Bashkëqeverisja me kriminelët është pranim i bashkëfajësisë

Opinione

Bashkëqeverisja me kriminelët është pranim i bashkëfajësisë

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 12 prill 2017 Në ora: 13:42
Abdulla Mehmeti

Subjektet politike që i ndryshojnë qëndrimet brenda ditës, nuk janë subjekte të denja për pushtet, por klane mafioze dhe banda kriminale, të cilat në vend se t’u besohet pushteti duhet ta marrin dënimin e merituar nga organet përkatëse, qytetarët e vendit (elektorati) dhe faktori ndërkombëtar.

Nga data 7 janar 2017, kur u nënshkrua Deklarata e partive parlamentare shqiptare, deri më 29 janar 2017, sa zgjatën bisedimet për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, udhëheqësit e partisë VMRO-DPMNE asnjë fjalë nuk e thanë kundër kësaj Deklarate, as kundër gjuhës shqipe dhe shqiptarëve të ,,mallkuar”, që dashkan popullit ,,biblik” maqedonas me porosi të Tiranës t’ia rrëmbejnë lirinë dhe shtetin!

Nga dita e dështimit të këtyre bisedimeve dhe fillimi i bisedimeve për formimin e qeverisë së re me partitë opozitare, të udhëhequra nga LSDM, qëndrimi i udhëheqësve të VMRO-DPMNE ndryshoi plotësisht; jo pse ndryshuan rrethanat politike në vend, as pse u ndryshuan shqiptarët dhe qëndrimet e tyre politike në raport me shtetin e Maqedonisë, por për ta shpëtuar vetveten nga llogaridhënia para organeve gjyqësore, sidomos Prokurorisë Speciale Publike, për krimet e derisotme.

Nëse këtë ndryshim radikal të qëndrimeve të këtij subjekti politik nuk e kanë vërejtur qytetarët e këtij shteti dhe vazhdojnë edhe më tej t’u japin përkrahje udhëheqësve të tij, politikanëve mashtrues dhe kriminelë, së paku subjektet politike shqiptare nuk kanë asnjë arsye ta vazhdojnë bashkëpunimin me këtë subjekt, ndërsa udhëheqësit e tyre janë të detyruara ta rishqyrtojnë seriozisht bashkëpunimin e derisotëm, sidomos atë të ardhshëm. 

Pas gjithë kësaj loje të madhe politike është një fat i mirë për shqiptarët në Maqedoni, që përfundimisht e kanë kuptuar se subjektet politike të tyre kanë humbur shumë kohë (2002-2017) me një partner në pushtet siç është VMRO-DPMNE, e cila kurrë nuk ua ka dashur të mirën shqiptarëve, qytetarëve të tjerë të këtij vendi dhe Maqedonisë.

Qëndrimi i mëtejmë në Qeveri i shqiptarëve me këtë parti, qoftë edhe një ditë, pas gjithë këtij shfrenimi antishqiptar dhe kërcënimi të hapur me luftë kundër tyre deri në shfarosje, jo vetëm që i bën ata bashkëfajtorë, por ua vendos përgjithmonë vulën e krimit dhe tradhtisë ndaj popullit shqiptar, qytetarëve të tjerë liridashës të këtij vendi dhe Maqedonisë.

Assesi nuk mund të arsyetohet qëndrimi i mëtejmë në Qeveri me kriminelët me dosje të trasha; për shkak të kinse mbajtjes nën kontroll të situatës kaotike në vend, e aq më pak me arsyetim se këtë e bëjnë për shkak të sugjerimeve nga faktorit ndërkombëtar. Arsyetimi i fundit është një mashtrim ordiner i faktorit politik shqiptar, i konsumuar nga viti 1990 e deri më sot, thjeshtë për mbulimin e dështimeve të tyre. Tanimë, botërisht dihet se institucionet ndërkombëtare i bëjnë publike qëndrimet e veta, sa herë ka nevojë për këtë!

Rënia sa më parë e Qeverisë aktuale në Maqedoni do të hap rrugë për ndryshime të domosdoshme në interes të qytetarëve dhe rikthimin e demokracisë në vend, të dhunuar gjatë kohë nga politika e nëntokës kriminele dhe institucionet e shtetit-parti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat