Politika, “banka” që krediton anonimët

Opinione

Politika, “banka” që krediton anonimët

Nga: Ndue Dedaj Më: 30 maj 2017 Në ora: 08:59
Ndue Dedaj

Është folur e shkruar shumë këto vitet e fundit se kemi një përfaqësim parlamentar të padenjë, pa mohuar profile të veçanta deputetësh të zot dhe me integritet. Nuk ka qenë vetëm problemi i disa deputetëve me precedentë penalë, që i largoi ligji i dekriminalizimit. Listat partiake të mesnatës para regjistrimit iu kanë imponuar zgjedhësve më së shumti deputetë mediokër, që nuk mund t’i sillnin asgjë institucionit ligjbërës, pos ngritjes së dorës sipas urdhërit të partisë. Në Parlament mund të hynte kushdo, përveç elitave, ndaj ishte e shumëpritur që në këto zgjedhje të dilej nga ky nivel i ulët përfaqësimi, por dhe kësaj here listat sollën jo pak zhgënjim e deri dorëheqje. Thjeshtë u penguan njerëzit me probleme me ligjin dhe thuajse asgjë më shumë përsa i përket cilësisë së kandidatëve për deputetë, me përjashtime të rralla. Kjo se liderët kanë ca llogari “personale” që qytetarëve nuk iu hyjnë në punë: Ramës i duhet shumicë kartonash të bindur dhe për katër vitet e ardhshme, ashtu si Bashës i nevojiten po kartona të bindur për të krijuar lobin e vet parlamentar post Berisha, pa kundërshtarë. Shihet qartë se dy krerët më të lartë politikë nuk i kanë si referencë standardet europiane parlamentare e as historinë më të mirë të parlamentarizmit shqiptar. Parlamenti që po ikën ishte në nivelin më kritik të mundshëm, kishte prekur fundin, por, pa dashur të paragjykojmë, sa shihet nga listat fluide, as i riu që do të dalë nga votimet e 25 qershorit nuk do të mund të jetë përfaqësues i shqiptarëve. Duam të hyjmë në BE një orë e më parë deklarojnë tash e parë Rama, Basha, Meta etj., po a iu ka shkuar ndërmend t’i ballfaqojnë listat e deputetëve të tyre anonimë me ato të cilitdo vendi anëtar i BE-së?!...

A thua është rastësi që Parlamenti në tëresinë e tij është në këtë farë dite! Kanë kaluar 27 vite dhe nuk janë më ato që kanë qenë as vetë PS e PD, mos të duket çudi, dalëngadalë as si emër. Ka katër vite që Edi Rama po rreket të ndërtojë partinë e tij socialiste me emrin “Rilindja” me bazë rilindësit e rinj të Bashkisë së Tiranës, që kishte drejtuar për 11 vite, të cilët ndoshta kurrë më parë nuk e kishin menduar se një ditë do të ishin në kryekreun e një parti politike të madhe, deputetë e ministra të saj. Këta nuk ishin zgjedhja e Partisë Socialiste, por vullneti i shefit të ri të socialistëve, i cili të parin kishte hedhur pas krahësh, ish-kryetarin, Fatos Nano, atë që e kishte përfshirë në politikë duke e bërë ministër Kulture. Lulzim Basha prej tre muajsh ka folur për “Republikën e re” dhe kur shpalli listën e deputetëve la jashtë deputetët e “republikës së vjetër”, as më pak e as më shumë, por disa syresh themelues të Partisë Demokratike, 15 vite më parë se ai të trokiste në dyert e saj përmes KOP-it. Mbeti vetëm Sali Berisha, i shtati në listën e Tiranës, por jo dhe figura të tjera të njohura të kësaj partie dhe të së djathtës në përgjithësi si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi, që nuk mund të konsiderohen ndër të vjetrit e kësaj force politike, përkundrazi; ndërkohë që Basha bëri vend për aleatët që nuk nxjerrin dot deputetë as kryetarin e partisë (!?), diku-diku me bujari të tepruar, duke i lënë tre vende partisë minore të agrarëve. Kjo ndodh se fuqia politike është përqëndruar në një dorë dhe nuk mblidhën më për të marrë vendime forumet e larta partiake, të cilat janë aq inekzistente sa të zgjedhurit në to nuk kandidohen për deputetë etj!

Me këtë nuk themi aspak që nga radhët e “senatorëve” të majtë apo të djathtë të mos ikin disa e në vend të tyre të vijnë të tjerë. Problemi është kush po ikën dhe kush po vjen. Ikin Dade e Dokle, por mbeten në grupin parlamentar socialist ish-funksionarë të Partisë së Punës. Ky është një problem politik e moral, pasi një konservatorizëm i tillë vazhdon t’i japë demokracisë fytyrë moniste, ku të njëjtat figura si dikur mplakën në poste partiake a shtetërore. Nuk i pranon më koha politikanët e stërkonsumuar, as në PS, as në PD, as në LSI, as në partitë e vogla të “plakura” prej vitesh si PSD, PR që nuk mbahen dot në këmbët e veta, por vetëm me “vitamina” nga të mëdhenjtë. Nuk është e rastit që ato janë shpërndarë si “zogjtë e korbit”, sa në kërkim të një foleje të majtë, sa në kërkim të një foleje të djathtë. Por, aq sa ç’është evident largimi i “xhaketave të vjetra” që i janë bërë barrë shoqërisë shqiptare, aq e pamotivuar është sjellja e fytyrave të reja anonime. Natyrisht, te këta të fundit, duke mos qenë problemi mosha përgjithësisht e re, por mungesa e përvojës dhe e afirmimit politik e publik. Dikush mund të thotë, e po të vjetër s’i doni, as të rinj jo, nga do t’i marrim deputetët? I duam të vjetër, por jo të vjetruar e të harruar nëpër poste! I duam dhe të rinj, por që ta kenë krijuar më parë individualitetin e tyre profesional dhe intelektual, pasi Parlamenti nuk është për të kryer aty masterin. Nga një vrojtim kalimthi i CV-ve të deputetëve/ kandidatëve, nuk mund ta kuptosh pse kemi kaq shumë policë-deputetë, kur mund të kishte më shumë juristë, analistë, profesorë etj. Ashtu siç kemi patur gjithënjë mjekë me shumicë në Parlament dhe, nga ana tjetër, një sistem shëndetësor përherë problematik!

Vetëm në politikë mund të hysh nga dritarja, pa trokitur më parë në derë, pa i ngjitur shkallët një e nga një, pa biografi të spikatur, pa përvojë në shërbesën publike, veç me diplomën e shkollës së lartë dhe ndonjë trajnim, përndryshe, mjafton që ta zgjasë dorën dikush atje lart dhe ti bëhesh deputet, kryebashkiak, drejtor i madh, ministër. Karriera e ndershme është një fjalë gojë, ka individë që kanë shërbyer në partitë e tyre me vite, me kurajo, me përballje, me vizion, po kur hartohen listat, ata mbetën jashtë, triumfojnë të fortit, njerëzit me miq e më para. Nuk i ke këto, kot që i qasesh politikës. Dhe sidomos po qe prishur me kryetarin harroje se do ta kesh emrin në listë! Në fillimet e demokracisë kërkohej me ngulm përfaqësimi politik me figura të njohura të jetës publike, individë të lidhur me botën akademike etj., kurse tash kjo kërkesë ka rënë. Punë numrash është tani, i bën apo jo 71 mandate, kjo është çeshtja, po se me çfarë i bën, nuk ka kurrëfarë rëndësie. Me grurë apo theker. Me shalqin apo apo me kungull. Me dardha apo me gorrica. Por nuk është kjo ajo që duan shqiptarët. Europa. Amerika. Ata nuk mund të bien dakort me profilin jo publik të kandidatëve për deputetë, që nuk i njeh as lagjia. Po ashtu, ata nuk mund të jenë në një mendje me qendrën që postet e ministrave, politikë apo teknikë, t’i marrin njerëz që nuk kanë kurrëfarë emri publik. Se atëherë ku është konkurimi? Kur kjo nuk bëhet për 15 apo 20 anëtarë qeverie, si mund të kërkohet për mijëra mësues e mjekë, qindra gjykatës e policë etj. Nuk mjafton ta kesh emrin të shkruar në xhepin e vogël të Bashës apo Ramës që të marrësh portofol ministror, të shkruhesh në listë për deputet, të vesh ambasador etj.

Pavarësisht kanaleve të politikës, formate të tilla të larta drejtuese janë monopol i publikut shqiptar, i qytetarëve. Një ministër që nuk e bën diferencën nga profesionistët e tjerë të fushës dhe jo vetëm nuk mund të komunikojë me elitat politike, profesionale, mediatike. Nuk është si në monizëm që bënte vend karrigia (“fol karrige, fol” - është një batudë e asaj kohe), tani ministër apo deputet je aq sa ç’je ti vetë personalisht. Vetëm në Shqipëri dikujt-dikujt i ndërpritet karriera politike nga vullneti i liderit të partisë e dikujt tjetër i dhurohet pushtet, si dhuratë e rënë nga qielli. Është e kuptueshme pas kësaj se pse nuk i qasen politikës figurat e shoqërisë civile, se nuk duan të përdorën prej saj. Vetëm tek ne nuk është kuptuar se është politika ajo që ka nevojë për njerëz të njohur të botës akademike, shkencore, mediatike, artistike, por dhe të biznesit etj. dhe jo këta të fundit për politikën si karrierë, se fundja këta e kanë krijuar “partinë” e tyre. Mirëpo ka gjasë që ende në kokat e reja të shefave të politikës të ekzistojë e kamufluar mendësia e vjetër, se jemi ne, pa janë këta. Prandaj nuk është e rastit që njerëzit e ardhur thjeshtë nga politika në Kuvendin e Shqipërisë e ngrenë zërin më shumë se profesorët, ua marrin fjalën nga goja të urtëve, tregohen më të zellshëm se të tjerët në aksionet politike, përpiqen që të jenë gjithnjë në vëmendjen e shefit etj., sepse ky është instinkti i mbijetesës politike të mediokërve.

Së fundi, mbase ndokush nga ata që merren me historinë e Parlamentit të tranzicionit, jo thjshtë për kërshëri të lexuesit, do të hartojë listën e ish-deputetëve VIP-a që shefat e partive të tyre i kanë përjashtuar nga grupi parlamentar, nuk i kanë rikandiduar etj. dhe atëherë do të ishte një përballje e elitës politike të përjashtuar me anonimët e thirrur në vend për të qenë, karton-ngritës të palodhur. Ku ta gjesh një “bankë” të tillë politike që të krediton nga hiçi...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat