Gjithë pushteti sovjetëve

Opinione

Gjithë pushteti sovjetëve

Nga: Arben Llalla Më: 12 prill 2017 Në ora: 12:01
Arben Llalla

Me këtë parrullë erdhën në pushtet komunistët pas Revolucionit të Tetorit në Rusi. Kjo qasje ndaj pushtetit u zhvillua më vonë në të gjitha diktaturat kuqe të Lindjes, ndërsa u kthye në karakteristikë e regjimeve autoritare pas rënies së Murit të Berlinit.

Në Shqipëri në këtë çerek shekulli qeveritë kanë rënë, kur kanë menduar se kanë qenë në kulmin e fuqisë së përqendrimit të pushtetit në duart e tyre. Kjo bëri vaki me Sali Berishën pas zgjedhjeve të majit të vitit 1996, me Fatos Nanon në vitin 2005 dhe me po ndodh sërish me Edi Ramën.

Ngjarja e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë rrëfeu ditës për diell se Edi Rama dhe partia që ai udhëheq nuk dëshiron, jo vetëm të ndajë pushtet me askënd, por kërkon të kontrollojë në mënyrë absolute ushtrimin e pushtetit. Pjesëmarrja në Komisionin Ad hoctë vetting-ut të shumicës u vendos në një marrëveshje paraprake, ku secila parti parlamentare të kishte nga një anëtar. Kjo është arsyeja pse PDIU dorëzoi sipas të gjitha rregullave dhe ftesës së kryetarit të Kuvendit kandidaturën e Shpëtim Idrizit, LSI atë të Luan Ramës, kurse PS duhet të dorëzonte veç një emër. Arroganca e pushtetit kësaj here u shpalos në formë ndëshkimi. Përpjekjet e PDIU-së për të zgjidhur krizën politike kanë nervozuar së tepërmi kryetarin e qeverisë, i cili vendos përjashtimin e Shpëtim Idrizit duke depozituar pabesisht dy emra. Edi Rama në këtë rast ka futur me ndërgjegje në krizë shumicën që vetë udhëheq, ndërsa po synon që të emërojë opozitën për zgjedhjet e 18 qershorit.

Image

Ai dhe shumë zëdhënës të tij kanë më shumë se një muaj që kërkojnë nga PDIU të luajë opozitën në farsën që po gatuan, ku përjashton Partinë Demokratike. Me këtë teatër ai dëshiron të shkojë në zgjedhje, nga të cilat kërkon të marrë pushtetin me një shumicë dërrmuese të votave, ndërsa për opozitë synon të emërojë partnerë të koalicionit të sotëm. Emërimi në opozitë i Ben Blushit, Gjergj Bojaxhiut e së fundmi i Bamir Topit nuk është i mjaftueshëm për ta bërë farsën të besueshme, ndaj gjithë lëvizjet e fundit të Edi Ramës të çojnë në këtë sjellje çmendurake ndaj PDIU-së. Një fantazi dhe projekt të këtillë politik me siguri do ia kishte për zili edhe Manduro i Venezuelës.

PDIU është përfshirë në kolicionin qeverisës me ftesë të dy drejtuesëve të saj Edi Rama dhe Ilir Meta. Ajo mori pjesë në aleancë për reformën administrative dhe më pas për reformën në drejtësi. Është e vetmja forcë politike që nuk e kushtëzoi votën e saj për këtë reformë për asnjë përfitim politik apo kushte. Votë e pastër pro reformës. Duket kjo sjellje e ndershme nuk shihet me sy të mirë në ambjentin e molepsur të politikës shqiptare. PDIU ka një marrëveshje politike, të cilën e respekton, edhe pse ajo është zbatuar vetëm 1 për qind. Është pikërisht kjo marrëveshje që nuk mund ta çojë një forcë politike sa në një krah në tjetrin, veç në rastin kur partitë janë fuga të shefit të shumicës. Por, një forcë politike që respekton sovranitetin e saj në skenën politike qëndron në qeveri apo opozitë, kur e vendosin forumet e saj, jo kur dëshiron humori makiavelist i kreut të qeverisë, qoftë ky Edi Rama.

Dje, u vendos një marrëdhënie e re brenda shumicës në pushtet; hakmarrja. Dje, u ndëshkua ai që nuk dëshiron të rreshtohet, por që është në këtë skenë për të prodhuar politikë, zgjidhje, paqe sociale. Po kështu dje, u mësua që Partia Socialiste kërkon të kontrollojë dhe manipulojë reformën në drejtësi duke shtuar artificialisht anëtarët në Komisionin Ad hoc të vetting-ut, i cili kalon në sitë kandidaturat për drejtuesit e ardhshëm të sistemit të ri të drejtësisë, prandaj Lenini lëshoi dikur parrullën: “Gjithë pushteti sovjetëve!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat