Kuçedra që ia ndal ujin Kamzës

Opinione

Kuçedra që ia ndal ujin Kamzës

Nga: Rexhep Shahu Më: 19 qershor 2017 Në ora: 19:35
Rexhep Shahu

Sa më shumë që afrohet dita e votimeve të 25 qershorit 2017, aq më pak ujë rrjedh në rubinetat e kamzalijve, aq më shumë shkurtohet koha që rrjedh ujë në rubinetat e familjarëve në Bathore e në mjaft zona të tjera të Bashkisë Kamëz.

Ndalet uji në vitin 2017! Ndalet për ndëshkim, për dënim!

E ndal kuçedra qeveri që nuk i don barabar e njëlloj shtetasit e vet, që i sheh si të njerkës banorët e Kamzës, banorët e përtej lumit të Tiranës, “malokët” e “çeçenët” e dikurshëm të cilëve nuk u han palla, si për inat të qeverisë, ta ngatërrojnë gjithë ditën e natën "q" me "ç".

Irritimi i qytetarëve të qytetit të ri të vilave, të qytetarëve që i sollën më shumë se gjithçka vitalitet dhe energji kryeqytetit, siç thoshte shkrimtari Dritëro Agolli, që socialistët e gradonin patriark, të kësaj qendre të re të zmadhuar me njerëz vitalë të Bathores, Kamzës, Paskuqanit, Laknasit, Valiasit etj etj, po shtohet dhe temperatura e revoltës po rritet.

Akuzat po ashpërsohen përditë e më shumë.

“Deri para ca ditësh kishim 7 orë ujë në ditë, tani nuk kemi asnjë orë ujë në ditë. Shumë familje po detyrohen të blejnë depozita uji. Kjo bëhet me qëllim të dëmtohet Flamur Hoxha e Partia Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit”.

Kjo po ndodh këto ditë zgjedhjesh që njerzit të zemërohen.

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Flamur Hoxha, i impenjuar maksimalisht me mish e me shpirt, që humanizmin e mirësinë, solidaritetin me tjetrin e ka mënyrë të jetuari e të menduari, e përjeton rëndë këtë ndëshkim që u bëhet qytetarëve.

I vijnë dhjetra mesazhe nga të njohur e të panjohur, pasi ai ua ka shpërndarë numrin e tij të telefonit gjithë banorëve të Bashkisë Kamëz që ta kenë gjithmonë numrin e tij të telefonit si një derë të çelur ku mund të trokasin, dhe i luten të ndërhyjë për ujë, i luten "ta vrasë" kuçedrën.

Ai ngushtohet prej pamundësisë për zgjidhje urgjente të kësaj kërkese jetike të banorëve për ujë, por ai nuk e zgjat dot dorën sot ta kapë kuçedrën për fyti.

Njerëz të ndryshëm thonë se ujin Bathores ia ka ndaluar kuçedra Edi Rama, kryeministri i vendit. Kuçdra qeveri e ka ndaluar ujin që njerzit të zemërohen me pushtetin vendor të Kamzës, me Bashkinë Kamëz, e cila e ka në vartësi ujësjellësin dhe e administron vetë atë, por ajo administron tubat, matësat, mbledh lekët, po nuk administron ujin në burim. Burimin e ujit e ka Tirana. Kamza ia blen ujin Tiranës. Tirana lëshon aq pika uji sa do. Kuçedra e ka ndalur ujin që njerzit të zemërohen e të votojnë kundër Partisë Demokratike në Kamëz, për arsyen e ditur se Partia Demokratike në Kamëz, Bathore, Paskuqan, Laknas, Valias e në gjithë qendrat e kësaj bashkie ka minierën e vet të pashterrrshme të votave.

Kuçedra e ka ndalur ujin dhe nuk lëshon asnjë ore ujë në ditë për banorët e Bathores e të zonave të tjera gjatë këtyre ditëve zgjedhjesh që njerzit të deshpërohen dhe të votojnë kundër kandidatëve të partisë Demokratike në Kamëz, meqenëse lista e kandidatëve të PD në Kamëz që udhëhiqet nga Flamur Hoxha është shumë cilësore në raport me listat e kundërshtarëve.

Akuzave të banorëve dhe deshpërimit të tyre zërat ngatërrestarë të qeverisë u përgjigjen se nuk është Edi Rama kuçedra që ndal ujin për Bathoren e Kamzën, por është Bashkia e Tiranës e cila nuk i shet ujë Bashkisë Kamëz sa kërkon kjo e fundit. Pronare e ujit qenka Bashkia Tiranë e cila po të dojë ia shet ujin Bashkisë Kamëz dhe më ujin bën politikë e ndërpret sa herë të dojë.

Zëra edhe më ngatërrestarë akoma pëshpërisin se nuk duhet të acarohen aq shumë kandidatët për deputete të PD dhe partiakët e Partisë Demokratike në Kamëz, se si me ujë, si pa ujë, në Bashkinë Kamëz fitojnë gjithmonë kandidatët e Partisë Demokratike.

Por nga ana tjetër, ata që gjuajnë në trekëndësh për gol në finale të botërorit me topin e akuzave, thonë se kuçedra e ndal ujin që kandidati Flamur Hoxha me kolegët Ahmet Prençin, Korab Litën e Vendim Demën, të mos marrin vota më shumë se sa e ka në traditë Partia Demokratike, më shumë se sa ka marrë edhe herët e tjera në këtë rajon bastion që është bërë i tillë falë lirisë e demokracisë, falë Partisë Demokratike.

Kuçedra ndal ujin sepse e di se zemërimi popullor është rritur shumë, nga keqqeverisja, nga mashtrimet e pafundme, nga faturat e borxheve me të cilat qeveria ka ngarkuar shumë familje për energjinë elektrike, nga burgosjet e shumë e shumë njerzve të Bashkisë Kamëz për fatura energjie etj etj, dhe ky zemërim i shtuar pritet që ta shtojë shumë numrin e votave pro Flamur Hoxhës dhe kandidatëve të tjerë të PD, pro numrit 6 të Partisë Demokratike.

Nga gjithë këto akuza që pëshpëriten dhe nuk thuhen me zë por vlojnë e dëgjohen ngado, kuçedra duartroket që e ndal ujin dhe shton me të drejtë pakënaqësitë e njerzve.

Kuçedra duke ndalë ujin ndëshkon banorët e bashkisë Kamëz, ndëshkon Flamur Hoxhën e PD me kandidatët e tjerë, ndëshkon Partinë Demokratike, ndëshkon Bashkinë Kamëz që e ka Partia Demokratike, bashkinë që e blen ujin dhe kuçedra nuk i shet sa don bashkia e sa kërkojnë banorët, cënon imazhin e autoritetin kryetarit të Bashkisë e të Partisë Demokratike në Kamëz, Xhelal Mziu, i cili është bllokuar nga kuçedra kryeministër puthuaj për të gjitha projektet që ia ka paraqitur qeverisë e ajo nuk ia ka financuar duke diskriminuar Kamzën e duke përbuzë banorët e saj.

Kuçedra Edi Rama apo kuçedra qeveri që me ligësi u jep 35 herë më pak fonde banorëve të Bashkisë Kamëz, në raport me Bashkinë Tiranë të cilat i ndan një lumë, siç pohon kryetari Mziu, që len mbi 140 familje në errësirë se nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, synon t’ia ulë kuotat Partisë Demokratike.

Maksimumi i ndëshkimit që synon kuçedra që ndal ujin për bashkinë Kamëz, është ta ulë numrin e votave në minierën e votave të Partisë Demokratike, në minierën që quhet Bashkia Kamëz.

Kuçedra bën llogari të ftohtë politike, nuk ka mëshirë, nuk i bëhet vonë pse nuk rrjedh ujë në rubinetat e banorëve të Kamzës e Bathores. Nuk i bëhet vonë kuçedrës për fëmijët e përtej lumit që nuk kanë ujë të pijnë dhe për asgjë. Ajo bën llogari votash.

Don të pakësojë votat pro Flamur Hoxhës e Partisë Demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat