Imoraliteti i fushatës parazgjedhore

Opinione

Imoraliteti i fushatës parazgjedhore

Nga: Nehat Hyseni Më: 23 maj 2017 Në ora: 18:10
Nehat Hyseni

Ethet parazgjedhore e kanë mbërthyer keq Kosovën! 

Si asnjëherë më parë, gazetarët dhe analistët politik, profesorët e artistët me nam, si "të pavarur", iu kanë turrur partive dhe koalicioneve garuese për zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Apo më saktë, partitë e koalicionet ia kanë mësyrë atyre në këtë garë të paskrupullt, duke u shtyrë se kush do i fusë i pari në "rrjetin" e tyre garues drejtë pushtetit.

Paradoksalisht, në mjerimin tonë ballkanik të izolimit e enklavizimit mitik nga bota e civilizuar europerëndimore e euroatlantike, profesioni i politikanit këtu është më i kërkuari.

 Madje edhe biznesmenët dhe miliarderët e përmasave europiane, si puna e Behgjet Pacollit dhe të tjerët, nuk shkapen nga politika. 

Kurrësesi!

 Ia kanë mësyrë politikës si "shpëtimtare" dhe Zot në realitetin e mjeruar në Kosovë!

Në këtë "hallakamë" të turrit drejt pushtetit, si viktimë e parë tragjike edhe kësaj radhe e ka pësuar morali dhe dinjiteti politik, që gjithmonë ka qenë "mall deficitar" tek ne mburravecët dhe moralizuesit e pandreqshëm dhe të pafund, me tërë arsenalin tonë të jomoralitetit e demagogjisë së pafund.

 Korruptimi publik i votës së lirë të qytetarëve ka filluar moti kohë, sidomos me uzurpimin e mediave.

Sa i tmerrshëm dhe i paskrupullt është ky realitet i hidhur, shihet dhe përjetohet e "konzumohet" nga populli i mjerë, në televizionet e paguara me pare të veta, që pa pushim reklamojnë njerëzit, apo familjarët e vet, prindërit e të cilëve "punojnë për Kosovën"! Në "Kosovën e lirë dhe të Pavarur"! 

Por, edhe televizionet "e pavarura" kryejnë shërbimin e vet në funksion të këtij imoraliteti, me "paanshmërinë" e tyre "alla-batonhaxhiu" në TV Klan Kosova, që caktojnë "analiste" politike Besa Luzhën, si e "pavarur" dhe si "eksperte", e cila e vlerëson dhe komenton "profesionalisht" debatin e garuesve politikë! 

Edhepse dihet botërisht dhe zyrtarisht se ajo është më "e varur" politikisht nga Vetëvendosja, madje edhe më shumë se vet Albin Kurti. 

Prandaj edhe me "paanësinë" e saj, si "eksperte" e vlerësoi dhe lavdëroi publikisht, kend tjetër pos Dardan Molliqajn nga "Vetëvendosja".

Haj medet!

 A ka mbetur fare moral dhe deri ku vallë janë kufijtë e idiotizmit publik që na servohet pamëshirshëm?

Kurse, televizioni publik, "RTK1" i paguar me pare të buxhetit të Kosovës, menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit, na paraqitej me reklamën e Kadri Veselit, e stërpërsëritur në top termine, sa shumë i ka kontribuar Kosovës dhe si e lavdërojnë familjarët e tij.

Natyrisht se kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe askund tjetër në Europë. Mbase, paraqet turp dhe akt të papranueshëm e jocivilizues edhe në sistemet diktatoriale të Lindjes së Afërt dhe të Mesme.

Kurse, sa i përket fushatës parazgjedhore, ajo ka filluar shumë kohë më parë, edhepse akoma nuk ka filluar "zyrtarisht". 

Madje, mund të themi se, realisht fushata kurrë nuk pushon në Kosovës dhe zhvillohet edhe prej atyre që me Kushtetutë e kanë të ndaluar, si puna e Presidentit, i cili gjatë tërë mandatit të tij nuk ka udhëtuar jashtë shtetit, sikur të ishte mbyllur dhe izoluar në kafaz. 

Kurse, tani, përnjëherë u bë "i gjallë", duke i realizuar madje dy vizita të njëpasnjëshme! Hajde për hajr! Mashallah!

Se na pati hyrë frika se nuk po guxon me dalë jashtë, edhepse nuk gjëndet në listat e Interpolit si Ramush Haradinaj dhe shokët tjerë tjerë të tij "të luftës".

 Por, druajmë se, meqë i ka kthyer shigjetat kundër BE-së, mbase Kosova do t'i lëshoj fletëarrestet në Interpol edhepse nuk është anëtar. Mbase kundër presidentit të sapozgjedhur të Francës, Macron, si hakmarrje ndaj burgosjes së Ramush Haradinajt!

 Meqë dyshimet janë se aktakuza e tillë mund të jetë "sponzoruar" nga Kosova, zyrtarët europian mund të "flejnë dathë" dhe t'i mbyllin veshët ndaj kundërakuzave kosovare, se për gjithëçka i ka fajet BE.

 Sepse, sipas pushtetmbajtësve tanë Kosova nuk ka korrupcion, por është vetëm "percecion", dmth ashtu "po i duket" zyrtarëve europian. 

Kurse, kauza e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të zgjidhet lehtë, meqë edhe ashtu e kreu misionin e vet për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. 

Nuk e dijmë se si do t'ia bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, apo "Zajednicën", sidomos këtë duhet të na sqaroj Albin Kurti në fushatën e tij për kryeministër.

Por, mbi të gjithat, mbi këtë klasë politike aktuale të Kosovës, që është duke garuar për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 2017, e sidomos koalicionin e "krahut të luftës" PDK-AAK-Nisma, e presin ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale, si "Shpata e Demokleut", që pritet të heqë shumë koka politike, që do e diktoj në masë të konsiderueshme skenën e politikbërjes kosovare në nandatin e ardhshshëm katërvjeçar 2017-2021, si dhe situatën e zgjedhjeve lokale që na presin kah fundi i këtij viti kalendarik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat