Çka nënshruan Kryeministri, Isa Mustafa dhe tani Presidenti, Hashim Thaçi

Opinione

Çka nënshruan Kryeministri, Isa Mustafa dhe tani Presidenti, Hashim Thaçi

Nga: Ragip Guraziu Më: 30 maj 2017 Në ora: 11:24
Ragip Guraziu

Marrëveshja për Asociacionin dhe Demarkacioni,nënshkruar nga Kryeministri në largim, Isa Mustafa,dhe  Presidenti i tanishëm Hashim Thaçi, në atë kohë zëvendës i Isa Mustafës, që mban datën e  25 gusht 2015, në Bruksel, u nënshkrua Marrëveshja e Asociacionit dhe të nesërmen e asaj dite, në Vjenë, u nënshkrua Marrëveshja e Demarkacionit. Që rezultoi,me aktivitete të shumta politike ku përfshihen aksione e protesta masive, gazi lotsjellës që i pamundësoi seancat e Kuvendit, fjalimet e ashpra politike, përfshirja e ekspertëve në debate, dhe, së fundmi edhe hedhja e bombave. Këtu do të përshkruajmë risitë e kësaj krize politike.

Kjo bëri që interesi publik të rritet në masë të madhe?!

U organizuan shumë debate për çështjet në fjalë  dhe interesimi tek qytetarët  tregonin se; Marrëveshja për Asociacionin u dërgua në Gjykatën Kushtetuese e cila i gjeti një mori shkeljesh të ndryshme dhe propozoi rinegocim të saj. Sa i përket Demarkacionit, ai u kundërshtua edhe nga gjeografë, gjeodetë e juristë të ndryshëm të cilët mendojnë se Komisioni Shtetëror ka bërë gabime serioze dhe se Kosova i humbë 82 km2 nga territori i saj.

E para gjë që duhet përmendur është bashkimi i partive opozitare. Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma u njësuan në kundërshtimin e marrëveshjeve. Ato qëndruan të njësuara madje edhe në veprimet më radikale që janë parë ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës. Gazi lotsjellës hidhej nga deputetët e të trija partive, pa dallim. Bashkëpunimi i tyre ishte mjaft i frytshëm edhe në organizimin e protestave, në të cilat, morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë.

Opozita e bashkuar e ka lëkundur seriozisht qeverinë, pikërisht përmes pamundësimit të seancave dhe protestave. Presidenti i tashëm Hashim Thaçi, në atë kohë zëvendës i Isa Mustafës, pas protestës së madhe të 17 shkurtit, i nervozuar, kishte provokuar rëndë duke iu thënë protestuesve dhe krerëve të opozitës “qyqarë që ikin me bisht ndër shalë”.

Opozita ishte treguar mjaft e suksesshme në shtyrjen përpara të kauzave të saj kundërshtuese dhe kishte arritur që të paralizonte punën në Kuvend për një kohë të gjatë. Sukses i madh i tyre mund të konsiderohet edhe përftimi i një interesi dhe serioziteti më të madh publik për këto dy marrëveshje.

U organizuan shumë debate për çështjet në fjalë dhe interesi publik u rrit në masë të madhe. Marrëveshja për Asociacionin u dërgua në Gjykatën Kushtetuese e cila i gjeti një mori shkeljesh të ndryshme dhe propozoi rinegociim të saj. Sa i përket Demarkacionit, ai u kundërshtua edhe nga gjeografë, gjeodetë e juristë të ndryshëm të cilët mendojnë se Komisioni Shtetëror ka bërë gabime serioze dhe se Kosova i humbë 82 km2 nga territori i saj.

Por, të dyja marrëveshjet janë mbështetur nga ShBA-të dhe BE-ja. Madje, ambasadori amerikan Greg Delawie, nuk ka ngurruar t’i quaj aktet e opozitës të “neveritshme”. Bombat e hedhura së fundi në RTK dhe Kuvend, e kanë nxitur ambasadorin për të dënuar jo vetëm aktin, për të cilin nuk ka ende të dyshuar, por edhe “gjuhën e urrejtjes”. Dhe me gjuhë të urrejtjes ai nënkupton konkretisht gjuhën e kundërshtimit opozitar. Delawie është shndërruar në mbrojtësin kryesor të këtyre dy marrëveshjeve duke i sulmuar mjetet e opozitës dhe duke i cilësuar veprimet e saj si antidemokratike.

Kjo përplasje njëvjeçare ka pasqyruar më qartë se ndonjëherë tjetër ndarjen e mjeteve, qëllimeve dhe arsyetimeve të palëve në përplasje. Qeveria e përdor vazhdimisht forcën e numrave ndërkohë që Opozita e ka bllokuar atë forcë përmes gazit lotsjellës dhe protestave. Qeveria e thekson rëndësinë e madhe të Integrimeve, ndërsa Opozita e thekson rëndësinë e madhe të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit. Natyrisht, këto dy çështje nuk ndeshen me njëra tjetrën por është prioritizimi ai që ngre këto ndeshje.Por jo vetëm.

Për Vetëvendosjen Kosova nuk përfaqësohet si duhet në bisedimet me Serbinë për shkak se përfaqësuesit janë të korruptuar dhe lehtë të shantazhueshëm. Ndërkaq për Qeverinë, Vetëvendosje mund të prishë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj. Shohim sesi, përplasja është rravguar edhe në përfytyrimet që këto pushtete arrijnë të ndjellin. Në një anë, e kemi Kosovën pa marrëdhënie ndërkombëtare ndërsa në tjetrën, Kosovën përjetësisht të nënshtruar duke bërë kompromise të dhimbshme me Serbinë.

Bisedimet

Duhet thënë se Qeveria është formuar nga koalicioni i dy partive më të mëdha në vendin tonë PDK dhe LDK. Në këtë kuptim, Qeveria është mjaft demokratike dhe legjitime. Ajo e përfaqësonte shumicën e votuesve në Kosovë. E megjithatë, u mësua se veprimet e saj nuk mund të përligjen thjesht nga votat por edhe nga argumentet. Përplasja e shpërfaqi gjithë kompleksitetin e demokracisë duke treguar më elementaren, se ajo nuk është e përbërë vetëm nga numrat dhe zgjedhjet. Por mbi të gjitha, nga argumentet dhe e drejta. Qeveria si kurrë ndonjëherë, përveç arrogancës së numrave është rrekur të artikulojë qëndrimet e saj.

Për herë të parë, për një çështje të bujshme është organizuar edhe një debat midis ekspertësh. Më e pakta që mund të thuhet për mjetet jodemokratike të opozitës është se ato e mundësuan një transparencë të madhe për çështje tepër me rëndësi për vendin tonë. Dhe madje, e shtruan nevojën për transparencë në të ardhmen dhe e ngritën shqetësimin për jotransparencën e gjithë kompromiseve dhe vendimeve që i kanë marrë qeveritë e Kosovës në të kaluarën.

Ajo që e habitë secilin këto ditë, është ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar në ato që quhen çështje të brendshme. BE-ja e diskriminon Kosovën duke i vendosur për liberalizim vizash, një kusht të cilin nuk ia kanë vënë asnjë vendi tjetër. Por, pse qytetarët e Kosovës qe një kohë të gjatë janë të vetmit në Evropë që kanë mbetur të izoluar me regjim vizash?

Përgjigjja duhet të thuhet troç. Megjithëse Qeveria e stërthekson çështjen e integrimeve, ajo ka dështuar në këtë aspekt. Madje, ka dështuar plotësisht. Liberalizimi i vizave është premtuar nga Thaçi që në vitin 2010 dhe nuk është realizuar. Kosova ka dështuar të faktorizohet në këto marrëdhënie dhe për rrjedhojë është diskriminuar. Thaçit si kryeministër i janë refuzuar një duzinë kërkesash për vizita pikërisht në këto vende aleate.

Kjo parakupton se Qeveria i ka materializuar përfytyrimet që dëshiron të ndjellë për Lëvizjen Vetëvendosje si subjekt që pëfaqëson opozitarizmin aktiv. që Ajo nuk ka forcë të kërkojë riformatim të bisedimeve, nuk ka forcë të shtyej Kosovën drejt zhvillimit ekonomik dhe nuk ka forcë të luftojë korrupsionin, të cilin zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden e quajti me të drejtë, kancer të shtetit.

Kosova nuk po e ndryshon rënditjen midis vendeve më të korruptuara. Përveçse e korruptuar, pozicioni i saj ka bërë që ajo edhe të diskriminohet skajshëm. Kjo i ka shpërthyer përplasjet e brendshme sepse dëmet janë bërë plotësisht të qarta. Qytetari tipik i Kosovës, i gozhduar para televizorit dikur, megjithatë është bërë më i angazhuar. Ka marrë pjesë në protesta dhe aktiviteti i tij është mjaft i dendur për këto dy çështje, në rrjete sociale.

Kriza politike e këtij viti ka shtruar kërkesën që njerëzit të jenë më të përgjegjshëm dhe të mendojnë përtej mënyrave të ngurtësuara të mendimeve komune.

Përpjekjet vazhdojnë. Ndërkohë që koalicioni ka intensifikuar përpjekjet për ta shtyrë drejt ratifikimit Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, pikërisht në ditën kur parashihet ratifikimi, më 1 shtator, Vetëvendosje e vetme, pa AAK-në dhe Nismën, ka paralajmëruar protestë për ta evituar ratifikimin e marrëveshjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat