Shfaqje për ushtarët e lirisë realizuar nën masat e rrepta të policisë

Opinione

Shfaqje për ushtarët e lirisë realizuar nën masat e rrepta të policisë

Nga: Sokol Plakolli Më: 29 prill 2017 Në ora: 09:19
Sokol Plakolli

Nuk është hera e parë që shteti fqinjë Serbia, përmes shërbimeve të saj sekrete që funksionojnë ilegalisht në Kosovë, arrin të fus duart në punët e brendshme të shtetit të Kosovës dhe të manipuloi me institucione të caktuara në momente të caktuara me prapavijë politike. Nuk është as hera e parë që rekrutët e saj ilegal të instaluar nëpër institucione kyçe në momente të caktuara bëjnë shkelje madje edhe shkelje  kushtetuese në dëm të Kosovës dhe në të mirë të Serbisë. Por, është hera e parë që shërbimet e fshehta të shtetit serb përmes rekrutëve të tyre, në momente të caktuara politike arrin të manipulojnë madje edhe me gjakun e dëshmorëve të luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo lojë gjaku, me gjakun e dëshmorëve, ndodhi me datën 28 prill 2017 në institucionin më të lartë kulturor të vendit, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përmes një të ashtuquajture shfaqje teatrore me titull "Ballkan Bordel" (Shtëpia publike e Ballkanit) që mëton të jetë Kosova! Kështu po shkruhet një histori e re e rrejshme për luftën e shenjtë të UÇK së, kjo po ndodhë para syve tanë e ne po heshtim. Nëse nuk heshtë persekutohesh, arrestohesh ose mbahesh në polici. Derisa të lindë fëmiu kopil të cilit do të ja shohim sherrin të gjithë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si një nevojë e pa shmangshme, për t'i bërë ballë dhunës dhe agresionit barbarë serb me tendencë asimilimi, ndaj popullit Kosovarë. Bijtë dhe bijat ma të mira të këtij vendi dhanë jetën që ne të gëzojmë lirinë, që nëpër institucionet tona të flitet shqip. Por në fakt është duke ndodhur e kundërta. Institucionet tona po përdoren për të vënë njollë mbi gjakun e dëshmorit. Kjo tashmë ka ndodhur në institucionin më të lartë kulturor të vendit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Barazimi i gjakut të dëshmorit, martirit dhe heroit me derivatet që shiten në pompën e benzinës, nga vet komandanti i ushtrisë çlirimtare, është përdhosje e dy anshme e vlerës së luftëtarit të lirisë. Luftëtari të cilin nuk e mori vdekja në luftën e shenjtë, përqeshë martirin, luftëtarin e lirisë i cili ra dëshmorë. Citat :" Kurrë nuk shkelim mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, sidomos për pompat e benzinës mos lësho pe komandant ".  Vrasja dhe vëllavrasja e luftëtarëve të lirisë. Shndërrimi i Komandantit në një lopë e cila theret në skenën e Teatrit Kombëtar dhe barazimi i gjakut të lopës me gjakun e komandantëve të luftës së shenjtë të UÇK-së. Është përdhosja më e rëndë që mundë të i bëhet vlerave të UCK-së.  Gjeneralizimi i figurës së komandantit, të cilit pos që i mëveshët epiteti i lopës, i mëveshët edhe epiteti i dhunuesit, pedofil, plaçkitësit dhe matrapazit që vranë njerëz të pa fajshëm me qëllim që organet e tyre të i shes si mall tregu, është i qëllimshëm dhe në moment të caktuar politik. Pra në shfaqjen "Ballkan Bordel" të gjithë komandantët e ushtrisë çlirimtare futen në të njëjtën kornizë, pra personazhi i komandantit në shfaqjen "Ballkan Bordel" nuk i atribuohet një personaliteti apo individi të caktuar por lihet i lirë duke lënë të nënkuptohet se të gjithë komandantët e UÇK së janë njësoi, me që rast fyhet dhe denigrohet rëndë epiteti i udhëheqësve të luftës si të gjallëve ashtu edhe të vdekur. Krejt kjo paturpësi e cila nuk është e tëra, realizohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pikërisht në kohën kur ndaj ushtarëve të lirisë po planifikohet të hapen procedura gjyqësore. Ndërsa "Komandant Lopa" theret në skenën e Teatrit Kombëtar vetëm një ditë pasi njëri nga Komandantët e UÇK së kthehet fitimtarë në Kosovë pas mbajtjes së tij në burgun në Francë me kërkesën e Serbisë. Pra, krejt kjo kronologji ngjarjesh është një skenar, i cili ka për qëllim përdhosjen e vlerave të luftës në një moment të caktuar politik. Maskimi i krejt kësaj fyerje të rendë që i bëhet vlerave të luftës u tentua të fshihet pas faktit se asnjëherë nuk u përmendë UÇK-ja. Por, fakti se ngjarja zhvillohet në Kosovë e Kosova para as pas luftës nuk ka pas ushtri  të dytë, e demanton faktin se kjo shfaqje e realizuar në Teatrin Kombëtarë të Kosovës, nuk ka të bëjë me vlerat e luftës së shenjtë të ushtrisë çlirimtare. Pos tjerash shfaqja fyen rënë edhe vlerat  etike dhe morale të cilat kosovarët i kultivojnë me shekuj.

Organizatat e dala nga lufta të destinuara për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare, janë i vetmi institucion i cili reagoi me kohë për parandalimin e kësaj paturpësie. Por masat e rendit, të  cilat gjithashtu mëton të jenë të manipuluara. Në mënyrë të vrazhdë amputuan reagimet e tyre duke e hiperbolizuar skajshëm shqetësimin e arsyeshëm të OVL-së dhe bashkë me disa mediume që financohen nga Serbia e paraqitën si agresion shqetësimin e tyre të drejtë. Edhe unë si artistë, u mbajta për rreth 5 orë në polici, duke u maltretuar  për domethënien e një fjalie hipotetike të postuar në faqen time të Facebokut, pastaj me shumë mirësjellje dhe dashamirësi më liruan,  vetëm pasi shfaqja kopile arriti të lindë në skenën e Teatrit Kombëtar. Në Teatrin Kombëtar, akoma nuk ishte tharë gjaku i "Komandant Lopës" i derdhur në skenë, nxirje fytyrash, ulej kokash, masa të rrepta policore brenda dhe jashtë tempullit.

Deklarata e Ministrit të kulturës: "Lëreni teatrin të funksionoi i lirë" është, deklarata më infantile e mundshme. Ai me kohë është njoftuar që përmes kësaj "vepre artistike " pikërisht në teatrin Kombëtar të Kosovës, përdhosen vlerat etike kombëtare dhe morale të kombit tonë. Këshilli i Teatrit Kombëtar pos që lejon të kaloi në realizim një tekst jo profesional, të mbushur me gjuhë rrugaçërie, të stërmbushur ma batuta banale, pa asnjë kriter etik profesional, në realizimin e kësaj shfaqje teatrore ku pos tjerash trajtohen vlerat e UÇK-së angazhon një regjisor serb i njohur për skandale, shfaqjet e të cilit disa herë janë larguar nga teatri. Pra krejt kjo përdhosje vlerash kombëtare në Teatrin Kombëtar të Kosovës është e qëllimshme dhe e planifikuar mirë. Rrënjët i ka në këshillin vendimmarrës të TKK-së  i cili përbëhet nga miks figurash prej të cilave disa janë në kundërshtim me ligjin e disa kryejnë funksione paralele janë rekrut të shtetit serb të cilët ilegalisht punojnë për Serbinë, pjesa dërmuese janë servil. E ministri dhe këshilltarët e tij për kulturë po vazhdojnë të heshtin.

E keqja nuk po arrin të ndalet, dhe për këtë jemi fajtor të gjithë. Por e mira e krejt kësaj fatkeqësie është se kjo shfaqje turpi, arriti të shfaqet vetëm nën mbrojtjen e masave të dhunshme policore. Ku salla e teatrit ishte e mbushur me polic dhe shikues të selektuar. Pra shfaqje e cila trajton luftëtarët e lirisë, por që mundë të jepet vetëm nën mbrojtjen e masave të rrepta të policisë! Pas krejt kësaj po ndodhë në teatër deklaratës "Lëreni teatrin të funksionoi i lirë" duhet të ia shtojmë edhe një pasus " Lëreni teatrin të funksionoi i lirë, nën masat e dhunshme të policisë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat