Gjenerali dhe karkalecat

Opinione

Gjenerali dhe karkalecat

Nga: Sadik Elshani Më: 23 prill 2017 Në ora: 16:34
Sadik Elshani

Sulmet plot urrejtje të Halil Matoshit ndaj shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij, janë të pabaza, të pakuptimta dhe nuk i sherbejnë askujt

Këto ditë Halil Matoshi në gazetën “Koha ditore” botoi shkrimin me titull: “Kadare – ky racist etnocentrik!”, ku vjell vrer, hedh gurë e dru  kundër shkrimtarit tonë më të shquar dhe veprës se tij, pikërisht romanit shumë të njohur, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ky nuk është një shkrim, kritikë letrare apo studim, por është një shkrim i mjegullueshëm me plot urrejtje ndaj shkrimtarit dhe veprës në fjalë. Ndoshta nuk ia vlen që dikush t’i përgjigjet zotit Matoshi, sepse shkrimi i tij është nën çdo nivel, por kohëve të fundit janë duke u ngritur zëra edhe kundër Skenderbeut, Shën Terezës, Ismail Kadaresë dhe disa figurave tona të shquara. Prandaj, këta persona që po mundohen t’i mohojnë vlerat tona, duhet t’i dëgjojnë edhe mendimet e të tjerëve. Figurat e lartpermendura nuk kanë nevojë për mbrojtjen e askujt, sepse ato i mbron vepra e tyre që i ka bërë dhe do t’i bëjë ballë gjykimit dhe stuhive shekullore. Veprat e cfarëdo lëmie nuk kanë nevojë të mbrohen, sepse ato mbrohen nga  vlerat e veta. Por fjala është, se përse të lëshohemi në nivele të tilla të ulëta, t’i mohojmë figurat tona të ndritura, vlerat tona kombëtare, kur kemi mjaft çështje të tjera të rëndësishme me te cilat duhet te merren politikanët, intelektualët, gazetarët, publicistët tanë, etj.

Siç duket, zoti Matoshi pas “zbulimit” të “kombit kosovar”, tani po mundohet të na bjnd se edhe veprat e Ismail Kadaresë nuk kanë kurrëfarë vlere, madje sipas tij, ato na qenkan edhe të dëmshme për lexuesin shqiptar. Personat që mundohen t’i baltosin figurat dhe veprat që kanë vlera të padiskutueshme, e tregojnë haptas nivelin e tyre intelektual dhe problemin që ata kanë me përceptimin korrekt të realitetit. Në shkrimin e tij, ndër të tjera, zoti Matoshi shkruan: “Ismail Kadare, ndonëse stilist i madh është shndërruar në mit nga elitat komuniste shqiptare në Shqipëri dhe po ashtu në Kosovë, pra gjithandej ku flitet gjuha shqipe…Porse shqetësues është fakti se Kadare lexohet në mënyrën më jokritike, pikërisht në Kosovë.”  Thuase Kosova nuk paska shqetësime të tjera me të cilat duhet të merremi. Prandaj, zoti Matoshi na sygjeron që veprat e Kadaresë duhet të lexohen vetëm me syzat e tij të errëta. Pohimi i zotit Matoshi per Ismail Kadarenë nuk është korrekt, sepse vepra e tij është e përkthyer ne mbi 40 gjuhë të botës, lexohet dhe vlerësohet në të katër anët e rruzullit tokësor nga një armatë e tërë lexuesish të të gjitha racave, moshave, gjendjes ekonomike, pikëpamjeve dhe bindjeve politike. Pra, ka kohë që vepra e Ismail Kadaresë i ka kaluar kufijt e Shqipërisë dhe botës shqiptare. Ajo tani është bërë pjesë përbëreëe e letërsisë së bukur botërore.

Kur në gjysmën e dyte te shekullit XX, gati për 50 vite Shqipëria komuniste u vetizolua, i shkëputi gati të gjitha lidhjet me botën e jashtme, ishte pikërisht shkrimtari Ismail Kadare, talenti dhe vepra e të cilit po i paraqiste botës një Shqipëri tjetër, po i paraqiste botës vlerat, historinë, traditat, kulturën tonë kombëtare – vlerat mbi kundërvlerat. Ismail Kadare është shkrimtari ynë më i madh, më me nam në arenën ndërkombëtare dhe zë një vend të rëndësishëm e të nderuar në letërsinë botërore, si njëri ndër shkrimtarët më ineresant e më të talentuar të kohës sonë. Prandaj, ai është shkrimtari më i përkthyer shqiptar. Ai këtë nam e arriti me romanet e tij të një cilësie të rrallë artistike, temat ineresante e të qëlluara dhe stilin e tij krejt origjinal. Me të drejtë atë e quajnë ambasador i letërsisë, kulturës shqiptare dhe vlerave tona kombëtare. Vepra e tij u prit me habi dhe një interesim të jashtëzakonshëm, sepse askush nuk e kishte paramenduar se nga Shqipëria e vogël dhe e izoluar, mund të vinte një shkrimtar i madh i kalibrit të Ismail Kadaresë. Kadare në veprat e tij trajton çështje kyçe, jetike, qenësore (ekzistenciale), traditat e pasura e fisnike dhe të përditshmen e popullit shqiptar, por njëherit duke e ngritur me një mjeshtëri të rrallë artistike, me njohuri të thella intelektuale e filozofike edhe në planin ndërkombëtar – u jep atyre edhe përmasat e përtgjithshme (universale). Sjell dçka të re, diçka magjepse e të mistershme. Gogoli, Kafka, Buzati, Oruelli, Markezi janë gërshetuar mirë, janë shkrirë e bërë një në laboratorin, botën krijuese të Ismail Kadaresë, për të krijuar diçka origjinale.

Meqenëse temë e shkrimit të zotit Matoshi është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, po i them disa fjalë si lexues, sepse bukën e gojës nuk e fitoj nga kritika letrare. Me romanin e tij të parë të botuar, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Kadare tërhoqi vëmendjen e kritikëve me talentin, stilin e tij – në mënyrë origjinale i qaset trajtimit të luftës, kësaj dukurie shoqërore mjaft të ndërlikuar, këtij absurdi njerëzor që sjell shkatërrimin individual (psiqik e material), sjell tragjedinë kolektive (kombëtare). Kadare në këtë rast niset nga pasojat, pra është shtjellim, një vizion paqësor i luftës, por në të vërtetë është më i tmerrshëm se vetë lufta. Lufta ka kohë që ka mbaruar, por njerëzit vështirë mund ta harrojnë atë, ajo ka lënë gjurma të pashlyeshme në psikën e njerëzve (episodi i plakës Nicë). Ai dëpërton thellë në etikën e popullit shqiptar, duke e njohur mirë modestinë e psikologjinë e tij. Shqiptari i shtyrë nga instikti, nga dashuria për atdheun, mbrojtja e të cilit është nderi më i madh i tij – në luftë ai është i egër e i pamëshirshëm (episodi i malësorit Nikë Martini). Ndërsa në jetë shqiptari është bujar, mikpritës e punëtor. Humanizmi, vlerat e larta njerëzore të tij duken më së miri kur pas kapitullimit të Italisë, shqiptarët nuk i vrisnin ushtarët italianë, por i mbronin, i strehonin ata nga asgjësimi gjerman – viktima e mbronte pushtuesin e deri pak casteve nga aleati i tij i deri pak çasteve me pare. Rast ky i rrallë, ndoshta edhe i veçantë në historinë e njerëzimit. Ketu shkrimtari me mjeshtëri e ka futur ditarin e një ushtari italian si një dëshmi të drejtpërdrejtë dhe njëherësh për të futur diçka të butë, humane, në këtë tregim të tmerrshëm. Romani ka porosi të thellë humane dhe kundërmilitariste – prodhimi, pasojat e vetme të luftës janë kockat dhe tragjeditë njerëzore. Ky roman i botuar në Paris më 1970, në përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit, hapi rrugën për popullaritetin e Ismail Kadaresë në Francë e më vonë edhe në arenën ndërkombëtare.

Në shumicën e veprave të tij, Kadare ka si subjekt Shqipërinë, historinë e të gjitha kohërave dhe të tanishmen e saj, botën shqiptare, përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi, për mbijetesë. Kadare më mirë se cilido shkrimtar tjetër shqiptar ka arritur të bashkërendojë bukur karakterin kombëtar me atë univezal. Si shkrimtar i pajisur me një horizont të gjere njohurish, me gjenialitetin e tij krijues i shpalosi botës diçka të re e jo aq te njohur, në mënyrë poetike e artistike ia shpalosi Shqipërinë, duke dëshmuar se edhe populli yne ka vlera dhe ne jemi pjesë e pandarë e qytetërimit europian e botëror. Deri në rrëzimin e diktaturës komuniste, bota e jashtme ka mësuar më shumë për Shqipërinë nga romanet e Ismail Kadaresë sesa nga ndonjë burim tjetër. Prandaj, është e natyrshme që vepra e tij ka zgjuar interesimin dhe gëzon adhurimin e lexuesve, kritikëve e studiusve të shumtë të letërsisë. Kadare është mjeshtër i përkryer i fjalës së shkruar. Ai ka sjellur një frymë të re shprehëse, duke futur metoda e modele të reja në ndërtimin strukturor të romanit shqiptar, duke futur në letërsinë shqipe anën psikologjike të personazheve në mënyrë të theksuar. Ismail Kadare është një shkrimtar i madh në të gjitha kuptimet e mundshme të kësaj shprehjeje: përveç se është poet e prozator, ai është edhe eseist, mendimtar, studiues i letërsisë dhe intelektual i rrallë. Është mjaft i angazhuar për cështjet madhore të kombit tonë, për të përparuar procest demokratike në Shqipëri. Po ashtu, ai është i angazhuar në rrjedhat e zhvillimeve, sfidave bashkëkohore ndërkombetare. Famën dhe autoritetin e tij ndërkombëtar e vuri ne shërbim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës që perfundoi me Kosovën shtet i pavarur.

Së bashku me Kadarenë në arenën ndërkombëtare u popullarizua dhe u afirmua letërsia shqiptare në përgjithësi, u zgjua interesimi edhe për veprat e shkrimtarëve tjerë shqiptarë. Për veprat e Ismail Kadaresë janë shkruar me qindra reçensione, kritika e studime letrare, të cilat e radhisin atë si njërin ndër shkrimtarët më të shquar, më të talentuar e më ineresant të kohës sonë. Një vlerësim pak të pazakonshëm, por shumë domethënës, ia ka bërë veprës së Kadaresë një studiuse e re maqedonase, Nina Sabolik: “Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej, sepse unë jam maqedonase, kurse ai është shqiptar, ndërsa dy popujt tanë kanë qenë armiq për shekuj me radhë dhe kanë luftuar mes tyre jo më larg se një dekadë më parë”. Pasi përmend edhe disa shkaqe tjera se pse ajo duhet ta urrejë Kadarenë, ajo vazhdon: “E megjithatë, pasi kam lexuar romanet dhe shkrimet e tij, jo vetëm që unë nuk e urrej atë, por dua që ta shpallë si kandidat për Çmimin Nobel për Letërsi 2013”. Kjo është ajo porosia sublime, forca e veprave të Kadaresë, artit të tij që shemb paragjykime shekullore, ndërton ura miqësie në mes të popujve. Falë talentit të tij të jashtëzakonshëm dhe famës ndërkombëtare, ai arriti t’i mbijetojë diktatures komuniste. Dëshmi e cilësisë së lart të krijimtarisë së tij, janë edhe çmimet e dekorimet e shumta prestigjioze ndërkombëtare (jo të elitës komuniste shqiptare), përfshirë këtu edhe dekoratën më të lartë të shtetit francez: Komandant i Legjionit të Nderit. Edhe vetë nga afër e kam përjetuar sesi lexuesi i huaj i pëlqente romanet e Ismail Kadaresë. Në fund të viteve të 70-ta dhe në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar kam qenë pjesëmarrës në një kurs veror të gjuhës franceze dhe herë pas here profesorëve të mi u dhuroja romanet e Kadarsë të përkthyer në gjuhën frënge. Që të gjithë e shprehnin adhurimin, vlerësimet më të larta për Kadarenë dhe romanet e tij, e shihnin atë si një kandidat potencial për Çmimin Nobel. Ata nuk ishin elita komuniste shqiptare, por ishin elita kulturore e Francës, profesorë të universiteve prestigjioze: Sorbonës, Heidelbergut, Kolumbias (Nju Jork), etj.

Pra, studiusja maqedonase me shkrimin e saj e pranon se ajo duhet ta urrejë Kadarenë, por ja që nuk e urren. Ndërsa Halil Matoshi nuk ka kurrëfarë arsye që ta urrejë Kadarenë, por ja që e urren me gjithë shpirt. Ç’t’i themi kësaj?! Urrejtja, sikurse ideologjia, t’i verbon sytë, ta turbullon mendjen ta bllokon trurin, arsyen. Ismail Kadare është shkrimtar, por është edhe njeri. Dhe si çdo njeri tjetër edhe ai nganjëherë gabon, por kjo nuk do të thotë se per disa imtësira tani ne duhet ta hedhim poshtë, sikurse të mos ekzistonte fare, sikur të mos e kishte krijuar veprën që ka krijuar. Qenje njerëzore të pagabueshme, të përkryer, nuk ka. Vepra e Ismail Kadarese është një thesar kombëtar dhe për këtë çdo shqiptar duhet ta ndieje veten krenar. Skendrbeu, Shën Tereza, Ismail Kadare përbejnë një trini (treshe) që i bën nder kombit tonë, e lartëson kombin tonë, secili në mënyrën dhe madhështinë gjegjëse: Atë që Skenderbeu e bëri me shpatë, Shën Tereza e bëri me uratë, ndërsa Ismail Kadare është duke e bërë me penë e art.

Zoiti Matoshi ka çdo të drejtë që t’i shprehë mendimet, pikëpamjet e veta, por nuk ka nevojë të bëhet më katolik se Papa, më Don Kishot se Don Kishoti. Mos t’i bëjmë dëm vetes sonë, sepse të tjerët janë duke na bërë mjaft. T’i nderojmë ata që janë duke i bërë nder kombit tonë, që janë duke i dhënë një emër të mirë kombit tonë. Koha është vlerësuesja më e mirë, dhe vepra e Kadaresë është duke u përballuar mirë me kohën, po i qëndron kohës.

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat