Poetët e Facebook-ut

Opinione

Poetët e Facebook-ut

Nga: Ilir Muharremi Më: 29 maj 2017 Në ora: 17:53
Ilir Muharremi

Sipas Aristotelit, poezia është imitim i natyrës, kurse Horaci mendon se ajo duhet të pëlqehet dhe të na jap mësim neve. Ndërkaq, Nietzsche shkruan: “Asnjë artist nuk e duron realen”. Poeti nuk mund të ik nga bota, sepse ta imitoj siç shkruan Aristoteli, duhet ta njohë, ndërsa lexuesit poashtu të kenë njohuri dhe kënaqësi, të gjejnë ngjashmëri me jetët e tyre dhe personazheve. Nietzsche tenton që artisti të abstenojë nga realja dhe asnjë artist nuk mund ta anashkaloj realen, refuzimi mund të ndodh vetëm në mungesë të diçkaje në botë, pikërisht kështu vepron Nietzche.

Krishterët dikur poezinë e përdornin për lavdërimin dhe transmetimin e ndonjë doktrine, por kjo ishte shumë e pasaktë. Në momentin kur poezia filloj të lirohet nga kjo kujdestari, ju kthye kritereve të vjetra. Koha e Rilindjes, poezinë e bënte shumë të bukur,dhe si identifikohej kjo bukuri? E vërteta dhe vetëm e vërteta, gjithashtu raporti i ndërsjellët me të mirën. Unë këto definicione i marr si të pamjaftueshme, dhe njerëzit në vend që t’i hedhin, kënaqen dhe janë dakord me rrethanat.

Koha moderne kërkon të lartësoj përvojën fetare, poashtu edhe artin e vendos mbi gjithçka, në fakt e shenjtëron. Modernia, artistin e shpall krijues, të cilin e krahason me Zotin dhe Zoti këtu është monoteist, si qenie e pafund që krijon një univers të fundmë. Poeti vazhdon së imituari, dhe dalëngadalë i afrohet Zotit duke krijuar poezi të fundme, dhe shpesh bëjnë krahasim me Prometheun. Ose poetët ndjehen gjeni, ngaqë imitojnë gjeniun supremë dhe ideja e imitimit ende edhe sot rruhet shumë. Vendin nuk guxon ta ketë brenda në thelb të veprës dhe tash zë vend në prodhim të veprës. Krijuesi-poeti duhet ta kërkoj në vete lidhjen e krijimit e jo përshtatjen e cila i rri bukur natyrës.

A u shkëput poezia nga vizioni klasik? Poetët mendonin se poezia ka për qëllim jo të imitoj natyrën (siç pohonte Da Vinçi), as ta edukoj njeriun, por të shpërndajë bukuri. Bukuria asnjëherë nuk mund të udhëheq diç që qëndron përtej saj, dhe vërtetë s’ka asgjë mbi bukurinë, këtu poezia e kuptoj të vërtetën. Ky interpretim i bukurisë ndodhi në shek. XVIII, dhe është vërtetë laik sepse lartëson prapë idenë e hyjnisë. Teoriticientët asgjë nuk bënë më shumë se mendimtarët e shek. IV të cilët mendonin se vetëm të kënaqurit me Zotin duhet t’i mjaftojë njeriut së shijuari, kjo i bie ta duam vetëm këtë. Mendimtarët e shek. XVIII e kthyen anën e kundërt të mesjetarëve të cilët i zhvendosnin bukuritë Platoniane në sfera fetare. Vetëm Platoni përshkruan njeriun e mjaftueshëm me vetveten duke kërkuar mënyrën e përkryer. Ai nuk ka nevojë më për asgjë. E bukura pra na del fituese në raport me krijuesin, dhe krijues më nuk i afrohet Zotit, por vepra e tij përmes idealizmit. Shekujt XVII-XVIII respektonin estetikën, gjykonin shijen dhe krijonin kuptim në të bukurën. Nuk do të thotë kjo që njerëzit e më hershëm nuk kishin shije për të bukurën natyrore.

Platoni bukurinë e përzien me të vërtetën, dhe vetë bukuria s’ka kuptim pa të vërtetën. “Fshatari mund të admirojë formën e bukur të mjetit të tij bujqësor, por ky i fundit para së gjithash duhet të jetë i dobishëm”, shkruan Tzvetan Todorov, teoricien letrar. Rrënimi i vlerave estetike në dobi të atyre pragmatike. Pisarev-i thekson: “Më shumë do të dëshiroja të isha një këpucëtar rus sesa një Raphael rus”. Camus-i këtë e vlerëson se për të , më të vlefshme janë një palë çizme sesa Shakspeare-i. Këpucëtari nuk e mallkon Shakspearen, përkundrazi ai që vazhdon ta lexojë Shakspearen. Besimtari në kishë është i kënaqur me muzikën që dëgjon, kjo harmoni vihet në shërbim të fesë. Në fakt, poeti revolucionar braktis krijimin, adapton fuqinë e marrësit si interes të bukurisë.

Këtu kemi edhe pasoja të mëdha. Arti ndahet nga krijimtaria, që dikur artisti qe në shkallë të lartë superiore, e tashmë është zanatçi dhe teknikë. Artisti vërtet është një zanatli i mirë, mirëpo nëse i shikojmë nga këndi i krijimit, pastaj prodhimit, zanatliu nuk e përkrah artistin, sepse zanatliu krijon gjëra vetëm të nevojshme, derisa artisti për kënaqësi estetike shpirtërore. “Njëri i bindet interesit të tij, tjetri rri fare i painteresuar”, shkruan Todorov. I pari me logjikën e shfrytëzimit dhe përdorimit, i dyti në të shijuarit dhe ëndërruarit. I pari është shumë njerëzor, tjetri i përket një bote të kundërt: hyjnore. Duhet besuar nganjëherë se arti është drejtim i kundërt me realitetin.

Poetët e Facebooku-t

Poezia sot po zhvillohet edhe në Facebook dhe po shprehet përmes fjalës së lirë, por po harrojnë poetët digjital që poezia është tingull, tablo përfytyrim i përcaktuar e i qartë. Shkrimtarët e parë komercialë ja mësyjnë Facebook-ut për tu promovuar. Letërsia e Facebook-ut është e çastit dhe gjithmonë vargjet janë të shkurtra, ose duhet të thuash shumë me pak fjalë. Facebook-u po shfrytëzohet si revistë ose gazetë në kërkim të pëlqimeve të shumta. Pëlqimet bëhen në suaza shoqërore dhe gjithmonë vendin e parë e zënë pëlqimet sesa vargjet. Harrojnë që poezia realizon domethënien e ideve me anën e së jashtmes, organizon botën shpirtërore në figura të përcaktuara plastike. Poezia shkruhet, por kuptimi i ndërron gjatë interpretimit. Besohet interpretimi.

Facebook-u më shumë përdoret edhe si testues i vulgaritetit megalomaninën vipomaninë etjen për të qenë në qendër të vëmendjes. Këta poetë janë idiot elektik. Idioti më i madh përmes Facebook-ut ka hapësirë për ta promovuar veten. Këtyre pseudoshkrimtarëve lexuesit e librarive u kanë kthyer shpinën dhe domosdo insistojnë në muret e tyre të imponojnë vargjet. Mos të hyjmë në hak, ka edhe letërsi cilësore. Por, pseudopoetët e Facebook-ut frikësohen nga mosnjohja, ose injorimi dhe frika nga qefini i harresës. Ata duan që të tjerët ta pëlqejnë sa më shumë këtë letërsi virtuale dhe pak i pranojnë komentet kritikuese ose kanë frikë se vargjet e tyre nuk mund të dëgjohen nëpër mbrëmje poetike për shkak klaneve dhe e shohin Facebook-un si mundësi të mirë për promovim.

Kjo botë e Facebook-ut ku të gjithë shtyhen me bërryla për tu duk pakëz është shumë groteske dhe ky planet depresiv nxjerrë vetë poetët, ose nga kjo  ata imitojnë poezinë, por nuk e krijojnë. Janë poetë të krijuar nga profili i tyre i Facebook-ut. Lista është shumë e gjatë e tyre, shprehen pa pengesa e hierarki. Poezia rrezikon nëse kalon pa kritere të jashtme të përzgjedhjes. Këto karriera online janë bërë produktivitet vrasës i krijimtarisë dhe poezisë së mirëfilltë. Kam dëgjuar dikund se poezia e gjen vet lexuesin dhe ata lexues janë pa rregulla shpirtërore e artistike. Poezinë e Facebooku-t mund ta lexojmë në çdo cep të botës, kurse poezinë në letër vetëm lexuesit e interesuar. Shkrimtarët e mëdhenj kanë lexuesit e tyre. Shpesh me duket sikur librat më thonë: “Na lironi nga ky krahasim absurd”. Librat nuk krahason me askënd sepse shkronjat prekën, ndjehet aroma e letrës dhe vargjet vijnë si këngët, kanë melodi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat