Vorioepirit me Greqinë. Ka vorioepirotë, që janë të gatshëm të realizojnë këtë ide, ka platforma politike patriotike që na mbështesin dhe diplomatë si Theodoros Kamarinos, që janë të gatshëm të sakrifikojnë për Vorioepirin”.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat