Aleanca e medias me pushtetin prodhon autoritarin

Opinione

Aleanca e medias me pushtetin prodhon autoritarin

Nga: Arben Llalla Më: 26 maj 2017 Në ora: 12:18
Arben Llalla

Mediat elektronike dhe të shkruara janë mjetet kryesore të propagandimit të grupeve të caktuara udhëheqëse në kohët që po jetojmë duke ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimet sociale dhe shoqërore. Mediat, në qoftë se zgjedhin t’i shërbejnë pushtetit janë në gjendje të ngrenë apo të shkatërrojnë një grup të caktuar të shoqërisë, duke i shërbyer vetëm interesave të pronarëve të tyre dhe politikës së kontrollit shtetëror. Rezultatet tashmë janë të njohura për opinionin e gjerë, pasi të gjithë ne po e përjetojmë prej shumë vitesh funksionimin e këtij sistemi, i cili nuk garanton zhvillimin e demokracisë, reduktimin e pushtetit dhe të privilegjeve të qeveritarëve, por po krijon një sistem autoritar.

Një propagandë e mirë organizuar që na ushqyen vetëm me lajme hidhëruese siç janë vetëvrasjet, përdhunimet, vjedhjet, atentatet apo kërcënimet. Pra, tema që sjellin plogështi, mosbesim, frikë për të ardhmen duke e çuar masën popullore drejtë një mbyllje në vetvete.

Kështu, njeriu i ndikuar nga kjo trysni e konsideron të kotë dhe humbje kohe për t’u marrë me ngjarjet politike, të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në jetën e tij ekonomike dhe shoqërore. Ky lloj njeriu është kthyer tashmë në një spektator i thjeshtë i ngjarjeve që lidhen me të ardhmen e tij.

Por, ne duhet të dimë se ekziston vetëm një jetë, për të cilën nuk duhet të tolerojmë çdo lloj aleance midis medias dhe pushtetit autoritar. Prandaj, grupet e ndryshme intelektuale demokratike të shoqërisë nuk duhet të lejojnë krijimin e kushteve për caktimin afatgjatë të politikanëve dhe qeveritarëve në pushtet për të drejtuar vendin. Sepse, rezultatet tashmë dihen, ku prej 40 vjetësh shumë vende drejtoheshin nga një grup i vogël njerëzish, të cilët u kthyen në diktatorë të bashkëkombësve të tyre duke bërë krime të ndryshme për të qëndruar sa më gjatë në pushtet dhe krijuar sistemin e trashëgimisë e të nepotizmit.

Në demokracinë e sotme, politikanët autoritarë nuk janë profesionistë, as njerëz që vijnë nga fusha e shkencës së politikës, por ata “gabimisht” u caktuan nga sistemi komunist në ditët e fundit të rrëzimit në fund të shekullit XX. Prandaj, nuk mund të ketë agime demokratike me masat dhe demokracinë e rreme që po zhvillojnë qeveritarët dhe politikanët e sotëm.

Autoritari i sotëm vërehet kudo në media, në qeverisje, në Kuvendin e pluralizmit, ku ky lloj sistemi diktatorial ka treguar shpeshherë me anë të fjalës forcën dhe kërcënimin për likuidimin e mendimit ndryshe. Qëllimi i çdo regjimi autoritar është dorëzimi i shumicës së popullit përmes mohimit të shprehjes së fjalës së lirë dhe të dijes.

Kjo sjell si përfundim dobësimin e mendim kritik ndaj pushtetit dhe krijimin e qytetarit “ideal” që është dëgjueshmëria kolektive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat