Ekskursionet shkollore

Opinione

Ekskursionet shkollore

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 21 prill 2017 Në ora: 21:03
Sylejman Salihu

Ekskursionet shkollore janë një  formë jashtëmësimore e njohjes së një vendi me të gjitha vlerat e saj kulturore, historike, gjeografike,  etnografike . Të gjitha shtetet u ofrojnë nxënësve të tilla organizime  dhe ekskursione  me karakter mësimor dhe nuk ka si të jenë  përjashtim Shqipëria e Kosova, vende këto, që mësohen si dy shtete të dala nga një atdhe dhe të cilat vazhdojnë të jenë ende  të ndara. Shqipëria që ka një moshë më të madhe me mbi 105 vjet shtet dhe Kosova me një moshë shtetësie me vetëm 9 vjeçe, sikur nuk po bëjnë njejtë sa duhet për fëmijët dhe nxënësit shqiptarë, qoftë brenda këtyre dy shteteve, qoftë edhe për vetë diasporën e këtyre dy vendeve.

Prej çlirimit të Kosovës më 1999, nxënësit shqiptarë të Kosovës vizitojnë Shqipërinë dhe dashuria e tyre është shumë e madhe për të. Ata shkojnë me këngë në gojë dhe fluturojnë nga gëzimi dhe përveç që shohin gjeografinë shqiptare me detin, malet, lumenjtë, liqenet, qytetet, kanionet, shohin edhe monumentet historike, kulturore, etnografike, teatrore, letrare, për të cilat kanë mësuar në shkollat e tyre . Kjo ëndërr e bukur e brezave të mëparshëm, që nuk e patën këtë mundësi asnjëherë, u bë një realitet i bukur dhe i ëmbël për brezat e sotëm. Kështu vizitohen Korça, Berati, Gjirokastra, Durrësi, Lezha, Vlora, Tirana, Kruja, Shkodra me vlerat e tyre historike, gjeografike, kulturore, etnografike, leksikografike, arkitekturore, fetare.

Vizitohen muzeume, kështjella, kala, kulla, ura,amfiteatro, institucione, nga të cilat nxënësit mbushin shumë boshllëqe dhe përplotësojnë imagjinatën e tyre apo konkretizojnë ide a përfytyrime abstrakte të cilat mund t‘ i kenë pasur përpara. Ata ndjehen më të pasur emocionalisht e shpirtërisht, më krenarë e më dinjitozë, më të lumtur e më të gëzuar.  Kështu bëjnë shkollat e Kosovës me nxënësit e tyre, teksa renditen me kolona të gjata autobusësh në drejtim të Shqipërisë. Po a e bëjnë këtë shkollat dhe nxënësit shqiptarë të Shqipërisë në drejtim të Kosovës? Jo, madje asnjëherë. Këtu prandaj, krijohet një hutim i madh: përse Kosova duhet ta njohë, ta dojë, ta vizitojë Shqipërinë dhe përse Shqipëria nuk u dashka ta njohë, ta dojë, e ta vizitojë Kosovën, pra të bëjë të njejtën gjë që bën Kosova me Shqipërinë?

A nuk jemi deklaruar publikisht për njëjtësimin e një abetareje kombëtare? A nuk jemi deklaruar publikisht për plaprograme të përbashkëta kombëtare? A nuk jemi deklaruar dhe a nuk i kemi mbajtur edhe një Kongres Drejtshkrimor Kombëtar për një gjuhë të përbashkët standarde më 1972? A nuk jemi deklaruar botërisht dhe kombëtarisht për një gjuhë e  për një komb, sado ka zëra që krrokasin dhe mendojnë e punojnë ndryshe? Përse atëherë Republika e Shqipërisë nuk bën ekskursione mësimore e kulturore me nxënësit e vet në Kosovë, që fëmijët e tyre të mos e njohin Kosovën vetëm nga televizori apo nga orët e mësimit në shkollë? A nuk kemi ne kurrgjë kombëtare që atyre t‘ u ofrojmë? A nuk ia vlen, që nxënësit e Shqipërisë të vizitojnë Prizrenin, kryeqytetin e tubimit më të madh kombëtar të vitit 1878? 

A nuk u dashka që nxënësit e Shqipërisë të vizitojnë Burimin e Lumit Drin, lumit më të madh të gjeografisë shqiptare? A nuk u dashka që nxënësit e Shqipërisë të vizitojnë Prekazin legjendar, sikundër ne vizitojmë me shumë dashuri dhe krenari  Krujën legjendare? A nuk u dashka që nxënësit e Shqipërisë të vizitojnë Shpellën e Gadimes, një nga vlerat më të bukura dhe më të rralla speleologjike në Evropë? A nuk bëka që nxënësit shqiptarë nga Shqipëria për pushimet dimërore të vizitojnë dhe të kënaqen duke rrëshqitur shpatijeve të Sharrit dhe të Brezovicës piktoreske? A nuk janë vendet  e përmendura dhe shumë të tjera të papërmendura vlera kombëtare e atraktive edhe për shqiptarët e Shqipërisë? Jemi një popull, por jemi të pabarabartë në trajtimin për fat të keq se si po i bëjmë njëri-tjetrit.

Ekskursionet e diasporës

Këto ditë qëndroi në Shqipëri e në Kosovë një grup nxënësish e mësuesish të vyer e të zellshëm shqiptarë nga Greqia, të cilët mbajnë mësimin shqip në Greqi. Vërtetë kjo është një ngjarje e madhe për të gjithë ata fëmijë e mësues. Sepse, Ministria e Diasporës së Kosovës tash dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dikur, kanë organizuar ekskursione shkollore me nxënësit e diasporës, të cilat ekskursione tashmë kanë krijuar një traditë të mirë pune, sado ka pasur edhe ndonjë thashethem. Grupe nxënësish bashkë me prindër dhe mësimdhënës vijnë në Kosovë dhe vizitojnë atdheun e tyre me të gjitha bukuritë historike, kulturore e natyrore. Ata shoqërohen nga njerëz të kësaj ministrie dhe bëjnë vizita disaditore nëpër Kosovë. Vizitojnë shkolla, institucione, muze, monumente historike, monumente kulturore,lumenj, shpella, sheshe, varreza dëshmorëseh, zona arkeologjike e të tjera. Nxënësit shoqërohen me moshatarët e tyre nëpër shkolla dhe shfaqin edhe programe artistike të përbashkëta. Krijohen njohje dhe miqësi të reja, organizohen bujtje nga nxënësit nikoqirë, këmbehen përvoja mësimore e shkollore, këmbehen edhe adresa për komunikim në rrjetet sociale.

Të tilla ekskursione janë bërë në Kosovë me nxënës nga Suedia, Gjermania, Zvicra, Greqia dhe nga vende të tjera të Evropës. Për këto ekskursione gjithnjë sponzorizuese ishte Kosova. Përse? Ajo sikur e kishte marrë primatin apo ekskluzivitetin për këtë. Por a është aq e kamur Kosova sa vetëm ajo të bëjë të tilla organizime dhe të jetë kaq bujare e mikpritëse, për të pritur e për të përcjellë grupe e shkolla nxënësish e mësimdhënësish nga diaspora?

A thua Ministria e Diasporës ,themelimi i së cilës është bërë për arsye dhe interesa e  koalicione politike, me 1 milion € buxhet paska mundësi aq të mëdha sa të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e nxënësve të të gjithë hartës etnike shqiptare, kurse shteti amë shqiptar të shikojë indiferentë  nga larg si një spektator gjakftohtë , pa u brengosur aspak për fatin e atyre fëmijëve? Ç’ka bërë Shqipëria në të mirë të këtyre vizitave dhe ekskursioneve?

Përveçse ishte mikpritëse e nja 5 seminareve të mësuesve shqiptarë të diasporës, ajo në të vërtetë nuk ka bërë asgjë më shumë. Madje, Kosova e varfër, e brishtë  dhe me shumë plagë e halle, ende pa një pavarësi  të mirëfilltë, këtyre fëmijëve shqiptarë nga të gjitha trevat mbarëkombëtare, u ka ofruar tekste shkollore në shkollat ku ata mësojnë, u ka ofruar  mikpritje gjatë vizitave në Kosovë, konkurse diturie, pushime verore  kampiste, kurse Shqipëria Nënë ende nuk ka dhënë as edhe një metelik qoftë edhe për një bujtje me nikoqirllëk këtyre fëmijëve, të cilët sigurisht se janë edhe bijtë dhe bijat e saj.

Përse Ministria e Diasporës së Kosovës  atëherë merakoset aq shumë dhe me çdo kusht fton dhe u ofron mikpritje fëmijëve shqiptarë të mbarë diasporës shqiptare, ndërkohë që shteti shqiptar ua ka kthyer shpinën nipërve e mbesave të veta, që jetojnë jashtë atdheut por të cilët nipër e mbesa e duan aq shumë atë atdhe, që quhet Shqipëri apo Kosovë? Athua vërtet kësaj ministrie i djeg aq shumë zemra apo mos këtu ka ndonjë hile tjetër? Përse kjo ministri nuk i ndanë shpenzimet e mikpritjes së këtyre nxënësve edhe me Shqipërinë, por vazhdon me kryeneqësi ta rëndojë edhe më tutje buxhetin e saj?

Përse edhe Shqipëria nuk e merr përsipër hisen apo pjesën e barrës së vet që i takon? Përse pra edhe Shqipëria nuk ua hap derën e madhe dhe  bujarisht  t‘ i marrë ndonjëherë edhe ajo këta fëmijë, të cilët sigurisht se do të gëzoheshin shumë, se paskan edhe një dorë tjetër prej nëne? Pra të dy shtetet tona të vogla e të varfra, duhet të marrin përsipër bashkërisht sponzorizmin e këtyre aktiviteteve dhe këtyre ekskursioneve, në mënyrë që secila ta ndjejë barrën e përgjegjësisë dhe kështu t‘ i duan barabar këta fëmijë, se janë gjaku ynë dhe të cilët vërtet e duan atdheun e tyre edhe nëse ai atdhe quhet Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, apo diçka tjetër. Le ta gëzojnë ata këtë trajtim më me shumë dinjitet, me më shumë përmbajtje , sepse atëherë atyre do t‘ u shtohet edhe më shumë dashuria për vendin e baballarëve të tyre dhe do të bëhet kështu një ditë ai vend edhe vendi i tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat