Shqiptarët dhe kultura e protestës

Opinione

Shqiptarët dhe kultura e protestës

Nga: Ndue Dedaj Më: 26 maj 2017 Në ora: 12:57
Ndue Dedaj

Pas marrëveshjes pozitë-opozitë për zgjedhjet e 25 qershorit ka një klimë më besuese mes krahëve politikë, çka do të thotë se terreni i blerësve të votës është minimizuar, aq më tepër që u ashpërsua dhe ligji për abuzuesit me të. Ndaj ngjan pa sens të pyesësh se çfarë humbi e çfarë fitoi kreu i mazhorancës apo ai i opozitës. Nëse gjatë tre muajve përballje, nga dy liderët, mund të ketë patur secili pluset e minuset e veta, sidomos retorikat e ashpra të dyanshme, e sigurtë është se dueti Rama-Basha është i fituar politikisht, ngaqë opozita hyri në zgjedhje dhe u krijua garancia për një proces zgjedhor normal e të pakontestueshëm.

Qëndrueshmëria e protestës së opozitës në këtë rast dha frytet e saj.

Kur është fjala për të demonstruar vlerat e lirisë së individit apo grupimit politik, social, profesional, e para gjë që mund të thuhet është se shqiptarët duhet të mësohen të protestojnë jo njëherë në mot, por përditë, deri sa demokracia e deformuar në këto 27 vite të marrë formë, si ai detali i çelikut në kudhrën e farkëtarit. Zakonisht qeveritë që vijnë krijojnë iluzionin se janë më të mira se ato që shkuan, por shpejt i zë dhe ato për fyti laku i korrupsionit, në përmasa të mëdha apo të vogla. Nuk ka ndodhur që një aradhë pushtetarësh, pasi ka qeverisur katër vjet, le pastaj tetë, të mos ketë dalë e majme ekonomikisht, ku vilat e shtrenjta në kodrat e kryeqytetit apo Gjirin e Lalzit janë gjëja më e paktë. Kësisoj duhet protesta konsistente me shpalim faktesh abuzuese dhe denoncim aferash, me kurajo qytetare e politike, pasi vetëm kështu do të mund të dilet nga ky sistem i kalbur përfitimesh përmes “noterisë” së pushtetit. Diferenca që bën njëri apo tjetri profil shtetari vetëm sa e prish “rregullin” e pasurimit përmes postit shtetëror, por nuk e ndryshon gjendjen në kompleks. Idealistë me veladon shtetëror ka patur në çdo kohë e qeverisje, që nga Luigj Gurakuqi e këndej, ama shtetarë të tillë ekemplarë nuk e shpëtojnë dot nderin e humbur të shpurës së zyrtarëve të korruptuar, për më shumë në kohërat e hashashit “mbarëpopullor”, ku sipas vetë ish-ministrit të Brendshëm socialist, Xhafa, në gjërizet e drogës rezultonin të përfshirë dhe oficerë të Policisë së Shtetit.

Protesta tek ne është e nevojshme të afirmohet si kulturë e re, së pari se vijmë nga mungesa e shoqërisë demokratike, ku dhe fletërrufeja ishte një përdhosje e fjalës së lirë, pasi vetëm formalisht “cilido me guxim e me shkronja të mëdha mund të shkruante ç’mendonte ai për punën dhe për njerëzit”, kur në të vërtetë qëllimi ishte goditja revolucionare nga poshtë-lart e elitës së vendit, afirmimi i kontrollit punëtor mbi burokracinë e Ekzekutivit, ndërkohë që nuk mund të kishte kurrëfarë kontrolli mbi pushtetin e pakufizuar të Komiteteve të Partisë së rretheve etj. Së dyti protesta është e shënjtë ngaqë e drejta e saj në këto njëzet e pesë vite është keqpërdorur skajshëm, duke prodhuar konflikt të dhunshëm jo demokratik e gjer viktima në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ashtu siç protesta duhej të ishte një mjet i fuqishëm në reformimin e drejtësisë në një vend ku gjyqësori është i kapur në të gjithë piramidën. Dita-ditës bëhen padrejtësi mbi njerëzit, nga faturisti i dritave i lagjes, nëpunësit më të thjeshtë te drejtuesit e niveleve të ndryshme. Vetë zyrtarët e rangut të mesëm ankohen se ata më lart ua mbyllin telefonat sapo hipin në pushtet, duke ndërprerë komunkimin me publikun zgjedhor. Vendin e thjeshtësisë dhe “vëllazërisë” elektorale, gjithë përqafime, qoka e selfie, e zë arroganca tipike e pushtetarëve autoritaristë. Deputetë të mazhorancës PS-LSI janë përpjekur të ndërhyjnë pranë organeve arsimore për punësimin e të “vetëve”, por duhet thënë pa sukses, për shkak të zbatimit të portalit “Mësues për Shqipërinë” etj.

Problemi është ende më i mprehtë kur mëndon se po përpiqemi të lëmë pas një histori të frikshme e dramatike protestash, që kanë prodhuar me apo pa dashje “14 shtatorin”, “21 janarin” dhe episode të tjera rrëqethëse, si vetësakrifikimi me djegie publikisht në bulevard i një ish-të dënuarit politik pak vite më parë . Prandaj ende në psikikën tonë përmendja e protestës shkakton shqetësim se mund të ndodhin trazira, por dhe te ambasadat që njoftojnë shtetasit e tyre të kenë kujdes ditën e protestës iks. Opozita nuk e gjeti rrugën e protestës për dy-tre vite qeverisje të koalicionit të majtë dhe erdhi çasti që kulmoi për tre muaj radhazi për të mos u shkulur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” pa arritur kërkesat e saj. Mund të ketë kritika për mënyrën se si u ajo u soll në çadër, duke artikuluar në formë ultimative “qeverinë teknike” dhe bojkotuar Parlamentin, ama mbajti gjallë frymën e shëndetshme të protestës dhe kjo nuk është pak, në një vend ku të gjithë i tremben kundërveprimit të pushtetit. Në këtë vështrim çadra e opozitës shkundi ndërgjegjën e fjetur të shqiptarëve, duke mbetur tash e mbrapa si simbol i fjalës së lirë. Nëse aksioni politik i demokratëve nuk do të ishte i qëndrueshëm, realiteti parazgjedhor shqiptar mund të kishte patur të tjera “kalkulime”, nga njerëz me e pa lidhje me politikën, madje dhe me precedentë penalë, siç vitet e fundit i janë bashkangjitur fort asaj për të përfituar kapital politik etj. Ashtu si dhe më përpara protestat e opozitës së majtë, me apo pa çadër, kanë sjellë zhvillime pozitive. Në protestën e fundit, pavarësisht se çadta ishte ekskluzivitet i demokratëve, kauza ishte e mbarë qytetarëve, edhe e socialistëve - zgjedhjet e lira e të ndershme. Nga ana tjetër, e njëvlefshme me këtë devizë parimore është dhe vendosmëria e qeverisë për miratimin e vettingut një orë e më parë, për ta çliruar drejtësinë nga falangat e padrejtësisë, edhe kjo një kauzë mbarëqytetare, pra dhe e demokratëve. Në fund, përmes paketës së diplomacisë europiane McAllister, rikonfirmuar nga diplomati i lartë amerikan Hoyt Brian Yee, u pranuan kërkesat e dy palëve.

Ama nuk mund të mos vëresh se deri në çastin që u vendos marrëveshja të gjithë bërtisnin si nuk po bien dakord, si nuk po i japin dorën njëri-tjetrit Rama e Basha, si kështu e si ashtu. Kurse me t’u arritur marrëveshja, nisi avazi i kundërt, kush humbi e kush fitoi, s’duhej kështu e duhej ashtu e të tjera. Kishte nga ata që donin t’i shkohej deri në fund konfliktit, a thua se nuk dihet fundi i krizave të tilla, kaosi dhe rrënimi i vendit dhe institucioneve. Më të kënaqurit nga marrëveshja ishin njerëzit e papërfshirë politikisht në asnjërin krah, të cilët nuk kanë llogari në “bankën” e politikës dhe disi qejfmbetës ata të partive, sipas të cilëve liderët e tyre i bënë lëshime palës tjetër. Është e tepërt t’iu kujtosh militantëve se zemreku i politikës është arti i kompromisit dhe se revani populist tashmë është i tejkaluar.

Ka ardhur koha që të kalohet përherë më shumë nga protesta e mirëfilltë politike te ajo qytetare me interes publik. E dëshmon këtë dhe protesta e punëtorëve të naftës, që shtegtuan me ditë e me net drejt Tiranës, edhe pse në dukje një ngjarje periferike. Por me protestën duhet të mësohen dhe bashkitë, drejtoritë rajonale, kompanitë ndërtuese, kur nuk zbatojnë me korrektësi marrëveshjet me komunitetin etj. Ka patur nëpër rrethe protesta, por ato kanë kaluar pa u përfillur sa duhet. Protesta nuk është vetëm tubimi politik në sheshin para Kryeministrisë, që tash 27 vite është bërë rregull i (pa)shkruar. Janë dhe protestat e shoqërisë civile që sikur bëhen sa për t’u regjistruar në kalendar nga forumet që i organizojnë. Forma të protestës janë të gjitha reagimet publike për një qeverisje më të mirë e më të drejtë, edhe ato virtuale. Vitet e fundit është rritur roli i opinonbërjes debatuese në studiot televizive, shtypin e shkruar e online, emisionet investigative etj.

Në një shoqëri të zhvilluar, kur është fjala për interesin publik, bien të gjitha kambanat njëherësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat