Pazari i Milotit, aty ku Shqipëria nuk ka ndryshuar

Opinione

Pazari i Milotit, aty ku Shqipëria nuk ka ndryshuar

Nga: Ndue Dedaj Më: 28 maj 2017 Në ora: 18:32
Ndue Dedaj

Çdo të dielë në të dy anët e rrugës së Milotit zbarkojnë njerëzit dhe gjëja e gjallë, sendet dhe mallrat e ndryshme, përfshi dhe gjithnur rrangullash, se mos prej tyre dalin dy lekë. Nuk është për t’u habitur, shitën aty nga zogjtë e pulës te kafshët e punës, dikush del dhe me një shportë vezë të freskëta bio e dikush me lopën me gjithë viç. E ky është leximi i parë i varfërisë së njerëzve që marrin rrugën për atje. Nuk mungojnë as bimët picrrake, filizat e njomë të trangujve e mollatarëve, shkulur nga vullajët e fushës për t’u mbjellë diku më në thellësi të maleve. Bëhet tregti, më saktë pazar, që do të thotë dhe pak me “të futme”, pasi ata që tregtojnë nuk janë tregtarë profesionistë, po shpesh ta lënë në dorë mallin, të mirë apo të keq, dhe ngasin për në shtëpi me ato dy lekë më shumë në xhep. Qemë kalimtarë të dielën e shkuar dhe ne, në pikun e pazarit, pak para mesdite, por për fat makina me të cilën udhëtonim u vonua vetëm pak në trafikun e improvizuar, pasi nga mjetet që kryqëzohen, hyr e dil, qëllon të qëndrosh dhe një orë i penguar në rrugë mes vapës dhe pluhurit. Megjithatë rrëmuja nuk duket ndonjë gjë e madhe në vendin ku mund të shesësh e të blesh gjithçka në pak orë. Njerëzit ia kanë marrë dorën kësaj mënyre tregtie, si në fillimet e shoqërisë njerëzore, me të vetmin ndryshim se tani tregtohet sipas formulës mall-para, edhe pse nuk përjashtohet në ndonjë rast dhe shkëmbimi në natyrë mall-mall.

Por nuk është mënyra e re apo e vjetër e tregtimit objekti i këtij vëzhgimi, jo, shkaku që morëm të shkruanim është mungesa e kushteve dhe starndardeve të kësaj tregtie të sh’lirë, si dhe e investimeve serioze në një treg publik të këtyre përmasave. Gjendja është aq kritike sa, duke kundruar Pazarin e Milotit, thua Shqipëria nuk ka ndryshuar aspak në këtë qasje, ka mbetur në të parëdjeshmen. Bëhen gjithandej sheshe moderne në qendrat e qyteteve, krijohen ferma të reja të agroturizmit, fabrika të përpunimit të mishit e punishte të bulmetit, të gjitha sipas standardeve, ama pazari më i madh i vendit ka mbetur si në fillimet e shekullit XX kur është krijuar, gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitet 1916-1917, prapë në “luftë” dhe pas njëqind vitesh. Pazari i Milotit asokohe u krijua në një nga fushat më të bukura të zonës, në Lime të Skurajve, për tregtimin e prodhimeve bujqësore, blegtorale e artizanale, duke u bërë shpejt i njohur në shkallë republike si treg rajonal e duke u mbartur më pas për në Milot, një nga qendrat e vjetra të Kurbinit, krahas Delbnishtit etj. E megjithatë tregu nuk mori asgjë nga qyteti ku u vendos, mbeti jashtë kujdesit dhe vëmendjes së shtetit herët e vonë. Edhe pse i rrudhur tej mase, ai nuk e shua krejtësisht as në kohën e monizmit. Aty shiteshin dhe ata derkucat e ndaluar, trejavësh, që shtegtoheshin gjysmëklandestinë në bagazhet e makinave drejt shtëpive rrezë bjeshkëve ku bëheshin 100 kilësh pa përfillur direktivat e Partisë dhe të deleguarit e tufëzave e arëzave.

Ndërkohë që ky treg masiv fundjave mund të ishte ndër pazaret model të republikës, në anë të Rrugës së Kombit, ku njëri nga mbikalimet e saj shërben dhe si strehë për shitblerësit. Ata që ikin e vijnë mbi vetura luksozë, vendas e të huaj, shohin në këtë vend një copë mesjetë dhe nuk përpiqen ta ndryshojnë. E shohin si një copë “tokë të xanun” të njerëzve nevojtarë të atyre anëve. Nuk ndodh të ndalojë aty asnjëherë ministri i Ekonomisë, i Bujqësisë apo i Tregtisë e të shohë me sytë e tij atë “ishull” të pazhvilluar, që pas ditës së tij të lodhshme kundërmon nga era e bajgave dhe mbetjet e lëna nga tregtia në këmbë e në dorë. Se po të kishte ndaluar ndonjëri nga ministrat e sipërthënë, le pastaj vetë Kryeministri, Pazari i Milotit do të ishte nga vlerat autentike të rajonit. E shohin atë copë vend që popullohet njëherë në javë edhe përfaqësuesit e organizmave e fondacioneve europiane që japin grandet e majme të BE-së për Shqipërinë, por dhe ata nuk ndalojnë për t’i ofruar ndonjë projekt bashkisë së Laçit, këshillit të Qarkut të Lezhës, apo ndonjë organi tjetër vendor që do t’ia ndryshonte faqen Pazarit historik të Milotit. Nëse do të kishte ndodhur diçka e tillë, impakti tregtar, social dhe kulturor do të kishte qenë shumë më i madh, pasi dy-tre herë në vit aty mund të zhvillohen panairet e prodhimeve bujqësore, blegorale e artizanale rajonale e më gjerë. Kjo nuk përjashton dhe ndonjë projekt të mundshëm rehabilitues të vetë bashkisë së Laçit, që e ka në administrim, paçka se është një treg rajonal.

Pavarësisht se nga kush, si e tek ka ardhur koha që Pazari i Milotit të shndërrohet në një treg bashkëkohor (pa humbur veçoritë e veta tipologjike), me ndarje, hyrje dhe dalje, rrugica, banakë, rafte, tenda, thertore etj.; duke rënë më në fund dhe ajo shprehja frazeologjike pozhorative “u bë pazar”, dhe pse politika e ditës për fat të keq nuk është as në nivelin e kërkesë-ofertës së njerëzve në qiell të hapur, ku shitet e blihet drith, peshk, groshë, sapun etj., megjithë përbetimin e liderëve fjalëshumë për fatet e vendit dhe të demokracisë. Milotasit shpresojnë që një ditë të mos iu shfaqet më para syve pamja e pandryshuar shekullore e pazarit të tyre, në pikëprerje të rrugëve të Veriut, por sa më parë të ndërtohet pazari i ri me mjedise të përshtatshme për kafshët dhe mallrat, gjithë rregull e pastërti, ku ata që shesin mbajnë veshur bluza të bardha, krahas veterinerëve e personelit sanitar, duke bashkëpunuar ngushtë me inspektorët e ushqimit, punonjësit e tatim-taksave, policët bashkiakë etj., të cilët nuk zhduken sakaq falë rryshfetit që marrin nën dorë, por monitorojnë pazarin gjatë gjithë kohës, duke patur aty dhe kabinat e tyre të biletave, faturave, fletë-gjobave, proces-verbaleve, mundësisht dhe kamerave.

Pazari i Milotit është një identitet i vendit ku zhvillohet, krahas një vargu monumentesh historike të vizitueshme e të frekuentuara atypari si Ura e Zogut, objektesh religjioze të dorës së parë si kisha e Laçit, lagunash turistike tepër të lakmueshme si Patoku etj., çka e bën dhe më të nevojshme ndërhyrjen e shpejtë. Është fushatë elektorale e nuk do ta donim ndonjë premtim të nxituar pushtetarësh, por e vërteta është se nuk ka më kohë për të humbur lidhur me projektin e një pazari modern në Milot, mbase më një status bashkëkohor, atë të panairit të gjesë së gjallë etj., çka i përket Ministrisë së Bujqësisë ta vendosë në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe shoqatat përkatëse, në harmoni dhe me pazare të tjera unikale të vendit, si ai i Roskovecit etj.

Pazaret tradicionale të përjavshëm dhe ato të përdishëm të tranzicionit pa ndonjë fizionomi, që i has në qendër apo në përiferi të qyteteve tona janë ende një shfaqje e pabukur, në mos e shëmtuar e mjedisit urban, por mbase era e re e rivitalizimit të tyre në shkallë vendi ka filluar me rikonstruksionin e Pazarit të Ri të Tiranës vetëm pak kohë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat