Premtimomania e politikanit

Opinione

Premtimomania e politikanit

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 27 prill 2017 Në ora: 06:38
Mr. sci. Sylejman Salihu

Ai premton shumë, se armë e tij është premtimi. Kryefjalë dhe strategji tipike dhe klasike elektorale. Nga mëngjesi deri në darkë të mbulon me premtime, me miklime, madje edhe me lajka. Imagjinata e tij përndizet në strategjinë elektorale. Fantazia e tij fluturon hapësirave të paanë fushave me lule në baltën e pistë. Në oratori ka marrë ca leksione nga paraardhësit e tij. Elektoratit i premton idealen e për vete merr realen.

Premto, premto, është maksima e tij, se dikush më në fund të beson dhe pastaj verbohet dhe gabon e ta jep votën. Pa çka se këtë gabim, i gabuari do ta vuajë gjithë mandatin e tij katërvjeçar. Gramatikisht dhe më saktë morfologjikisht foljet e tij politikani i zgjedhon në kohën e ardhme, përkatësisht në futur bashkëngjitur me pjesëzat: do të....Madje nga njejësi për veten , ai zbaton edhe shumësin për ne.

Nga: unë do të bëj, ia kthen : ne do të bëjmë. Koha e kryer e ish politikanëve premtimomanë denoncohet dhe pjesëzat s' dhe nuk shenjëzojnë mospunën e tyre me ' s' kanë..., nuk kanë...Ky tash, i riu, me gëzof tjetër premton ujë kur njerëzit kanë etje, premton bukë kur njerëzit kanë uri, por as etja dhe as uria nuk shuhet dot. Premton punë, por punë nuk gjen kush, sepse politikani as vetë nuk punon, që të punojnë të tjerët.

Premton rrugë, por njerëzit thyejnë qafën dhe këmbët nëpër gropa dhe puseta. Ai premton strehim, por njerëzit sërish jetojnë nëpër bodrume dhe tenda të plevitosur dhe të mavijosur nga tuberkulozi, duke mos pasur as edhe ilaçe.

Ai ka radhitur pallatet për vete, që mbijnë çdo stinë, e elektoratin e lë të presë në gropë dhe në kasollë, se i thotë për ty nuk bëhet kurrë vonë. Ai premton shkolla dhe arsim cilësor, por ç'del nga këto premtime: asgjë veçse analfabetë me diploma. Ai pra premton, premton, por elektoratit sërish gjendja e tij jetësore nuk i ndryshon. Ai e vuan dhimbjen e vjetër, sëmundjen e vjetër. Në fytyrën e tij thellohen rrudhat, shtohet dyshimi dhe dëshprimi. Atëherë ç' është premtimi i politikanit?

Asgjë më shumë veçse gënjeshtër, mashtrim, trillim dhe përfitim për vete. A jetohet dhe a i besohet këtyre fjalëve , aq shumë të përdorura dhe të stërkonsumuara në kohë dhe fushatë elektorale? A i besohet politikanit që i zhvatë taksat e taksapaguesit pa e pyetur fare vetë atë taksapagues të gjorë, që jep e kurrgjë kurrë nuk merr! E pra, vetë elektorati e ka në dorë: le ta bëjë dhe le ta presë vuajtjen, dënimin, zhgënjimin, që i vjen, në saje të gjumit të tij.

Pse? Sepse rrëmbehet nga premtimomania e politikanit premtues dhe i nxehet koka dhe drejt e përplaset bëlldum në kutinë e votimit dhe bën gabimin fatal. Prandaj, elektorat zgjohu! Vepro për vete , jo për tjetrin! Se tjetri nuk mendon për ty dhe as ti mos mendo për të!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat