Ekspertët e Pitpidakut

Opinione

Ekspertët e Pitpidakut

Nga: Fadil Lepaja Më: 18 prill 2017 Në ora: 17:59
Fadil Lepaja

Me e gjuajt shtagën për një kokë më larg, më! Kaq e ka loja e pitpidakut, të cilën unë megjithatë e vendosa të e përdorë si një fjalë, edhe pse televizioni publik, kishte rrezikuar, duke e përdorur si të ndarë. Pra e ndarë apo e gjitha bashkë, loja duket se është vënë e tëra në shërbim të politikës. Mund të jem gabim, gjithsesi, se unë nuk merrem me politikë që të jem i pagabueshëm! Arsyeja përse vendosa që  emrin e lojës të e përdorë si një fjalë të vetme, është rreziku që paraqitet nëse e njëjta ndahet në dy fjalë, pra në “pit” dhe “pidaku”. Pra, ka rrezik se google të mos e njoh, dhe menjëherë do na nxjerrë të (pa)larat e Brad Pitt  , apo Angjelinës në miliona versione. Çifti i famshëm janë ndarë tashmë ka kohë, ndërkohë që koalicioni në Kosovë, duket ende stabil, edhe pse opozita po e kërcënon që nga fillimi i mandatit me demarkacionin dhe  “Zajednicën”. Po mbijeton!

Por të kthehemi, te tradita jonë e lavdishme dhe lojërat e dikurshme me të cilat mileti kënaqej, të cilat tash mund të përdoren veç si metaforë, për të shpjeguar  taktikat e politikës tonë. Për shembull, ka kohë që dihet se kampion në këtë lojë është kryetari , apo presidenti si duam ta quajmë ne. Ai është mjeshtër i pitpidakut, pra për me e hedhë shtagën më larg se të tjerët. Ai, gjithnjë po e hedhë shkopin për një maje ma larg,  dhe aq i duhet.  E ftuan, apo nuk e ftuan në lojë, ai shtagën gati e mban. E hedh edhe kur askush nuk luan, pastaj të tjerët ankohen.

Sidoqoftë nuk është vetëm largësia, e rëndësishme. Janë edhe disa finesa të kësaj loje, edhe pse kjo është një lojë e thjeshtë, pa rregulla dhe pa arbitër. Ka veç fitues dhe humbës. Më thjesht, nuk ka. Me rëndësi është loja, se ky popull është i etur për lojëra. E dini se as lojërat olimpike nuk ishin greke, por që kur na i morën ato, ne na mbeti pitpidaku dhe loja e kapuçave. Ani...!

Pra, media publike, na kënaqi, me një fjalë. Sponsorët, e pasuruar nga politika, tash e promovojnë atë. Televizioni  publike nxjerr aktorët e serialeve  tona, për të qarë dru, edhe për të luajtur pitpidak. Kjo gjithsesi është në shërbim të politikës tonë sepse  populli, do të thonë: ja , nuk çanë dërrasa veç politika, nuk luan pitpidak veç presidenti. Të gjithë luajnë pitpidak. Të gjithë çajnë dru e dërrasa. Ka edhe ekspert të pitpidakut. Do organizohet edhe liga kombëtare e pitpidakut. Po ndërton identitet media publike. 

Publiku, disa prej tyre, po murmurijnë në vete, por shi nuk po bie, sepse shiu është i rezervuar për serialet e lira turke të cilat na e kujtojnë kohën kur ishim dikush në lagje.  Dikush, që do të jetë ende dikush në lagje, ende mendon se kjo mundet me ndodhë veç pranë “babës mbret”, por modernistët e kanë kuptuar se ai ka kohë që  nuk rri në Stamboll.

 Mbase ky është roli i medias publike. Me i modernizua  lojërat e dikurshme , me të cilat është zbavitur dikur politika e fshatit tonë. Politika e çobanëve.  Ajo ishte po aq e thjeshtë sa kjo e sotmja. Me i ruajt bagëtinë mos me i hangër ujku,  dhe mos me i me kullotë në tokë të huaj.  E kundërta nuk ishte punë e tyre, se ujku nuk mbahej larg me shkopinj. Arat tona i kulloste kushdo që kish fuqi. Forcat e Armatosura, nuk i kishim, as bukë, ndërkohë që “mexhat “ vendoseshin me guri në qafë. Poezia e preferuar ishte: “Veç armë dhe pak bukë”.

Ishin kohë të arta ato, padyshim, derisa  kemi emëruar edhe rrugë, universitete dhe institucione të tjera me emra nga ajo epokë e lavdishme. Gojëkëqijtë  thonë se ka universitete, dhe shkolla të mesme me emra personalitetesh të cilët edhe mund të kenë qenë analfabet. S’ka lidhje, se edhe alfabeti ishte “zbuluar” vonë, për fajin e shoqërisë civile të kohës të cilët grindeshin se nga kush do marrin shkronjat. Varësisht se nga i merrnin donacionet, edhe shoqëria e atëhershme, civile, atë lojë e luanin. Lobonin për alfabet grek, arab, latin...! Kështu, së paku  raportojnë mediat e atëhershme.

Dihet se mediat, nga politika jetojnë. Çfarë do bënin mediat sikur politika të merrej veç me politikë? E me çfarë të merret një klasë politike e cila  brenda dy apo tri mandateve, i ka njohur dy skajet e infinitit. Pafundësisë, me një fjalë! Se varfëria dhe pasuria ndër ne është e skajshme. Migjeni dikur përmendte skajet e litarit, dhe murgeshën brenda të njëjtit varg, gjithsesi pa asnjë ngjyrim  tjetër përpos social. Larg qoftë, askujt nuk i shkonte mendja që litari mund të ketë pasur kuptim rozë. Ishin serioze mediat asokohe. Shkohej me kilometra largë, për të blerë një gazetë. Pastaj, kishte edhe censurë. Por, ajo lexohej mes rreshtash.

Televizioni publik luan pitpidak, dhe shkyen dru me sopatë. Promovon lojërat vendore. Programerët tonë, shumë shpejt do të i digjitalizojnë edhe ato. Edhe pse sopatat, në lojë, dukeshin sikur të epokës digjitale, diqysh. Me dizajn modern. Edhe pjesëmarrësit e lojës, nuk shkëlqenin, edhe pse kishte nga ata që shfaqën talent.  Sidoqoftë, opzita ankohet. Ajo premton se  nëse e merr pushtetin do të dixhitalizojë lojëra edhe më interesante, si “demarkacioni”, “Zajednica” apo  “Bleje tënden”, për shembull.

Sidoqoftë nuk ka gjasa që aktorët të jenë më të mirë se politikanët, në institucione dhe në legjislativ. As në aktrim, as në pitpidak. Politikanët tonë  janë ekspert. Ekspert të pitpidakut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat