Për të menduar dhe medituar në botë e gjithësisë

Opinione

Për të menduar dhe medituar në botë e gjithësisë

Nga: Dedë Palokaj Më: 19 qershor 2017 Në ora: 08:21
Dedë Palokaj

Prej nga jeta dhe dialektika e jetës? Prej nga origjina e botës dhe njeriut, struktura e fizikës dhe metafizikës, e pashmja dhe e papashmja? Kur dhe kush e krijoi gjithësinë e pafund? Kush qëndron prapa gjithësisë? Prej nga zanafilla e ligjeve të natyrës? Si u rregullua gjithësia në mënyrë të përsosur teknike dhe artistike që riprodhon jetën? A u krijua jeta vetvetiu nga materia e pa jetë? Kushë është autor i krijimit të gjithësisë dhe i jetës?

Qasja e krijimit është qasja më e përhapur ndër njerëzit. Megjithatë njeriut i është dhënë mundësia për të menduar dhe medituar. Njeriu pa medituar mirë në mënyrë të vetëdijeshme dhe të mençur për ekzistencën, për botën, për njeriun dhe për ambjentin që e rrethon kurrë nuk do të mund ta shoh realitetin apo të ketë ide më të vogël pse është krijuar bota dhe kush është ai që bën këtë rregull të madh të lëviz më aq ritëm të përkryer.

Natyra nuk ishte e përjetshme Në fillim nuk kishte asgjë. A nuk është kjo e vështirë për t’u kuptuar?! Përpjekja jonë për ta kuptuar fillimin e gjithësisë, fillimin e sistemit diellor, tokës dhe jetës si dhe shprehja “në fillim” pandërprerë na sjell në botën e hapësirës dhe të kohës.

Ajo që njeriun e dallon nga gjitha krijesat në botë padyshim është ndjenja e kohës dhe hapësirës. Njeriu jo vetëm që është qenia më e përsosura në botë, por është edhe më e fuqishmja që ka pushtet të madh të sundimit dhe të krijimit i cili jo vetëm që kujdeset për mirëqenien e vet por është kureshtarë të dijë se ku i ka rrënjët gjithësia, krijimi dhe jeta në përgjithësi.        

Kush e vështron vetëm pakëz më me vëmendje dhe më gjerësisht vetveten dhe botën rreth vetes, lehtë vëren se e tërë gjithësia është e gërshetuar me fshehtësi të panumërta; lehtë vëren se si bota rreth tij madje zhytet në detin e fshehtësisë. Isak Nnjutni fizikant, astronom, filozof dhe matematicen anglez thotë: “Unë e di ligjin e fuqisë tërheqëse (gravitacionit), mirëpo po të më pyeste dikush ç’është kjo fuqia tërheqëse, unë nuk kam asnjë përgjigje”. E tillë është (mos)dija jonë për gjithë energjinë në përgjithësi.

Sipas mendimit të astronomëve, gjithësia është vepër e paskajshme. Edhe përkundër të arriturave të astronomisë, misteri i pafundësisë së gjithësisë është i pallogaritshëm dhe njohuria shkencore përherë mbetët si në hapa fillestarë. Sepse, njohja jonë është e kufizuar dhe asnjëherë nuk mund t’a zotërojmë krijimin për t’a bërë të njohur plotësisht. Bukuritë, çudirat dhe misteret e natyrës dhe të gjithësisë nuk kuptohen asnjëherë. Gjithësia është përfundimtare, por pa kufi, thotë nobelisti për fizikë A. Ajnshtajn. Bota e pafundme nuk mund të njihet ndonjëherë deri në fund. Nga kjo del se asaj që nuk i dihet fillimi, nuk i dihet as mbarimi.

Mirëpo, nga përvoja jonë njerëzore dimë se çdo gjë e ka fillimin dhe mbarimin e vet. Shtëpia, rruga, lisi, mali, pema, jeta e njeriut e kanë fillimin dhe mbarimin e vet. Çdo kund rreth nesh diçka krijohet e diçka tjetër eleminohet, lind dhe vdes. Vështirë është të kuptosh të pambaruarën - jetën pa kufi. Përse është gjithësia? Gjithësia e paskajshme na gëlltit nga çdo anë, thotë Blaise Pascal, filozof dhe fizicient.

Sa më thellë depërtojmë në thellësitë e hapësirës, aq më shumë hasim në hapësira të tjera të paskajshme të gjithësisë. Askund skaj hapësira! Ç’është ky oqean i pafund? Karshi këtij pambarimi, njeriu ndihet tepër i vogël, i shtangur dhe si i pa gojë kur e shikon veten në gjirin e natyrës dhe të  paskajshmërisë.

Ç’është universi, koha, hapësira, materia etj. të cilat nuk kanë qenë në fillim? Ç’është njeriu në oqeanin e paskajshëm kohor të pafund, në vargun e përgjithshëm të jetës? Ç’është jeta, buzqeshja e bukur dhe pafund e asaj e cila nuk mund të përkufizohet? Ç’është misteri i jetës së njeriut me pakënaqësit, ankimet dhe rënkimet e thella nën peshën e vuajtjeve dhe robërisë?

Toka është shtëpia jonë e përbashkët. Bukuria e saj krijohet nga çasti në çast. Toka është planeti jonë i dashurisë, krijimtarisë, teknologjisë, qytetërimit, vuajtjeve, mjerimeve, religjioneve, urrejtjeve, luftimeve, jetës dhe vdekjes. Thuhet se planeti në të cilin jetojmë është djepi i arsyes dhe jetës njerëzore. Mirëpo, njeriu nuk qëndron përherë në djepin e vet. Me ardhjen në këtë botë, njeriu është në rritje dhe dalje e sipër nga dejpi i drejtuar kah paskajshmëria. Si të kuptohet misteri i paskajshmërisë, i jetës së pafund?! Si të kuptohet bota pa diell, pa tokë, pa ajër, pa njeri, pa jetë, e zbrazët pa asgjë?!

Spektakli qiellor

A mund të mirren përgjigje të vërteta nga asgjëja? A është nisur gjithçka me asgjën? Nëse gjithësia është krijuar nga asgjëja shtrohet pyetja: Prej nga funksionaliteti i gjithësisë? Prej nga karakteristikat, stabiliteti dhe veprimtaria i sajë? Si e bën gjithësia punën e vet?

Për të ekzistuar rastësia duhet të kesh një numër të caktuar të elementeve për të marrur pjesë në atë rastësi. Nëse don rastësi, atëherë duhet t’i kesh letrat e fatit për bigjoz ose sëpaku një monedhë metalike për ta hedhur shortin. Por nëse nuk ke bash asgjë, çka atëherë është rastësia? Nëse nisemi sipas kësaj logjike atëherë del se në fillim paska ekzistuar “asgjëja inteligjente, logjika e fortë dhe e disiplinuar që nuk ka bër asnjë lëshim”! Kjo hipotezë fare s’ka arsye as kuptim sepse është jashtë ligjeve të mendimit dhe të logjikës së shëndoshë njerëzore.

Nëse çdo gjë ishte e rrethuar me hiçin, me mosekzistencën, pra nëse s’kishte asgjë, a ka mundur nga ajo gjendje vetvetiu të krijohej arsyeja, harmonia, përsosmëria, jeta, njeriu, e mira, e keqja, urrejtjea, dashuria, liria etj.? A është e mundur “hiçi” t’i krijojë të gjitha? Ç’është hiçi? A ka ekzistur hiçi ndonjëherë? Nëse s’ka patur asgjë, çka ka patur atëherë? Kush ishte para Krijimit, para “hiçit”? Dhe, sado gjatë të udhëtojmë në këtë drejtim nëpër kohë për të kërkuar cakun se ku ka filluar diçka, dhe sapo ta gjejmë një fillim, mendja njerëzore përherë do të pyeste: çka ishte para atij fillimi? Ç’është fillimi? Pse bota ekziston? Pse ekziston diçka, e jo asgjëja? A kishte zemër me ndjenja të ngrohta para kohës dhe hapësirës, para fillimit të botës? Ku na ishte njeriu në fillim? Si i bëri njeriu hapat e parë? A je ti kreatyrë e rastit apo je i planifikuar nga Dikushi, nga Ai që të deshiti me dashurinë e amshuar? Të thuash se çdo gjë është krijuar vetvetiu nga hiçi, kjo është jo serioze dhe të bënë për të qeshur. Është perceptim i gabuar dhe shpresë e kotë e mendimtarëve dhe filozofëve materialist të cilët gënjyen veten dhe i ushqyen të tjerë me ëndërra të zbrazëta mbi asgjënë, mbi botën kinse u krijua vetvetiu. Iluzionet, gjykimet, gabimet dhe dilemat e njeriut nuk kanë fund. Mirëpo, është njerëzore të gabosh. Sepse, e qena ekziston, ama hiçësia nuk ekziston fare. Bota latine thoshte: ex nihilo, nihil fit – nga asgjëja, asgjë. Nuk mundet të krijohet asgjë nga asgjëja. Sepse nga asgjëja ‘krijohet’ vetëm asgjëja dhe asgjë tjetër – de nihilo nihil. “Vërtet të pakuptim ishin prej natyre të gjithë ata njerëz që nuk e njohën Zotin, ata që prej të mirave që shihen nuk ia dolën ta kuptojnë Atë që është, që duke i parë veprat, nuk e njohën mjeshtrin” (Urt 13, 1).

Sipas Biblës, krijimi ka ndodhur në një moment të caktuar, nga hiçi (ex nihilo) që do të thotë se Zoti krijoi të gjitha nga asgjëja, (ex nihilo) në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk nund të ket kurrfar burimi tjetër pos Zotit. Në fillim ishte vetëm Zoti dhe gjithçka që lind e ka ekzistencën nga Zoti dhe çdo gjë është e lidhur me jetën e Zotit të paskajshëm.

Njerëzit nuk modelojnë vazo dhe nuk prodhojnë televizora e kompjutera etj. pa pasur një qëllim. Nëse njerëzit kanë qëllim kur bëjnë shpikjet e tyre relativisht të rëndësishme, me siguri Krijuesi i gjithësisë e kishte një qëllim, një synim të caktuar kur nga asgjëja bëri krijesat e tij mbresëlënëse. Çdo mister duket absurd, e megjithatë as në jetë, as në art, as në jetën shoqërore - asgjë nuk është më e thellë dhe më frytëdhënëse se sa misteri. “Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Zoti.” (Hebrenjve 3:4) A jemi dakord me këto fjalë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat