E mjera platformë!

Opinione

E mjera platformë!

Nga: Lirim Begzati Më: 28 prill 2017 Në ora: 00:02
Lirim Begzati

Para do kohësh, platforma u prezantua si një dokument shpresdhënës, si një akt vlerash dhe i nevojave të kohezionit shtetëror të Maqedonisë, si një instrument për ekulibrimin e disa interesave të gjithëmbarshme të vendit.

Kurse sot, duket se fatëkeqësisht u bë një instrument i privilegjuar kritikash dhe një shënjestër e kurreshtjes së atyre që kanë nevojë të shprehin mllefin e tyre të tepruar nacionalist dhe të « shesin » moral për modelin ideal të një shteti sipas shijes së tyre, sipas shijes që nuk është më joshëse për « tregun » modern të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë së mirrëfilltë. E kjo lirisht mund të quhet njëllojë vonese e kuptimit të realiteteve të kohës!

Në kontekstin e krijuar, dikushi hesht, e dikush tjetër nuk e gjykonë të arsyshme të shprehet aq shumë !  

Të jemi të sinqertë ! I përpiluar vetëm në ca faqe, nuk ka qenë në realitet aq vështirë që të prezantohet një akt i tillë, siç është platforma, e cila dihet se është një rezultat i një sërë kërkesash të përsëritura që me dekada të tërra. Tjetër është çështja e disa telasheve të krijuara për me bindur dikendin që të ulet në një tavolinë të përbashkët bisedimesh.

Tepër e më tepër është duke u kuptuar se vështirësitë e vërteta qëndrojnë diku tjetër ; prezantimi i dokumenteve të karakterit të tillë kërkojnë një politikë shoqërimi të hapave të mëtutjshme të veprimit, duke mos harruar edhe nevojat e një interpretimi sa më të qartë të kërkesave të integruara në platformë.

Nëse u vërejtë një formë uniteti politik dhe ndërpartiak në momentin e caktuar - aq e pëlqyeshme kjo - duket se në etapat e mëvonshme nuk u tregua i njejti entuziazëm apo dinamikë pozitive që pritej. Kësisojë, jepet përshtypja se dinamika nismëtare e veprimit në këtë fushë e humbi, me keqardhje, peshën e saj me kalimin e kohës. Po, ekziston një angazhim por duket se është larg nga ajo që kërkohet apo që pritet.

Përveç ndonjë premtimi politik, këtu e aty, nuk bie në sy diçka tjetër. Nuk vërehet ndonjë punë më serioze dhe e nevojshme për një mbrojtje konkrete të kërkesave që dalin nga platforma, duket se mungojnë edhe strategjitë për konkretizimin e tyre, sipas kërkesave të kontekstit të krijuar. Ndoshta mungojnë edhe vizionet për adaptimin e disa çështjeve, konformë realiteteve të reja të krijuara. Shkurt, duket se gjindemi përballë një angazhim të zbehtë, jo në përputhje me ate që pritej dhe shpresohej !

Parshtrohet pyetja ; vallë, prioritetet e veprimit politik kanë marrë një kahje tjetër, duke u përqëndruar edhe në interesa të tjera !? Shumë gjëra jo lehtë të kuptueshme !

Në këndvështrimin e perceptimit popullor, nuk është e panevojshme të theksohet fakti se konsensusi partiak shqiptar për propozimin e një platforme nuk u cilësua vetëm si një akt i momentit, i kufizuar vetëm në disa angazhime sipërfaqësore të karakterit politik ! Të shumtë janë ata që shpresuan një angazhim të mëtutjeshëm serioz. Presim pra diçka tjetër, me optimizëm !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat