Alarmi i ministrit të jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj, një shërbim për kombin shqiptar

Opinione

Alarmi i ministrit të jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj, një shërbim për kombin shqiptar

Nga: Genc Drini Më: 22 prill 2017 Në ora: 09:48
Genc Drini

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në shkrimin e tij titulluar “Kosova e ndjen dorën e rëndë të Rusisë, përmes Serbisë”, të botuar në” The New York Times” me 13 prill 2017, ka denoncuar haptas shqetësimin e tij për ndikimin rus në Ballkan, përmes Serbisë nëpërmes planeve për të krijuar Tregun e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor”.

“Serbia po i kthehet zanatit të vjetër – kërkimit të hegjemonisë rajonale. Këtë po e bën duke e destabilizuar Ballkanin, duke zgjeruar ushtrinë dhe duke punuar drejt dominimit të tregut të përbashkët rajonal të cilin Kosova e konsideron të papranueshëm dhe e kundërshton fuqishëm, e tërë kjo me Rusinë e cila i qëndron pas shpine” .

Ministri i jashtëm i Kosovës pa mëdyshje shpreh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga kryeministri Mustafa, që më në fund lëshoj këtë rreze të fortë drite dhe shprese në mjegullën e errët të politikës së jashtme të dy shteteve shqiptare. Qartësisht sqaruese po dhe goditëse për planet e Shtetit Shqiptar që me zell të pa parë, pa u frenuar dhe në sintoni të plotë me Serbinë i është futur krijimit të një tregu të përbashkët të ashtuquajtur i “Ballkanit Perëndimor”. Po jo veç kaq. Presidenti i Serbisë Vuçiq, shumë i fryrë, po i sigurtë në vetvete dhe rrezatues për këtë arritje të pa imagjinueshme të Serbisë pas humbjes së luftërave të fundit në ish Jugosllavi, sqaron brutalisht se është fjala për të ngritur prap “ish Jugosllavinë por plus Shqipërinë”, dhe mburret që kjo ide është e tija. Aspak nuk e vemë në dyshim autorësinë që shpall, është plotësisht në interes të Serbisë ashtu siçështë pa asnjë mëdyshje një rrezik i madh serbo-rus për shqiptarët dhe të tjerët jo serbë, njëlloj siç u provua në dy ish Jugosllavitë që u kthyen në ferr luftërash kriminale të nisura nga shovinizmi i pa shterrur serb. Nga një ferr analog potencial i një Jugosllavie tjetër nëse do krijoheshte, do ishin të shpëtuar dy shtete me popullsi sllave, Sllovenia dhe Kroacia të futura në BE, por nuk do shpëtonin shqiptarët të cilët po përpiqen ti zhysin të gjithë brënda.

“As unë, as familja ime nuk ka pas nostalgji as për Titon, as për idetë e Vuçiçit për Titon e ish-Jugosllavinë. Për shqiptarët e Kosovës, Jugosllavia ka qenë burgu më i gjatë, më i tmerrshëm dhe ne nuk dëshirojmë të kemi kthim të nostalgjive të tilla”, tha Enver Hoxhaj si replikim ndaj kujdo. (“Express”12 prill 2017) Kësaj i thonë të flasësh qartë si një politikan shqiptar dhe të mbrosh prerë interesat mbarëkombëtare. Menduam se dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë Bushati si çdo shqiptar, do ishte në unison me të, por gabuam plotësisht! Aty ku ministri Hoxhaj parasheh tmerre, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ëndërron veç levërdi si të ishte ndonjë përfaqësues i BE apo ndonjë banke të madhe europiane që do të investojë në “fermën” Ballkan Perëndimor apo ndonjë ortak në ndonjë tregëti me Serbinë. Madje me xhelozi “patriotike” i “kundërvihet” Vuçiqit, për të mbrojtur autorësinë “Rama” të idesë të “tregut të përbashkët” që Vuçiq e quan me kuptimin e vërtetë:“Jugosllavi, plus Shqipërinë”. Ministri Bushati në mbrojtje “sqaron” më tej veç një pjesë të së vërtetës për synimet e Qeverisë Shqiptare: “në Samitin e Parisit bashkë me Komisionin Europian, vjet ramë dakord që krahas aspekteve të krijimit të tregut të përbashkët të energjise dhe krahas aspekteve të krijimit të komunitetit të përbashkët në fushën e transportit, ka “një plan veprimi me masa me karakter ligjor, administrativ, institucional nga të 6 vendet pjesëmarrëse për të unifikuar sa më shumë praktikat tona tregtare”.

Disa “krahas” evasive të Bushatit, ato të “aspekteve”për energjinë, për transportin, e “krahasve” të tjerave të pa deklaruarave prej tij, që përmbyllen me krijimin e institucioneve të përbashkëta për gjashtë vendet, bëjnë të tërën që deklaron Vuçiq, “Jugosllavi plus Shqipërinë.” Ka vite që është thënë troç se do të shkohet në një Asamble parlamentare të gjashtë shteteve, në një parlament kundër të cilit jemi shprehur tre vite më parë në shkrimin: “Hallakatja e pabesueshme e diplomacisë drejt projekteve “strategjike” të Shqipërisë me Serbinë.” (“The Albanian”, “55”, 6 dhjetor 2013)

Në kllapën Jugosllavi, sikur të arriheshte, shqiptarët do gjindeshim para rrezikut të dy fishtë, të atij politik, do përjetonin prepotencë e stërprovuar serbe mbi shqiptarët dhe të rrezikut ekonomik nga një ndërthurje dhe ndërmvartësi e pa zgjidhëshme e ekonomive që parashikohet. Gradualisht do gjindeshin në dominancën e më të fuqishmit, dhe pa dyshim do shkohej në mosmarrëveshje të mëdha dhe shpërthim të një lufte të pa parë ndonjëherë. Kjo është provuar bollshëm nga eksperimentet e stërdështuara me dy ish Jugosllavitë në një periudhë një shekullore. Britanisë së Madhe për të dalë nga BE, do ti duhen dy vite negociatash të rrasta dhe të vështira që me durimin e jashtëzakonshëm të demokracive të stabilizuara mund të shkojnë deri në dhjetë vite. Ndërsa në këto anë të “demokraturave shoviniste të padurim” të Ballkanit, ndarja e jetike e shqiptarëve nga një Jugosllavi tjetër e supozuar do kalonte nën hellin e luftave të përgjakëshme.

Ndërkohë të trullosur nga tam tame partishë që kërkojnë pushtetin, shqiptarët janë lënë në gjumin e pa informimit dhe nuk dinë se çfar po i gjen.

Por e sqaroi “Financial Times” një muaj më parë, me dt. 24 mars: “Serbia dhe Shqipëria janë gati për gjithçka.. Serbia do të luaj brënda këtij grupi atë rol që luan Gjermania në BE... Mali i Zi dhe Kosova megjithatë janë të alarmuara”. '' Serbia kapo! Për këtë theqafje, që shitet si një “arritje fenomenale”,  ka kontributin e vet të madh qeveria e sotme e Shqipërisë, miratuese e çdo nisme europiane. Nuk janë shprehur fare për këtë mënxyrë që po i kanoset shqiptarëve partitë opozitare. Heshtja e pa besueshme në të cilën janë ngurrtësuar kundrejt këtij plani antishqiptar që po na shqyen derën është e dyshimtë! Lum ne për politikanët tanë të “talentuar”, por që duhet të kujtohen se shqiptarët sidoqë nën zhurmën trallisëse të propagandave mashtruese, po zgjohen dhe nuk do pranojnë kurrë të kapen nga kjo kurthë,  po atëherë pasojat do jenë dramatike.

Ndikimi rus

Po gjithçka shkon shumë më thellë! Këmbana e ministrit Hoxhaj është gjeopolitike. Ka vetëm një melodi dhe bie për të dëgjuar veçanërisht shtetet e BE që kanë kontribute të mëdha në Kosovë por ndryshe tash po nxisin krijimin e një Jugosllavie të re. Bie për të dëgjuar aleati i largët SHBA. Po së pari i drejtohet Shtetit Shqiptar dhe veshëve të të gjithë shqiptarëve. Sipas asaj këmbanë çdo tentativë për të krijuar një treg të përbashkët apo një Jugosllavi tjetër në favorin e Serbisë, është vepër e mirëfilltë dhe e Rusisë sepse përmes Serbisë, “shtrihet “ndikimin rus në Ballkan, “Rusia qartësisht po e shfrytëzon Serbinë jo vetëm për ta rimarrë terrenin në Ballkan, por gjithashtu për t’iu hakmarrë NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit me skemat për rikrijimin e dominimit rajonal të cilin e humbi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik”. Rusia ka nisur kështu një sfidë frontale kundër Perëndimit dhe shqiptarëve “Këmbana” i bën me dije gjithë botës po në radhë të parë Qeverisë Shqiptare që nuk do të marrë vesh, dhe të gjithë shqiptarëve se “dora serbe jo vetëm u shërben interesave sërbe po është dorë ruse dhe i shërben interesave ruse”. Duke mbështetur projektin e një tregu të tillë të përbashkët dhe të një Jugosllavie tjetër,Qeveria Shqiptare po mbështetet një projekt serbo-rus, po mbështetet penetrimi rus në Ballkan, pra dhe ndër shqiptarët dhe kjo nuk është paranojë.

Amerikanët dhe vija e zjarrit

Rreth dy vite më parë, në mars 2015, Qeveria amerikane nëpërmes ish Sekretarit të Shtetit John Kerri kishte paralajmëruar për një rrezik të tillë që sot po formësohet agresivisht, kur bëri një deklaratë të rëndësishme në një komitet të senatit amerikan, kur duke shpjeguar rreziqet e rritjes së influencës ruse në Ballkan dhe të përplasjes me Perëndimin, theksoi se “përsa i përket Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, ato janë në vijën e zjarrit”. Kosova e rrezikuar, kurse në atë moment Shqipëria dukej jashtë rrezikut të penetrimit të politikës ruse! Dy vite që prej atëherë kanë mjaftuar që Serbia ta rimarrë veten politikisht po dhe ushtarakisht dhe ti shtohet oreksi, aq më tepër Rusia që për më tepër demonstroj forcën e saj agresive në Krime dhe Ukrainë dhe ka bërë akte penetruese destabilizuese drejt shteteve të Ballkanit. Kjo ka bërë që në atë vijë të parë zjarri të gjindet dhe Shqipëria.

Nëse politika e Shqipërisë vijon me planet për futjen e shqiptarëve në kllapën asfiksuese sllave në një strukturë politiko ekonomike të përbashkët me serbët, me treg të përbashkët të “Ballkanit Perëndimor”, apo Jugosllavi të çfardo emërtimi, e ardhmja e shqiptarëve, po ashtu dhe e Ballkanit është e rrezikuar. Do minonin nga brënda dhe orientimin perëndimor të shqiptarëve, do dobësohej barriera shqiptare në Ballkan dhe penetrimi dhe dominimi rus i Ballkanit Juglindor tashmë do ishte i garantuar. Adriatiku, Joni dhe Mesdheu, sërisht i tyre. Serbia ka deklaruar se kurrë nuk do hyjë në NATO, ndërkohë që Shqipëria është në NATO dhe Mali i Zi po bëhet pjestare. Pradoks i madh ky për dy shtete anëtare të NATO-s që do ishin dhe pjestare të interesave të Jugosllavisë ku do përfshihej dhe Serbia që do ishte kundër veprimeve të NATO-s!

Qeveria Shqiptare në zellin e saj proverbialisht “shpërfillës“, nuk mund të bëjë sikur “nuk dëgjon”, dhe sikur “nuk kupton”. Pjestarët e saj duke filluar nga Kryeministri kanë përgjegjësi të madhe institucionale, historike për atë që po bëjnë krah për krah Vuçiqit, bashkëpuntor i zjarrtarit të ish Jugosllavisë, Milosheviçit dhe vlerësues i politikës së Titos sidoqë Vuçiq nuk harron kurrë se ai deri në v. 1966 bëri krime të pa para mbi shqiptarët dhe të tjerët. Jugosllavia që ngriti Tito, ashtu artificiale dhe diskriminuese siç qe, dështoi e çarë nga luftat gjakatare. Politika shqiptare duhet të “mësojë “ nga politika serbe që pavarësisht nga sukseset e dështimet që i rezervojnë kohërat është konsistente nuk i ndryshon kurrë synimet e saj. Frymën e vet agresive e provon në çdo veprim që bën në Kosovë dhe për Kosovën. Vuçiq po vijon sot me armët e diplomacisë dhe të forcës së armatosur që po e rrit çdo ditë me ndihmën e Rusisë, luftën e humbur të Milosheviçit, për ta fituar për serbët po për të njëjtat synime ekspansive serbe.

Dhurata e BE për Serbinë dhe Kryeministri Rama

Tregu i përbashkët dhe krijimi i një Jugosllavije tjetër është dhurata fantastike europiane për Serbinë dhe shkatërrim për shqiptarët.

Por do ishte krejt e pa besueshme që Qeveria shqiptare dhe kryeminstri Rama të mos kuptonin situatën që përshkruam, apo të dilnin kaq të zhveshur pro politikës serbo ruse, por jo sepse ata kanë një alibi të fortë perëndimore. Është vetë BE që ka mbështetur krijimin e një tregu të përbashkët ”Ballkano Perëndimor” të gjashtë shteteve, deri dhe një integrim politik në një Jugosllavi tjetër. Edhe nëse kuptohet që për këtë politikë BE është influencuar, nxitur, dhe po mbështet haptas plane sërbe, BE ka arësyet e veta. Ka një kufi të jashtëm, dhe përreth tij një brez shtetesh për të cilët ka qenë vazhdimisht në dilema nëse duheshin përfshirë në BE apo jo, mes tyre dhe Serbia, megjithatë për ti përafruar me BE ka mbështetur fort bërjen e reformave në këto vënde dhe ka ndihmuar me fonde.

Po nga vështirësitë politike në të cilat gjindet sot, BE e ka shtyrë integrimin e këtyre vendeve në deri në paqartësi duke lëkundur shumë besimin e shteteve pretendente për në BE. Por BE, e interesuar para së gjithash për të marrë me të mirë Serbinë që lëkundet në mes Brukselit dhe Moskës, e për ta mbajtur larg Moskës po të jetë e mundur, i bën një dhuratë të madhe Serbisë, mbështet krijimin një Jugosllavie tjetër me Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët brënda. Dhe jemi veç pak ditë afër “dorëzimit” të kësaj dhurate të pa shoqe. Pas mbledhjes së Sarajevës, ashtu si shkruhet këto ditë dhe në “The Economist”: “më 12 korrik palët do takohen sërish në Trieste dhe Komisionari për Zgjerimin Johannes Hahn ka kërkuar që në atë kohë plani për tregun e përbashkët të jetë gati…Ndërkohë një treg i përbashkët i tyre mund të shërbejë si çmim ngushëllimi, për mos integrimin e tyre në BE..” thekson “The Economist”. Për të tjerët jo që nuk do ishte kurrfarë çmimi, por do ishte fatalisht një dënim i rëndë, po për Serbinë a është një çmim ngushëllimi? Jo, është shumë më tepër se kaq, është një dhuratë e pa besueshme që i bëhet nga BE, përmbushje e ëndrrës shekullore të Serbisë që ti fusë në kllapë për herë të parë në një shekull të gjithë shqiptarët dhe të jetë vetë zot në detin Adriatik dhe në Jon. Atë që sllavët gati e realizuan në vitet 1947 në periudhën komuniste të Shqipërisë. Shumë, shumë më tepër sesa synonte të realizonte Milosheviçi. Vuçiç fërkon duart nga suksesi diplomatik që po korr Serbia, me projektin e tij “Jugosllavi plus Shqipërinë", për të cilin shton se do “të krijohej një treg prej 20 milionë banorësh…” Sa arsyetim “i pa fajshëm”,“atraktiv” dhe “magjepës madje” nëse bota do ishte çoroditur dhe të mos kujtohej se nga 20 miljonë banorë kishin ish Jugosllavitë por pollën lufta të tmerrëshme gjakatare, ku në të fundit dhe Vuçiq ka kontributin e vet të pa mohueshëm dhe “lavdinë”. Por nga përpjekjet që bëhen si nën rrogoz për të zhytur brënda një Tregu të Përbashkët, apo në darën e një Jugosllavie tjetër shqiptarët, do shpërthente një luftë edhe më e tmerrëshme se ato që u panë në Ballkan.

Një personalitet si Xhefri Kuhner, i shastisur nga ajo që dëgjonte, shkruante në “Washington Times dhjetë vite më parë, në v. 2007: ''Prap bashkim ballkanik? Që i thoshte botës, a nuk e kuptoni se prap po planifikoni lufta dhe krime? Kundërvënia nga shqiptarët, që dhe është shfaqur, do bëjë që kurrë të mos ketë treg të përbashkët të të ashtuquajturit “Ballkan Perëndimor”, dhe kurrë më nuk do ketë Jugosllavi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat