Kosova alla turca

Opinione

Kosova alla turca

Nga: Sylejman Salihu Më: 23 prill 2017 Në ora: 08:48
Sylejman Salihu

Një autobus i mbushur ding u nis të premten për në Shqipëri. Miku, që ma tha këtë ishte paksa nervoz, sepse edhe ai do të ishte pjesë e këtij "pelegrinazhi". Po, ç’ të keqe ka këtu, i thashë? Mirë që shkoni bashkërisht dhe shijoni poashtu bashkërisht Shqipërinë për aq sa ju lejon koha.

Po, më tha, do të ishte bukur, nëse do të ishte ashtu, por puna qëndron se ne që po shkojmë  Shqipëri  jemi pjesë e një projekti turk, prandaj na dërgojnë për të parë dhe për të vizituar monumente dhe institucione turke, të cilat gjenden sot në Shqipëri. Si duket atij i ishte mbushur kupa  pikërisht pse Turqia po insistonte dhe po i dërgonte ata në Shqipëri, jo për të parë  Krujën, Lezhën, Shkodrën a Beratin, por për të parë diçka tjetër, që është krejtësisht turke dhe vetëm turke.

Atëherë u mundova ta kuptoj zemërimin, hidhërimin  dhe indinjatën e mikut. Dhe mbase kishte të drejtë. Përse mund të thuhet kështu?

Ka një kohë të gjatë, veçmas pas luftes në Kosovë, është shtuar dhe intensifikuar shumë przenca turke në Kosovë. Turqia shfaqet e tëra si në bahçe të vet: në politikë, në ekonomi, në kulturë, në histori, në religjion, pra në gjithë supesrstrukturën shoqërore. Dikur mësonim dhe shpjegonim për të zezat dhe pushtimet  që kishim nga ky shtet e sot ai ka hyrë dhe është ulur këmbëkryq në jetën tonë dhe ne i bëjmë elozhe. Një armik pesëshekullor, brenda natës gdhiu si mik! Dikur luftonim kundër fjalëve turke e arabe e sot ato janë bërë përsëri formulat më të përdorura përshëndetëse midis njerëzve tanë. Fjalët selam, selam alejkum, ejvallah, alejkum selam, merhaba, bismilah e shumë tjera janë bërë uvertyra hyrëse dhe ceremoniale për të nisur komunikimin njerëzit midis tyre.  

Fjala merhaba është bërë nënë, është bërë baba që në takimin e parë midis njerëzve, që kinse flasin shqip. Derisa po mirrja pjesë në një ngushëllim këto ditë, më goditën veshin gjithë të pranishmit dhjetëra herë me fjalën  shumë të përdorur deri në monotoni, merhaba. Pesë shekuj ishim nën sundimin e saj dhe tjetër emër nuk mund t’ i jepnim Turqisë, përveç atë të sunduesit. Pastaj një shkëputje as një shekull tamam dhe sërish ajo kthehet te ne jo me shpatë në dorë,  por me një formë të re më të sofistikuar, më dinake, më moderne.

Kthehet te ne me shumë vrull, me shumë elan, me shumë entuziazëm. Ajo kthehet me punë, me detyra, me projekte. Se ajo do që edhe të ndreq diçka, që qenka prishur! Turqia kthehet këtu te ne në Kosovë për të rishikuar diçka nga historia dhe për të na mbushur mendjen dhe kokën se Turqia ishte këtu për pesë shekuj jo si pushtuese  por për të na mbrojtur si  shpëtimtare e jona, si vëlla, ndryshe do të na kishte marrë lumi!  Po përse atëherë luftoi Skënderbeu  kundër sivëllait të vet për 25 vjet? Ç’ gabim paska bërë ky kalorës dhe ky atlet i madh i Evropës, që ia paska kthyer dorën Baba Sulltanit?

Turqia mundohet të na e mbushë mendjen neve se kthehet si “vëllai” i madh tek ne për të na thënë se sulltanët, sadriazemët, vezirët, pashallarët, bylykbashët, zabitët  ishin këtu për të na mbrojtur dhe për të mos na lënë që të tjerët , veçmas sllavët të na cënojnë nderin, territorin, lirinë, integritetin,dinjitetin. E ku ka më qesharake se kjo? Në fakt  është pikërisht Turqia, që neve na e mori frymën në ato vite sundimi dhe bëri pazare me tokat tona duke ua dhënë të tjerëve si kompromise me fuqitë e mëdha për të shpëtuar veten.

Ne duke qenë dikur populli më i madh në Ballkan, me “aminin” e Turqisë  mbetëm një popull i vogël dhe me një  territor të poashtu të vogël xhuxh. Turqia, në vend që të na jipte dritën, na ofroi errësirën, në vend që të na linte të lirë, na pushtoi dhe na përgjaku me luftra të përgjakshme. Si mund të ishte mik apo vëlla një vend ku të gjithëve u dha edhe shtetësi, edhe shkolla edhe favore tjera, kurse me ne sillej egërsisht duke bërë “zap” çdo lëvizje për liri dhe pavarësi? Po a nuk ishte Turqia ajo që në vitin 1887  kishte rreth 3000 shkolla, nga të cilat, siç citon Kadare një autor francez me emrin Serge Metais, të ketë pasur 1200 shkolla publike e private turke, po kaq shkolla greke, 300 shkolla bullgare, por edhe shkolla vllahe dhe serbe.

E shkolla shqipe ku ishte? Një dhe vetëm një, ajo e Korçës dhe e cila pas një kohe u mbyll, se shteti jo vetëm që nuk e mbrojti, por lejoi të vritet drejtori dhe mësuesi i saj Pandeli Sotiri. Shkolla për të tjerët po, por jo edhe për „vëllain“ ofronte Turqia, siç po vepron sot me miliona shqiptarë në Turqi, të cilëve vetëm tash mezi u ka ofruar atyre që duan gjuhën shqipe si gjuhë zgjedhore. Turqia kthehet në Kosovë edhe për të ndryshuar diçka: që fjala robëri të konvertohet në fjalën paqë. A nuk është Turqia ajo që sot kërkon që të herren librat tona të historisë dhe fjala armik për të të shkruhet me fjalën e bukur shqipe mik? Ramë Buja ,atëherë ministër i arsimit, i pranoi të gjitha kërkesat menjëherë dhe përunjësisht. Sot edhe mund të jetë ashtu, se me Turqinë kemi raporte miqësore, por ajo që dikur kishte atë emër dhe populli ynë e ka vuajtur në kurriz dhe e ka paguar me gjak, le ta mbajë atë emër, të cilin ia ka dhënë dhe ia ka shkruar historia.

Turqia, siç po shohim, ka shtrirë veten e saj në Kosovë dhe madje edhe në Shqipëri në të gjitha anët. Kosovës i mori aeroportin e Prishtinës, i mori elektroekonominë, i mori rrugët dhe autostradat nacionale. Nuk mund të kishte të tjerë që mund ta bënin më mirë këtë punë? Përse Naim Frashëri thërriste atëherë nga zemra e Stambollit që ne të kthenim kokën andej nga dielli „ perëndon“? Por jo, politikanët tanë janë vëllazëruar dhe quajnë vëlla udhëheqësin turk. Turqia ua ka shpërlarë trurin shumë adhuruesve të saj shqipfolës dhe ua ka mbushur mendjen e tyre të tharë, se heroi kombëtar Skënderbeu ka gabuar që ka luftuar kundër baba sulltanit a baba dovletit, ndaj ata e shajnë sot , duke e quajtur „ qafir“ e „tradhtar“, që na ka prishur rehatinë dhe paqën me sulltanin! Po politikanët tanë, këta servilë puthadorë dhe zemërrobër si paraqiten sot me ta dhe para tyre? Një politikan diletant  bën zbulimin “gjenial” të radhës duke pohuar se  turqit dhe shqiptarët janë vëllezër të një gjaku!

O tempora, o mores! Vetëm politikanët tanë mund të flasin çmendurira dhe marrëzira të tilla! Si mund të jenë vëllezër të një gjaku ata që vijnë që larg nga zonat e kontinentit aziatik me ne që jemi të këtushëm nga zonat e një kontinenti tjetër autokton  ilirik. Ku u bë kjo ngjizje jonë e përbashkët, para se turqit të vinin në Ballkan dhe të lindte njeriu i ri me emrin turko-arbëror. Si? Cili laborator botëror e ka bërë studimin e ADN- së së shqiptarëve që  të ketë konstatuar “vëllazërinë” biologjike të shqiptarëve dhe turqve?  Nëpër rrjetet sociale në kohë të fundit janë paraqitur  foto të tmerrshme , teksa shihet se si “vëllezërit” turq dhunojnë gratë shqiptare që në kohën e sundimit të tyre. Këto 12 foto të tmerrshme,  siç shkruan gazeta “Bota sot” me 31 gusht 2015 janë bërë në vitin 1909 dhe janë publikuar në librin “Përdhunimet e Ballkanit”, libër që për fat të keq nuk është i lirë për të gjithë, por vetëm për qarqe të caktuara elitare.

Atëherë a mos u dashka tash që aktin e dhunimit ta marrin edhe si akt dashurie, sepse aty  pastaj do të lindin fëmijë dhe pasardhës të një gjaku shqiptaro-turk? Sot në Kosovë turqit kanë sjellë ferexhenë e shaminë, të cilën mezi e kemi hequr dikur, kanë forcuar agjërimin dhe kanë mbushur faltoret islame të cilat po frekuentohen jo vetëm nga pleqtë, por edhe të rinjtë tanë. Kjo nuk ka ndonjë të keqe, se feja dhe zbatimi i edukatës dhe kulturës fetare është e lirë. Por si ka mundësi që nxënësit tanë të lënë sot orët e mësimit  dhe të shkojnë në xhami për të kryer ritet fetare? Madje as që pyesin personelin arsimor! Kur dëgjova këto fjalë nga miqtë e mi këto ditë, u tremba për ardhmërinë e këtyre shkollave dhe të këtyre fëmijëve. Por ka edhe më keq, thonë.

Një miku im më tha se edhe në shkollë fëmijët po falen,  aty ku munden, qoftë në klasa, apo qoftë edhe kthinave të fshehta shkollore, duke marrë abdes nëpër toaletet e pista shkollore. Ku jemi tash? Jemi në mejtepe, në medrese shkollore apo jemi në shkolla laike? Nëse ka një shtet, ai duhet të veprojë sa të mos bëhet vonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat