Trashëgimia natyrore në Republikën e Kosovës dhe UNESCO

Opinione

Trashëgimia natyrore në Republikën e Kosovës dhe UNESCO

Dr. Behxhet Mustafa Nga Dr. Behxhet Mustafa Më 22 prill 2017 Në ora: 09:02
Selia e UNESCO-s

Kosova si shteti më i ri në Evropë ende nuk është anëtare e Organizatës botërore të Arsimit Shkencës dhe  Kulturës (UNESCO-s) edhe përkundër faktit që ka vlera të trashëgimisë kulturore dhe trashëgimisë natyrore të shkallës botërore. Në Kosovë nga vlerat e trashëgimisë kulturore të shkallës botërore disa janë të identifikuara dhe të futura nën mbrojtjen e UNESCO-s, ndërsa vlerave të trashëgimisë natyrore të shkallës botërore nuk ju ka kushtuar rëndësi deri tash për shpallje trashëgimi natyrore botërore dhe për futje nën mbrojtje nga UNESCO.  Nga vlerat e trashëgimisë natyrore në Kosovë dallohen gjeotrashëgimia, hidrotrashëgimia, fitotrashëgimia dhe faunotrashëgimia.

Sipas Konventës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore (Convention Concerning the Protection of the World Cultural and Natural Heritage), si objeke/zona  të trashëgimisë natyrore konsiderohen: a). veçoritë natyrore që përbëhen nga formacione fizike dhe biologjike ose grupe të formacioneve të tilla, të cilat janë me vlerë të jashtëzakonshme universale nga pikëpamja estetike ose shkencore; b). formacione  gjeologjike dhe fiziografike, zona të përcaktuara saktë të cilat janë vendbanime të specieve të rrezikuara të kafshëve dhe bimëve me vlera të jashtëzakonshme universale nga pikëpamja e shkencës ose konservimit; dhe c). zona natyrore ose zona natyrore saktë e përcaktuar të cilat karakterizohen me vlerë të jashtëzakonshme universale nga pikëpamja e shkencore, konservimit ose bukurisë natyrore.

Autorë të ndryshëm gjatë punës së tyre hulumtuese kanë identifikuar zona të ndryshme natyrore  në Kosovë të cilat janë potenciale të futën nën mbrojtje sipas programeve të ndryshme të UNESKO-s.

Nga të dhënat shkencore të deritashme në territorin e Kosovës janë evidentuar 41 ojekte gjeomorfologjike që tash mund të konsiderohen me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri te ky konstatim ka ardhur nga qasja krahasuese me objekte të ngjashme në vendet e ndryshme të Evropës dhe botës si dhe duke analizuar Listën GILGES (Global Indicative List of Geological Sites) të përpiluar sipas kritereve të UNESC-s për Listën botërore të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. UNESCO ka përcaktuar 10 kritere  Nga gjithsej  këto 41 objekte gjeomorfologjike të identifikuara në Kosovë, 26 objekte kanë rëndësi ndërkombëtare. Prej tyre 23 objekte dallohen me vlera të trashëgimisë natyrore të shkallës botërore që i takojnë relievit glacial dhe paraglacial dhe 3 objekte me vlera të shkallës rajonale (Ballkanike) që i takojnë relievit fluvial të cilat nga shteti ynë duhet propozuar të jenë pjesë e Listës ndërkombëtare të objekteve nga gjeotrashëgimia. Vlerat e relievit paraglacial dhe  glacial dallohen në Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe Koritnik. Në Malet e Sharrit kemi 8 objekte që i takojnë relievit glacial dhe 7 objekte që i takojnë relievit paraglacial. Në Bjeshkët e Nemuna kemi 7 objekte që i takojnë relievit glacial dhe 2 objekte që i takojnë relievit paraglacial. Në masivin malor Koritnik dallohet vetëm një objekt që i takon relievit glacial.

Në aspektin speleologjik Kosova dallohet me tetë shpella, por dy shpella janë të veçanta, njëra është Shpella e Mermertë në fshatin Gadime (Rrethi i Lypjanit) me korridor labirint rreth 1500 metra i gjatë e formuar në periudhën terciare dhe e vetmja shpellë e njohur në Evropë prej mermeri. Ndërsa tjetra është Shpella e Radavcit në afërsi të burimit të lumit Drini i Bardhë (Bjeshkët e Nemuna)  me gjatësi rreth  1420 metra (të gjitha kanaleve të shpellës). Në Kosovë kemi rastin e dytë të veçantë në botë pas atij në Brazil, që është Bifurkacioni i lumit Nerodime në afërsi të  Ferizajit. Ky lum në fshatin Nerodime ndahet në dy rrjedhje. Njëra shkon në drejtim të Detit Egje dhe tjetra në drejtim të Detit të Zi.

Në aspektin e hidrotrashëgimsë të shkallës botërore, Kosova dallohet dhe me prezencën e liqeneve glaciale të cilët gjenden në Malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna. Liqenet glaciale më të dalluara në Malet e Sharrit janë Liqeni i Jazhincës dhe Liqeni i Livadicës. Në Bjeshkët e Nemuna dallohen Liqenet glacial të  Gjeravicës. Këta  liqene gjenden në lartësinë mbidetare mbi  2000 metra.

Në Kosovë objektet e gjeotrashëgimisë me vlera të shkallës rajonale (Ballkanike) që i takojnë relievit fluvial janë: Gryka e Rugovës (Bjeshkët e Nemuna), Gryka e Lumëbardhit të Prizrenit (Malet e Sharrit) dhe Kanjoni i Mirushës.

Të dhënat e autorëve të ndryshëm që nga shekulli i XIX e deri më sot tregojnë se janë të evidentuara rreth 2500 specie bimore vaskulare prej të cilave rreth 200 specie janë endemike dhe endemorelikte të Ballkanit, ndërsa 8 lloje  apo nënlloje janë stenoendemike (endemike lokale), pra deri tash dihet se rriten vetëm në Kosovë dhe askund tjetër. Rëndësia kombëtare dhe ndërkombëtare e specieve endemike dhe endemorelikte në territorin e Kosovës është dhe më e madhe nga fakti se kanë formuar 8 asociacione (bashkësi bimore) endemike dhe endemorelikte. Në Kosovë dallohen dhe disa asociacione relikte të kohës terciare.

Kosova në suazë të Ballkanit përfshinë një sipërfaqe prej rreth 1.6%, mirëpo në aspektin floristik dhe fitosociologjik është jashtëzakonisht e pasur. Si rezultat i faktorit historik (meqë Ballkani nuk ka qenë shumë nën ndikimin e klimës glaciale), veçorive gjeomorfologjike, hidriogjike e veçmas atyre klimatike ( në Kosovë gërshetohen tri lloje klimash – kontinentale, mesdhetare e modifikuar dhe alpike) sot në Kosovë gjenden rreth 2500 specie dhe nënspecie bimore vaskulare apo  rreth 30% e florës së Ballkanit. Nga ky numër i specieve dhe nënspecieve bimore vaskulare që gjenden në Kosovë rreth 200 specie dhe nënspecie janë endemike të Ballkanit, ndërsa stenoendemike (endemik lokal) që deri tash gjenden vetëm në Kosovë e askund tjetër janë 8 specie dhe nënspecie.

Nga speciet bimore që gjenden në Kosovë rëndësi të veçantë kanë speciet stenoendemike me që janë në areale të kufizuara dhe me numër të individëve nga disa dhjeta. Këto lloje janë të shtrira në hapësirat që tash janë të shpallura zona të mbrojtura (parqe kombëtare, parqe natyre,  monumente natyre)  por megjithatë rreziku i dëmtimit të tyre nuk është i vogël.

Rëndësia kombëtare dhe ndërkombëtare e specieve endemike dhe endemorelikte në territorin e Kosovës është dhe më e madhe nga fakti se kanë formuar 8 asociacione (bashkësi bimore) endemike dhe endemorelikte.

Në aspektin faunistik Kosova është shumë e pasur, sidomos karakteristik janë grupi i gjitarëve, por si rast i veçantë është rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx ssp balcanicus) i cili  për shkak të tipareve të veçanta gjenetike klasifikohet si nënlloj më vete dhe është endemik i Ballkanit. Jeton në zonat e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit  të  Zi. Në Kosovë ka shtrirje në Malet e Sharrit, Koritnik, Pashtrik dhe Bjeshkët e Nemuna.

Qeveria jonë duhet që në mënyrë të argumentuar duke u bazuar në këto të dhëna të prezantuara në këtë shkrim për vlerat e trashëgimisë natyrore të rëndësisë ndërkombëtare dhe të dhënat që i posedojnë për vlerat e trashëgimisë kulturore të përgatis kërkesën për anëtarësim në UNESCO.

Objektet e trashëgimisë natyrore të Kosovës potenciale për Listën botërore të objekteve të trashëgimisë natyrore botërore për fat të mirë janë të gjitha nën mbrojtje ligjore gjë që mundëson realizimin real të kërkesave të caktuara të UNESCO-s. Trashëgimia natyrore e shkallës botërore dhe rajonale në Republikën e Kosovës është argument i fuqishëm për anëtarësim e saj në UNESCO. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është një domosdoshmëri për një garanci të mbrojtjes së duhur të vlerave të natyrës së Kosovës me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

(Autori është profesor i rregullt në Departamentin e Biologjisë pranë FSHMN-së, Universiteti i Prishtinës)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat