Kërcënimi më i madh Shqipërisë dhe Kosovës u vjen nga politikanët shqiptarë

Opinione

Kërcënimi më i madh Shqipërisë dhe Kosovës u vjen nga politikanët shqiptarë

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 26 maj 2017 Në ora: 12:39
Skënder S.Kapiti

Politika në Shqipëri, ky  profesion parazitar; politika, kjo pronë dhe ky “profesion” i politikanëve shqiptarë që nuk kanë skrupuj; profesion i politikanëve të tradhëtive dhe të cilët  nuk kanë as disiplinë, as pjekuri dhe as edukatë fetare,  morale e patriotike si dhe as ndjesi shpirtërore.

Partitë politike, kjo shkollë  e rekrutimit  ku kultivohet  e vegjeton ky profesion.

Marifetet e këtij profesioni janë: mashtrimi, gënjeshtra, hipokrizia, matrapazllëku, hajnija, pabesia e “miqësirave” të pandershme dhe patriotizmi i rrejshëm.

“Profesioni” i kësaj politike është realizimi i qëllimit të vetëm të saj, i cili është:  pushteti, pasurimi, përfitimi dhe punësimi “publik”, por “punësim”  kryesisht i motivuar dhe i paracaktuar politikisht dhe i “kushtëzuar” nga korrupsioni e ryshfeti, klientelizmi dhe nepotizmi.

Dhe prandaj e kanë shumë të vështirë “elita” politike dhe politikanët  shqiptarë që të largohen nga politika, madje, për politikën ata janë të gatshëm ta shesin edhe mandatin, edhe partinë, edhe elektoratin, edhe qeverinë, si  edhe t’i tradhëtojnë interesat publike dhe ato kombëtare.

Kjo është politika njëqind vjeçare e politikanëve në Shqipëri, të cilën e modeluan  fatkeqësisht edhe politikanët e Kosovës, në Shtetin e Ri shqiptar.

Dhe është aktuale edhe thënia e intelektualit të madh shqiptar, Faik Konica për Shqipërinë se:“ U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, dhe u vra nga politikanët”.

Politika presupozon dhe merr përsipër që ajo të zgjidhë probleme dhe problematika, por politika në Shqipëri dhe në Kosovë  është vetë kryeproblemi që shkakton probleme, kriza dhe që kërcënon shoqërinë dhe sovranitetin.

Kjo vjen prej partive politike të cilat duhet të jenë parimi kryesor i politikës moderne por që  ato në fakt nuk artikulojnë as aspirata dhe nuk realizojnë atë se çfarë premtojnë, pasi “elita” politike e partive  politike mashtron, gënjen, korrupton, spekullon dhe interesohet së pari dhe kryesisht për interesa të ngushta personale pushteti dhe pasurimi.

Politika  dhe partitë  politike duke u bërë bashkë si ideologji dhe si organizim keqfunksional  dhe korruptiv ato janë  bërë vetë problemi më i madh që kërcënojnë  shoqërinë shqiptare; në vënd që ato t’u shërbejnë interesave dhe marrëdhënieve jetike shtet-shoqëri  ato shfrytëzojnë dhe  keqpërdorin shoqërinë, shtetin dhe demokracinë.

Partitë politike janë ambienti ku interesat politike  dhe ato materialiste korruptojnë, manipulojnë  dhe spekulojnë edhe me moralin, edhe me patriotizmin, edhe me demokracinë.

 Politikanët apo  më sakt “elitarët” politikanë  janë  individë parazitarë të cilët kanë kohë të ngejshme që të merren me hipokrizira, me mashtrime, me gënjeshtra, me intriga dhe me lloj-lloj matrapazllëqesh e përfitimesh amorale korrupsioni, vjedhjeje, ryshfetesh  e deri me shpifje e sharje të pacipa pasi ata me profesionin parazitar të “politikës”  i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe hallet ekonomike  të një jete pa telashe dhe superlluksoze të tyre, të fëmijve dhe të trashëgimtarëve dhe pse jo edhe të farefisit të tyre.

Këtë profesion “të artë” të parazitizmit politik që u siguron atyre pasuri, privilegje dhe para e poste të larta politike, shtetërore dhe administrative  po ua lënë si trashëgimi grave, fëmijëve, nipave dhe mbesave, farefisit, krushqive dhe dhëndurrve të tyre matrapazët e politikës të cilët e dominojnë politikën shqiptare aktuale sikur të ishim në kohët paramoderne të feudalizmit  europian, bizantin dhe  të bejlerbejve lindorë.

Partitë kryesore politike shqiptare, elita e tyre, janë hijena grabitqare të pamëshirshme  ndërsa partitë e vogla numri i të cilave është mbi 100 , kryetarët e tyre, janë rriqna që edhe ata pijnë gjakun e trupës publike të shoqërisë shqiptare;  parazitizma politike këto të cilat  prej 25 vitesh vetëm sa zhvasin paranë publike dhe grabisin pasuri e mashtrojnë qytetarët; parazitizma politike të cilat  përhapin panik e pasiguri dhe që e mbajnë shoqërinë gjithnjë të aktivizuar me ankthin e pasigurisë së asaj se çfarë mund të ndodhë kohë pas kohe.

Përvoja në Shqipëri por edhe në Kosovë po tregojnë se kur pushtetin e kishte një parti politike ai pushtet degradoi në Diktaturë ose si një regjim politik një partik, Diktatura komuniste e E.Hoxhës e viteve 1945-1990, ashtu si edhe regjimi politik partiak i Sali Berishës në vitet 1992-1997.

Po kështu kanë dështuar edhe të gjitha qeverisjet teknike  si dhe kualicionet qeverisësë të cilat montuan sistemin  e korrupsionit, të politikës së kriminalizuar dhe të sistemit të padrejtësisë  si në qeverisjen me kualicion të PS-së  në vitet 1997-2005; pastaj  qeverisjet e kualicioneve të drejtuara nga PD “Shqipëria po ndryshon” në vitet 2005-2013; si dhe tani 2013-2017  me qeverisjen e “Rilindjes” së E. Ramës.

Këto dështime të politikës vertetohen prej fakteve se Shqipëria prej 25 vitesh akoma nuk ka ndërtuar një shtet ligjor me vlera dhe me standarte moderne shtetformuese, Shqipëria gërryhet nga korrupsioni, droga dhe trafikimi i qënieve njerëzore; shqiptarët e kanë humbur shpresën dhe largohen nga atdheu prej varfërisëm, papunësisë, pasigurisë dhe prej jolumturisë që ka në Shqipëri etj.

Dhe prandaj edhe realiteti i sotëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe ai i dështimit të kualicionit  qeverisës  PDK-LDK në Kosovë  tregon se shqiptarët janë të kërcënuar nga papërgjegjshmëria, nga matrapazllëku i fëlliqur, nga krimi, korrupsioni dhe tradhëtia që atyre u vijnë nga elita politike e partive politike.

A nuk po ndodhin  gjithnjë çudira me politikanët shqiptarë të cilët për interes të ulët, për pushtet, për para dhe për pasuri  menjëherë dhe papritmas tradhëtojnë, shpërfytyrohen, degradojnë, çburrërohen, çfisnikërohen dhe amoralizohen deri në degradim të dinjitetit dhe të virtytit njerëzor dhe në  depersonalizim të shumëfishtë.

Sundimi i shoqërisë nga individë të tillë nuk është edhe rastësi, pasi kjo i ndodh jo vetëm politikës por edhe një shoqërie jo të zhvilluar e jo të emacipuar  sa duhet fetarisht, civilizisht, demokratikisht, ekonomikisht dhe një shoqërie të përçarë edhe nga egoizmi negativ, hipokrizia, servilizmi, nga smira, xhelozia  dhe fanatizmi që pengojnë lirinë e të vërtetës dhe të përparimit të më të mirës.

Dhe prandaj shoqëria e tillë vuan  prej këtyre farë “burrave” të shtetit që ajo mban dhe i zgjedh në krye, dhe a prej këtyre  e pret ajo ndryshimin dhe zhvillimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit ligjor,  luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e  mirëqënies e progresit; prej këtyre farë burrave të politikës e të pushtetit pritet mbrojtja dhe konsolidimi i shtetit, i interesave kombëtare, i pavarësisë dhe i integrimit?

 Nëse pretendojmë që shoqëria jonë nuk është e tillë dhe nuk i meriton të tillët që ta sundojnë dhe ta qeverisin atë, atëhere si ka mundësi që ajo i zgjedh, i mban, i duron dhe i toleron  ajo kaq shumë këta mosmirënjohës, zullumqarë dhe keqbërës të pashpirt?

Dhe a mos i vijnë  shoqërisë dhe shtetit shqiptar të tillët në krye të punëve vazhdimisht ndoshta si meritë por edhe si një “mallkim” edhe të asaj se shoqëria apatike, tolerante ndaj të këqijave  dhe e pajtimit me to nuk meriton për më të mirë?

Elita politike shqiptare, sidomos ajo e diskredituar nga pushteti i saj, nga konsumimi i të qënurit në pushtet në këto vite të tranzicionit, kjo “elitë” është spekulatorja më e madhe me demokracinë, me patriotizmin, me korrupsionin, me varfërinë, me papunësinë dhe sidomos me hipokrizinë; politikë e cila bën çdo lloj amoraliteti dhe pafytyrësie vetëm  për të përfituar pushtet, autoritet dhe pasuri, e cila duhet ndëshkuar ashpër me votë.  Vazhdon...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat