Spaçi, simbol i qëndresës dhe muzeum i kujtesës

Opinione

Spaçi, simbol i qëndresës dhe muzeum i kujtesës

Nga: Mentor Tahiri Më: 20 maj 2017 Në ora: 15:52
Mentor Tahiri

Në takimin tim të parë me realitetin e quajtur “Spaç”, preka dhimbjen dhe vuajtjen e intelektualit shqiptar nën diktaturë. Mbase njeriu e ka lehtë të shkruan për udhëpërshkrimet, vizitat turistike, pushimet vetore a dimërore, shqetësimet e përditshme, politikën, sportin. Të shkruash për Spaçin, është vështirë. Vështirë të ndalësh hovin e ndjenjave, pezmatimit, krenarisë. Gati e pamundur. Spaçi, një vend nga i cili edhe po të shkatërroheshin të gjitha gjurmët e terrorit ndaj intelektualëve, se pushtetet shqiptare të sotme atë duan, sërish do të mbetej aty, kujdestar për të trokitur në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Por jo veç për të përkujtuar atë që diktatura ka ditur të bëjë, dhimbjen dhe urinë. Lugina e vuajtjes e quajtur Spaç, njëjtë si ajo e quajtur Qafë e barit ca kodra matanë, janë të vendosura aty për të kujtuar qëndresën e qindra e mijëra intelektualëve shqiptarë, që patën guximin t’i thonë JO diktaturës, të mos heshtin dhe të mos ulin kokën siç ishte në modën e asaj kohe të pakohë, siç është jo rrallë herë në brishtësinë e sistemeve të instaluara këndej.

Nuk dua të mbaj leksion historie për Spaçin. Për historinë e tij sot nuk mund të flet saktë askush përveç atyre që e kanë mbijetuar, që janë gjallë dhe qëllimshëm të lënë në harresë. Ata janë sot aty për të na treguar edhe për ata që lanë jetën e tyre aty, në vuajtjen e tyre ndërmjet grilave të fjetoreve të burgut ku s’kishte as ajër të mjaftueshëm, torturave nga “uniformat” e regjimit dhe skllavërisë thellë në nëntokën e minierës. Vetëm ata mund të na rrëfejnë e të na i hapin sytë me rrëfimin e tyre. Ata janë heronjtë e qëndresës dhe shpirtit të lirë, janë ndërgjegjja shqiptare që duhet të na tërheqë vërejtjen sa herë në këtë shoqëri shqiptare brenda atdheut tonë të bëra copa nga kufijtë, ka të tillë që kanë humnerën morale brenda vetvetes për të arsyetuar diktaturën.

Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk u ballafaqua me të kaluarën. Nuk është kjo në vazhdën e ndonjë projekti që duke parë përpara të mos shikohet mbrapa. Ballafaqimi me të kaluarën është kompromis elitash e pushtetesh. Për dikë për të ruajtur dinjitetin, për dikë tjetër për të mos diskutuar për të mirat që i kishte shijuar kur shumica po vuante. Ballafaqimi me të kaluarën e diktaturës tenton edhe minimizimin e tragjedisë që ajo ka shkaktuar. Spaçi me godina tani të rrjepura, diku edhe të rrënuara, është dëshmi e qartë e luftës së heshtur që dikush po bën për t’i futur nën dhe përmasat e dhunës. Shoqëritë ku ka një pushtet të vetëdijesuar dhe të mishëruar me jetën e njeriut të rëndomtë, apo edhe së paku vullnet brenda shoqërisë, i ruajnë muzeumet e tyre të kujtimeve, prandaj sot Auschwitzi apo Potoçari ekzistojnë. Për të rikujtuar dhe për të sfiduar. Parakusht për këtë, sigurisht është vullneti i shoqërisë për të rikujtuar dhe aq më tepër për të sfiduar çdo sistem a nënsistem politik që na cenon lirinë.

Të mbijetuarit e Spaçit po qëndrojnë sot për “inat” të shoqërisë, që përvjedhshëm disi tenton për të bërë kompromisin drejt të arsyetuarit të skllavërisë së mbrojtur me ligj. Vuajtja e intelektualëve, këtyre njerëzve të lirë që mendjen kurrë nuk arritën t’ua robërojnë, nuk e lënë të qetë asnjërin në mesin e kësaj shoqërie që arsyeton “parimin” bazë të kundërshtarëve të lirisë që thotë “disa janë më të barabartë se të tjerët” si në novelën Orvelliane. Të mbijetuarit e Spaçit ua marrin pa qëllim lavdinë edhe atyre andej e këndej kufiri shqiptar, që mendojnë se kanë shpikur lirinë ndër ne. Revolta në Spaç dhe ajo në Qafë të barit, janë tregues i një shpirti njerëzor të pamposhtur, si ajo valëvitje treditëshe e flamurit pa yllin komunist, flamurit të revoltës për liri të ngjizur me gjakun e atyre që e ngritën. Liria është vetë guximi për të qenë i tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat