“Anarkia është debashkim, jo bashkim”

Opinione

“Anarkia është debashkim, jo bashkim”

Nga: Frank Shkreli Më: 27 prill 2017 Në ora: 05:30
Frank Shkreli

Kohët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës, Z. Hashim Thaçi ngritën mundësinë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm, nëqoftse nuk ndodhë bashkimi i tyre brenda Bashkmit Evropian.  Analistë të ndryshëm e kanë cilësuar deklaratën e udhëheqsve shqiptarë si një manovër parazgjedhore, si një përpjekje për të larguar vëmendjen e mbrendshme dhe të jashtme nga kriza aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, ose më keq, si një kërcënim dhe shantazh ndaj Evropës, nëqoftse Bashkimi Evropian nuk merr masa për të shpejtuar integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në radhët e tij.

Sidoqoftë -- sikur të kishte nevojë për një deklaratë të tillë në këtë moment -- deklarata e Kryeministrit Rama dhe e Presidentit Thaçi – dashtë e pa dashtë -- ndezi tensionet politike në Balkan, duke shkaktuar reagime të ashpëra jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Moska.  Rusia dhe Beogradi mezi prisnin një deklaratë të tillë që të drejtonin gishtin akuzues Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për destabilizim të rajonit.  Ndërsa, edhe Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar gjithashtu ashpër deklaratën e Z. Rama dhe Z. Thaçi.  Komisioneri Hahn, sipas Deutsche Welle-s, ka hedhur poshtë mundësinë e presioneve dhe shantazheve ndaj Brukselit duke thënë se deklaratat nxitëse mund t’u këthehen vendeve të Ballkanit si bumerang.  Në vend të kësaj, ka thënë përfaqsuesi evropian, vendet e Ballkanit duhet të përqëndrohen tek bërja e reformave të nevojshme për të plotësuar kushtet për antarësim në BE.  Edhe ambasadat amerikane në Tiranë, Beograd dhe Prishtinë, kanë reaguar ndaj deklaratave të Z. Rama dhe Z. Thaçi, duke i cilësuar   si të nxituara dhe të pakujdesshme. 

Ndërkaq, gazeta Illyria në New York sjellë një reagim të Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi, i cili u përgjigjet edhe njëherë   kritikave të zyrtarëve të BE-së ndaj deklaratave të tij dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë duke i quajtur “bajate”, “të gërditshme” dhe “neveritëse”, deklaratat e zyrtarëve të BE-së. Ai ka theksuar se kërcënim për paqën përbën nacionalizmi serb dhe jo deklaratat e tij. “Kërcënim për BE-en është nacionalizimi serb. Është Beogradi që është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm së Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake e deri tek ‘MIG-at’ rusë”, është shprehur udhëheqsi i Kosovës në reagimin e tij ndaj kritikave evropiane.  

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është një ëndërrë e shënjët e të gjithë brezave deri më sot.  Por bashkimi kombëtar arrihet me vepra e jo me fjalë, as me akuza ndaj njëri tjetrit as me ultimatume ndaj të tjerëve. Është kundër dinjitetit kombëtar që thirrjet për bashkim kombëtar të përdoren për qëllime politike parazgjedhore ose për të treguar mllef ndaj një vendimi ose jo, të Bashkimit Evropian. Fatkeqsisht, me  dështimin e përfaqsuesve evropianë për arritjen e një kompromisi për zhdukjen e ngërçit politik në Tiranë, Shqipëria gjëndet para një “kollapsi politik”, siç e cilësoi në një shkrim dje Karl Bildt, bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë,, ndërkohë që kriza politike vazhdon për një kohë të gjatë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa edhe atje po bëhet thirrje për zgjedhje të përgjithëshme, të parakohëshme parlamentare, sikur zgjedhjet janë zgjidhja e të gjitha problemeve.

Përballë këtij aktualiteti politik sot në trojet shqiptare, ndodhë se jam duke lexuar librin e Adnan Merovcit, truprojës së Presidentit Ibrahim Rugova, “Në Hap me Rugovën”, ku vura re ndër të tjera edhe deklaratën e të ndjerit Dritëro Agolli mbi bashkimin kombëtar, gjë që më tërhoqi vëmendjen, pasi është temë e ditës. Ai e kishte bërë këtë deklaratë gjatë një takimi me shkrimtarët e njohur të asaj kohe gjatë një vizite në Kosovë.  

Takimi i kryesuar nga Ibrahim Rugova në Prishtinë, me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, është mbajtur gushtin e vitit 1991, një periudhë e vështirë kjo politike si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.  

 Është një këshill nga Dritëro Agolli që vlente atëherë për të gjithë, por përgjigja e tij 25 vjetë më parë, është edhe sot shumë aktuale, përball krizës politike në Tiranë dhe debatit të shkaktuar nga dy udhëheqsit shqiptarë në lidhje me bashkimin kombëtar, për ata që duan t’a dëgjojnë dhe për ata që janë me të vërtetë serioz dhe të cilët janë me të vërtetë të dhënë për realizimin eventual të bashkimit kombëtar. 

Pyetjes në lidhje me bashkimin kombëtar të shqiptarëve nga njëri prej pjesëmarrësve -- një temë e ditës sot -- Dritëro Agolli iu përgjigj kështu, sipas shënimit në librin e lartë përmendur. “Këtë gjë”, u tha ai shkrimtarëve më të njohur të asaj kohe në Kosovë, “Duhet ta shikojmë më shumë në të ardhmen. Të ardhmen, sepse është problem jo vetëm për Shqipërinë, për ta forcuar atë dhe për ta bërë për Shqipërinë e brendshme, por edhe për Shqipërinë e jashtme, se tashti ka ardhur ajo pika më kulminante që o do të ngrihet me të madhe ky problem i bashkimit kombëtar ose tjetër shanse është vështirë të jepet sepse me ç’ta ka dhënë historia

, Shqipëria kalon në demokratizimin e plotë të vendit – por nëqoftse kjo do të merret, të ketë një anarki të plotë në Shqipëri, siç ka tani, që është anarki, tashti po qartësohet një çik më shumë, por ka një anarki. Nëqoftse është kjo anarki, ajo nuk mund të marrë përsipër bashkimin kombëtar.  

Anarkia është debashkim, jo bashkim.  Ajo i sjellë dëm edhe pjesës këtu (Kosovës) nëqoftse vazhdon ajo gjëndje, sepse nuk ka as autoritet, qoftë edhe në Ballkan qoftë edhe në vende të tjera. Do ju thonë juve, me ke jeni mo, me ata që po grinden e po zihen njëri me tjetrin, ku do veni ju?”  Mungesa e rregullit, qetësisë dhe e unitetit politik në Shqipëri, ka thanë Agolli, “duket medoemos se i sjellë dëm çështjes së madhe kombëtare”.  Nuk mund të ketë bashkim të trojeve shqiptare, pa bashkimin e shqiptarëve, me qëllim për të bërë më së pari “Shqipërinë e brendshme” dhe “Shqipërinë e jashtme”, të lirë e demokratike të standardeve evropiane. Dritëro Agolli porosiste një çerek shekulli më parë, aty në zemër të Dardanisë, që më së pari të bëhet Shqipëria e brendshme dhe e jashtme, e pastaj të flitet për bashkim kombëtar! Këtë nuk mund ta bëjë as Evropa as Amerika dhe askush tjetër, përveç vetë shqiptarëve. Ndëgjoni porositë e të moçëmve dhe mos sillni ujë në mullijtë e armiqëve të kombit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat