Flasin faktet dhe argumentet për të arriturat e kësaj qeverie

Opinione

Flasin faktet dhe argumentet për të arriturat e kësaj qeverie

Nga: Besart Dreshaj Më: 25 prill 2017 Në ora: 20:33
Besart Dreshaj

Përralla e kritika tregoni sa të doni, por nuk ju beson asnjëri. E vërteta flet krejt ndryshe. Nëse doni të flasim për ekonomi, ekonomia bazohet në statistika të verifikuara, jo në shkeljen e syrit të dobëtëve duke mos e fshehur dot ngazëllimin që shyqyr që keni vëmendjen e disa mendjelehtëve që mund t’i gënjeni. Sidoqoftë se sa do arrini t’i gënjeni do e shihni në zgjedhjet e ardhshme!

Edhe si mashtrues që jeni, pranoni së paku që Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të shënojë rritje që nga viti 2015, kanë vazhduar investimet e fuqishme private dhe rimëkëmbja e konsumit familjar. Ketë nuk po e themi ne, këtë e thotë Banka Botërore si institucion ndërkombëtar kompetent, i specializuar, njëherësh pikë referimi për të gjithë ata të cilët duan të dinë gjendjen e një ekonomie kudo në botë. Po ashtu Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe impaktin pozitiv të reformave në ekonominë e vendit.

Po ashtu, niveli i rritjes ekonomike në vend është ndër më të lartit në rajon. Qeveria Mustafa, po e mban premtimin për zhvillim ekonomik. Dy vite të këtij mandati aprovuam Ligjin për Trepçën, Ligjin për Investime Strategjike, Fondi për Garanci Kreditore; e përfunduam me sukses fazën e parë të reformave fiskale dhe po e përmbyllim shumë shpejtë fazën e dytë të këtyre reformave; siguruam ndryshimet e Ligjit për Veteranët dhe plotësuam kërkesat për vazhdim në programin e FMN-së.

Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim dhe Agjendën e Reformave Evropiane. Kemi siguruar qëndrueshmëri financiare dhe fiskale me rritjen stabile ekonomike prej mbi 4% për vitin 2015 dhe 2016, ndërkaq në vitet në vijim rritja do të jetë dukshëm më e madhe.

Politikat e mira të Qeverisë po nxisin sektorin privat, hapjen e bizneseve të reja dhe vendeve të reja të punës nga sektori privat. Sipas statistikave të biznesit, në vitin 2016 janë hapur 10.549 biznese të reja, një numër i rëndësishëm i tyre në bujqësi, në sektorin prodhimit dhe në teknologjinë informatike. Njëkohësisht kemi pasur rritje të investimeve kapitale për 50%, investime të huaja mbi 220 milionë euro ose rreth 4.5% si pjesëmarrje GDP-së.

Raporte të ndryshme konfirmojnë se në 2015\16 kemi krijuar mbi 40.000 vende të reja të punës që është numri më i lartë ndonjëherë. Buxheti i shtetit për herë të parë tejkalon shumën prej 2 miliard euro. Ky buxhet, mundëson zhvillimin e vendit, për rritje ekonomike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenie sociale dhe po ashtu për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Të nderuar miq, Sa më shumë që kemi progres aq më pak do të ketë hapësirë për mashtrues që vjelin shtetin dhe mundohen ta mashtrojnë popullin. Vendi ka filluar të frymoj lirshëm, nuk është koha e bosëve të kazinove dhe reketit, nga sekserët dhe tenderomanisë, nuk është koha e atyre qe manipuluan duke vajtuar ditën e duke vjedhur natën. Është koha e fakteve dhe argumenteve të arriturave të kësaj qeverie. Prandaj ka zhvillim!

Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat