Shteti është njësoj si familja!

Opinione

Shteti është njësoj si familja!

Nga: Enver Bytyçi Më: 29 mars 2017 Në ora: 19:19
Enver Bytyçi

Shteti, thotë Antonio Smith, është si një familje. Qytetarët e një njësie shtetërorë janë si anëtarët ë një familjeje. Kjo do të thotë që kryeadministratori i një vendi duhet ta administrojë atë njësoj siç një kryefamiljar administron anëtarët e familjes së tij. Një kryeadministrator ose administrator i punëve shtetërorë që nuk ka mundur ose nuk di të administrojë një familje, në asnjë rrethanë, në asnjë rast, në kurrfarë mënyrë nuk mundet të administrojë punët ë një shoqërie. Kryefamiljari i një familjeje ka për detyrë parësorë të shtojë të ardhurat e familjes së tij. Ai projekton rrugët dhe mundësitë ë rritjes së mirëqenies së të gjithë anëtarëve të familjes së tij. Shtimin ë të ardhurave kreu i një familjeje ë projekton jo thjesht dukë u kërkuar anëtarëve të familjes së tij të dorëzojnë pjesën e të ardhurave që duhet bashkadministruar, por dukë krijuar mundësi sa më të mëdha për shtimin ë të ardhurave dhe të fitimit përmes bashkëpunimit më të tretë.

Ndërkaq kryefamiljari ka ne administrim asetet e familjes. Prej tyre ai projekton rritjen e fitimeve dhe të të ardhurave. Edhe kryeadministratori i shtetit nuk kërkon e nuk duhet të kërkojë që buxhetin ta shtojë vetëm përmes taksave e tatimeve, por përmes marrëdhënieve me të tretë, p.sh përmes investimeve të huaja, ose formave të tjera që shtojnë asetet kombëtare dhe mundësitë për rritjen e fitimeve. Kryefamiljari i trajton të gjithë anëtarët e familjes në mënyrë të barabartë. Edhe nëse në familje bëjnë pjesë fëmijët e vëllait të tij, ai i trajton ata njësoj si fëmijët e tij. Por në mënyrë të drejtë dhe pa abuzuar ai e trajton edhe një të tretë, me të cilin është në një marrëdhënie biznesi, bashkëpunim i cili ia shton begatinë familjes. Kryeadministratori i shtetit i trajton e duhet t'i trajtojë gjithashtu qytetarët e tij në mënyrë të barabartë, pa dallime, pa diskriminim për shkak të bindjeve, për shkak të përkatësisë krahinore ose fetare, për shkak të aftësive etj. Ai nuk mund të bëjë shpërndarje diskriminuese të të ardhurave për shkak të simpative ose empative. Një kryefamiljar që i trajton anëtarët e familjes njësoj e pa dallim, krijon harmoni, ekuilibër, solidaritet ndër ta.

Në të kundërtën ai e shkatërron familjen, sepse pabarazia prodhon inate, xhelozi, deri hakmarrje. Kryeadministratori i shtetit ka të njëjtën detyrë para kombit të vet. Të krijojë harmoni, ekuilibër, të mos fyejë, të sillet me thjeshtësi dhe me modesti, të dëshmojë urtësi dhe durim edhe ne raste keqkuptimesh, të zgjidhë konfliktet, madje edhe ato konfliktet e vogla, siç ndodh me një kryefamiljar të suksesshëm. Kreu i një familjeje e bashkon familjen në raste fatkeqësish, u jep anëtarëve të saj kurajo, energji pozitive, i motivon në çdo kohe, jo vetëm në fatkeqësi, por edhe në kohë normaliteti. E njëjta sjellje duhet ta karakterizojë edhe kryeadministratorin e një vendi, të një shteti e të një kombi. Kjo lloj sjellje rrit energjitë pozitive të të gjithë qytetarëve, shton optimizmin për të ardhmen, forcon dhe krijon bindje e shpresë për sukses dhe për një jetë më të mirë, të begatë dhe të dinjitetshme. Që kur është krijuar njerëzimi në familje njerëzit nuk kanë patur aftësi të njëjta. Dikush më i aftë, dikush më pak i aftë, dikush është më i zgjuar, dikush tjetër ndoshta edhe budalla, dikush me një përgatitje fizike të lartë, dikush me aftësi fizike të kufizuara.

Kryetari i familjes ka për detyrë që sipas aftësive të bëjë ndarjen e punëve dhe nuk mendon që të paaftët mendërisht ose fizikisht t'i persekutojë për shkak të paaftësisë së tyre. Madje kujdeset me humanizëm për këta anëtarë të familjes. Kreu i një qeverie të një vendi ka të njëjtën detyrë. Të ndajë mirë punët për administrimin e familjes së madhe që quhet komb. Të mos i shohë disa punë si privilegj për njerëzit e tij të afërt, pavarësisht se ata janë të paaftë të drejtojnë dhe realizojnë produkt pozitiv. T'i trajtojë me humanizëm qytetarët e vet e jo t'u tregojë vetëm derën e burgut. Kryesorja: Kryetari i një familjeje nuk e vjedh familjen. Nëse ai fillon dhe e vjedh atë, është e sigurt se e shkatërron, e rrënon dhe mbjell lufte brenda familjes. Kështu ndodh edhe me shtetin. A duhet të presë pasoja katastrofale një kryeadministrator ose administrator i shtetit kur ai vjedh, grumbullon fshehtas para nga droga e nga krimi në dhunimin e të drejtës së anëtarëve të familjes së madhe?! Çfarë pritet nga një familje e tillë e quajtur komb-shtet?! Katastrofa pritet. Imagjinoni çfarë ndodh në një rast të tillë me një familje! Ajo në përmasa shumë herë më tragjike do të ndodhë në një shoqëri të madhe, në një familje të madhe. Ky është ligj i zhvillimit, nuk është ndonjë shpikje e imja. Kreu i një familjeje i ndëshkon anëtarët e familjes kur ata bëjnë gabime, sidomos kur bëjnë gabime e faje të përsëritura. Por i ndëshkon me drejtësi, me aq drejtësi sa të gjithë anëtarët e familjes janë të vetëdijshëm për ndëshkimin që është dhënë.

Por kjo ndodh kur kryetari i familjes nuk bashkëpunon me atë anëtar të familjes që gabon ose bën faj, ose bën krim. Nëse ai bashkëpunon në faj e në krim, atëherë ai nuk mund të ndëshkojë e për pasojë do të krijohet përçarja në familje. Përçarja çon në konflikt, konflikti mund të përfundojë edhe në dhunë. Përfundimisht dhuna shkatërron çdo gjë. Familja pushon se ekzistuari. Asaj familjeje do t'i duhet të ndahet dhe të rifillojë jetën nga e para. Po kur kryeadministratori i shtetit bën të njejtën gjë, sa të rënda do të jenë pasojat? Një kryeadministrator ose administrator i shtetit që bashkëpunon me krimin, krijon jo vetëm padrejtësi. Ai diskriminon, dhunon, sillet në mënyrë arrogante me të pafuqishmit. Fuqia që ia jep krimi dhe krimineli i duket si nje fuqi e mbinatyrshme dhe si i tille mendon e beson se "mizat", qytetaret, anetaret e familjes se madhe komb, mund t'i shkelë me këmbë! I fyen ata, i mashtron, pastaj i fyen prapë, kur nuk binden i dhunon, i izolon, i injoron, i shpërfill, madje i poshtëron. Dhe familja e madhe kombi-shtet shkatërron veten e tij. Në këto raste humbasin aleatët. Familja e vogël, me emrin e saktë familje, nuk do të ruaje marrëdhënie të mira me fqinjin, me fshatin, me lagjen, me qytetin, me njerëzit me të cilit është në një marrëdhënie pune ose bashkëpunimi.

Familja e madhe, shteti, nuk do të mund të ketë marrëdhënie të qëndrueshme me partnerët e saj të huaj, me shtetet e tjera, me miqtë, me komshinjtë, me bashkësinë ndërkombëtare. Kur shkatërrohet një familje e vogël nuk ka më integritet tek të tjerët. Kur shkatërrohet një shtet nuk ka më besueshmëri e integritet te partneret e tij ndërkombëtarë. Në të dy rastet ndodh jo vetëm përbuzja dhe përçmimi, por vjen edhe izolimi. Kjo është domëthënia e idesë të Smith për konceptin e njëjtë të shtetit dhe të familjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat