14 Prilli 1964 agoi me flamuj kombëtarë në Kosovë, ndonëse rreptësisht të ndaluar

Opinione

14 Prilli 1964 agoi me flamuj kombëtarë në Kosovë, ndonëse rreptësisht të ndaluar

Nga: Ahmet Pllana Më: 13 prill 2017 Në ora: 15:50
Flamuri kombetar

Kadri Preniqi, atdhetar dhe veprimtar i LRBSH-së, nga fshati Hade i Komunës së Kastriotit (Obiliqit) dhe Ahmet Zullufi, gjithashtu atdhetar dhe veprimtar i LRBSH-së nga fshati Lupç i Ulët i Komunës së Besianës (Podujevës), në natën në mes të 13 e 14 prillit të vitit 1964, në vagonin e fundit të trenit, i cili qarkullonte në relacionin Fushë Kosovë-Beograd, i vunë dy flamuj kombëtarë. Të nesërmen kur ka arritur treni në Beograd, u trondit Beogradi.  

Ndonëse nga regjimi serbo-jugosllav titist-rankoviqian ishte rreptësisht e ndaluar vënia publike e flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë, dita e 14 prillite vitit 1964 agoi me flamujt kombëtarë të vënë nëpër shtyllat elektrike dhe objekte në të gjitha qendrat e Kosovës, të cilët i kishin vënë veprimtarët e LRBSH-së prej orës 22.00 deri në orën 24 në natën në mes 13 e 14 prillit. Njëri ndër ata që i ka vënë flamujt kombëtarë ka qenë edhe Kadri Preniqi, nga fshati Hade i Komunës së Kastriotit.

Kadri Preniqi, veprimtar i LRBSH-së ka lindur më 14 dhjetor të vitit 1930 në Hade të Kastriotit, kurse ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare, më 23 janar 2013. Ai kishte 10 fëmijë, prej tyre 7 vajza e 3 djem, por kur vdiq i la pas 8, meqë dy i kishin vdekur sa ishte gjallë. Kadri Preniqi rrjedh prej një familje atdhetare. Babai i tij Asllani ka qenë një veprimtar kombëtar, kurse gjyshi i tij Hyseni ka qenë gjithashtu atdhetar dhe bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës. Kadriu ka qenë i burgosur politik. Për veprimtari kombëtare ka qenë i dënuar me 10 vite burgosje, por i ka mbajtur 2 vite e gjysëm. Gjatë luftës së fundit 1998/1999që u zhvillua në Kosovë, i biri i Kadriut, Enveri, ka rënë dëshmor. Ai është vrarë nga forcat ushtarake-policore serbe në Mazgit, duke i sjellur UÇK-së material luftarak dhe pajisje të ndryshme logjistike.

Pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, pas çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999, Kadri Preniqi ka thënë se ndjehet shumë i lumtur që e përjetoi lirinë e Kosovës.

“Jam shumë i gëzueshëm dhe i lumtur që e prita këtë ditë, që e prita lirinë e Kosovës! Sa shumë vuajtje, sa shumë lot e gjak është derdhur për këtë liri! Jo vetëm gjatë dy viteve të luftës 1998 e 1999, por qe 100 vjet kemi sakrifikuar për këtë liri! Shumë shqiptarë kanë vuajtur me vite e vite nëpër burgjet jugosllave, kurse shumë edhe i kanë vrarë! Për ardhjen e lirisë së Kosovës janë bërë shumë sakrifica dhe vuajtje nga populli shqiptar i Kosovës. Pres që Kosova të rrugëtojë si shtet më vete, që më vonë të ribëhet ribashkimi kombëtar”, ka thënë Preniqi.

Image
Kadri Preniqi

Ai e ka përmendur ngjarjen historike të vitit 1964, kur u ngritën flamujt kombëtarë shqiptarënë të gjitha qendrat e Kosovës. “Në natën në mes 13 e 14 prillit të vitit 1964 jemi organizuar dhe ashtu siç e kemi planifikuar, i kemi vendosur flamujt kombëtarë nëpër shtylla elektrike e diku edhe në objekte në të gjitha qendrat e Kosovës. Dita e 14 prillit 1964 agoi me flamujt kombëtarë në gjithë Kosovën, ndonëse në atë kohë ishte rreptësisht i ndaluar flamuri kombëtar shqiptar nga regjimi i ish shtetit jugosllav. Me vënien e flamujve në të gjitha qendrat e Kosovës dhe në trenin që qarkullonte në relacionin Fushë Kosovë-Beograd, u hodhën themelet e shtetit të Kosovës”, ka thënë Preniqi.

Veprimtaria, angazhimi dhe guximi atdhetar i Kadri Preniqit për mbrojtjene të drejtave të popullit shqiptar që jetonte në Kosovë i okupuar, i shkelur, i nëpërkëmbur, i persekutuar dhe i terrorizuar, ishte e pandalshme.

Kadriu ishte edukuar në frymën atdhetare, meqë rridhte nga një familjeatdhetare, si nga babai, gjyshi, axha i tij, etj. Babai i Kadriut, Asllani dhe gjyshi i tij Hyseni ishin gjithashtu atdhetarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, kurse rrugën e tyre e ka vazhduar edhe Kadriu.

 “Babai im Asllani ka qenë i zoti i shtëpisë me 95 anëtarënë vitin 1945, kur Serbia agresore e okupoi Kosovën, duke e mashtruar bashkësinë ndërkombëtare dhe fuqitë e mëdha të kohës me gënjeshtra”, ka thënë Preniqi.

Kadri Preniqi, ka thënë se shumë i ri ishte njohur me aktivitetet që zhvillonte organizata kombëtare ilegale Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), nëpërmjet Prof. Hazir Shalës.Ai në LRBSH u njoht edhe me Ahmet Haxhiun, që njihej si Ahmet Zullufi.

“Kemi mbajtur mbledhje disa herë në shtëpinë e Ahmet Zullufit.Në mbledhjen e mbajtur më 5 prill vendosëm që unë dhe Ahmet Zullufi t’i qesim flamujt në Kastriot.Aty u ndanë flamujt kombëtarë për t’i shpërndarë nëpër të gjitha qendrat e Kosovës. Edhe Selman Berisha, mësues nga Prugofci, është inkuadruar në grupin për shpërndarjen e flamujve kombëtarë. Ishim marrë vesh që flamujt të ngjiteshin sa më lartë në shtylla elektrike, 3 e 4 metra lart,që mos të mund t’i heq askush!”, ka thënë Preniqi.

“Flamujt i vendosa në Kastriot në disa shtylla elektrike të drurit, nga 3 e 4 metra lart. Pastaj dy flamuj i vendosa në Separacion të KEK-ut, aty ku shkruante emri Tito.

Pastaj, kalova lumin Sitnicë dhe shkova në fshatin Palaj, ku edhe aty i vendosa dy flamuj, kurse kur erdha prapë në Kastriot, më ngelën edhe dy flamuj, të cilët i njërin flamur e vendosa unë, kurse tjetrin Ahmet Zullufi, në vagonin e fundit të trenit që qarkullonte në relacionin Fushë Kosovë-Beograd. I lidhëm mirë me tel. Këta dy flamuj kanë arritur të nesërmen në Beograd, nga të cilët është tronditur Beogradi.

 Pas një kohe milicia serbe e rrethuan shtëpinë time dhe më arrestuan. Në stacion të milicisë hetuesia më torturoi rëndë. M’i sollën dy veta dhe më thanë se a i njihja. Unë u thash se nuk i njihja dhe asnjëherë nuk pranova se i njihja. Filluan përsëri torturat mizore dhe më thanë se po ta sjellim njeriun, i cili ka për të thënë ndër sy se ti i ke vendosur flamujt nëpër shtylla. E sollën Ahmet Zullufin dhe më pas pranuam se i kishim ngritur flamujt”, ka thënë Preniqi.

LRBSH-ja ishte ajo qëna bashkoi dhe na dha forcë e vullnet për të punuar në drejtim të çështjes së pazgjidhur kombëtare, meqë Kosova ishte e okupuar. LRBSH-ja e ka pas programin e saj, sipas të cilit ne do të çliroheshim dhe do të pavarësoheshim. Kemi zhvilluar veprimtari kombëtare në shumë drejtime, madje edhe në zhdukjen e analfabetizmit, që në atë kohë ishte mbi 90 për qind e popullatës analfabetë, që nuk dinin shkrim e lexim.

 “LRBSH-ja ka zhvilluar shumë aktivitetet kombëtare, sidomos në vitin 1956 kundër dhunës barbare të Aleksandër Rankoviqit me emrin e njohur në popull si “aksioni i pushkëve”!LRBSH-ja ishte edhe kundër mbylljes së shkollave shqipe në Kosovë dhe kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi më 1956, 1957, 1958, etj. Kemi vazhduar aktivitetet kombëtare me Adem Demaqin, Hazir Shalën, etj.”, ka thënë Kadri Preniqi.

LRBSH-ja dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare e Kosovës kanë vazhduar me organizimin e demonstratave në vitet 1968, 1981 dhe 1989.Po në këtë kohë, Kadri Preniqi ka ngritur edhe 17 flamujë kombëtarë shqiptarë.

Për shkak të aktiviteteve tona, shumë veprimtarë kombëtarë kanë rënë në burgje, kanë vuajtur me vite e vite, madje disa kanë vdekur në burgje.Sipas një hulumtimi shkencor, shqiptarët e Kosovës për gjysëm shekulli kanë mbajtur 300 shekuj burgje.Pastaj, jemi angazhuar për një gjuhëshqipe unike letrare e jo gjuhë shqipe me krahinarizma. Kemi organizuar shumë demonstrata, kurse më të njohurat janë ato të vitit 1968 dhe 1981.

Kemi bërë shumë manfestime, organizime, tubime, veprimtari, etj., për të afirmuar dhe zgjidhur idetë kombëtare. Ndër to ka qenë edhe organizimi i Konferencës Shkencore “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, mbajtur në Prizren në vitin 2000, për të shënuar 60 Vjetorin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, ka theksuar Preniqi.

Kadri Preniqi ka qenë bashkëveprimtar i atdhetarëve të njohur, i veprimtarëve të NDSH-së dhe LRBSH-së, sikurse i Ilaz Agushit, Hazir Shalës, Latif Berishës, Nexhat Ibrahimit, Beqir Krasniqit, Mustafë Venharit, Rushit Osmanit, Mehmet Surdullit, Ditar Qamilit, Avni Lamës, Kadri Kusarit, Ahmet Janovës, Beqir Fazliut, Sabit Ratkocerit, Zeqir Gërvallës, Sabri Novosellës e shumë atdhetarëve të tjerë.

Ai ka thënë se ashtu si sillemi ne, ashtu do t’i kemi punët!  “Puna jonë në angazhimin kombëtar e përcakton fatin tonë të mëtejmë. Duhet të jemi unikë në çështjet madhore kombëtare. Kombin shqiptar në Kongresin e Berlinit dhe të Londrës më 1878 fuqitë e mëdha të kohës e kanë sakatosur keq, e kanë ndarë në gjashtë shtete, ndonëse  jeton në një hapësirë gjeografike. Ribashkimi kombëtar është e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e paqes në Ballkan, Evropë e më gjerë”, ka thënë Kadri Preniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat