Kur shartohet politika

Opinione

Kur shartohet politika

Nga: Fadil Lepaja Më: 20 qershor 2017 Në ora: 12:14
Fadil Lepaja

Falë zotit, zgjedhjet u kryen, edhe pushimet po vijnë, ndërkohë që votat po numërohen, dhe po mblidhen sikur kokrrat e grurit nëpër arat e fukarasë. Duhet me i mbledhë numrat diqysh, ku janë e ku nuk janë për me e bë qeverinë. Kushtetuesja, njëherë ka fol. E pa qeveri, nuk bënë na thonë njohësit ndërkombëtarë të politikës, edhe pse ne jemi mësuar pa qeveri. Ne funksionojmë edhe me qeveri nga importi. Kur jemi te votat, e keqja më e madhe duket se është, se të gjitha kokrrat e grurit janë me madhësi të njëjtë elektorale. Kështu falë ekspertëve tonë të fushatave, të korrjeve dhe shirjeve, politike në radhë të parë,  edhe numrat do të i kishim sipas nevojës. Nëse jo, do shkojmë sërish në zgjedhje, ose do i shartojmë ... numrat. Gjithçka shartohet. A nuk u shartuan edhe koalicionet parazgjedhore?

Pse pra,të mos shartohet, një votë me diçka dhe të bëhet e madhe sa një shalqi nga ata që vinë nga Shqipëria ? Ose të shartohet me shegë, dhe prej një kokrre të bëhen 100...!  Edhe ashtu, ndër ne, për nevoja të shartimit, mund të kombinohet  gjithçka. Bimët, me bimë e madje edhe shtazët, e të mos flasim për politikën. E pse të mos shartohen edhe votat? Edhe ashtu në kopshtin tonë zoo - politik nuk kanë ndonjë ADN, specifik. Nuk ka identitet që nuk ndërrohet për pushtet. Nuk ka platformë që nuk shartohet. Politikani ynë është veç një inxhinieri sociale. Diçka në mes  të robotit dhe njeriut i cili duhet të jetë model, për treg,  për eksport jashtë kontinentit. Pse të mos shartohet kastraveci rus, për shembull me domatet nga Anadolli dhe të mbillen në politikën tonë? Kjo tashmë po funksionon.

Pra, edhe politika, sikurse fermerët tonë, e pranojnë shartimin si mënyrë për me u përshtatë me nevojat e tregut. Për shembull, kur politika  dhe interesi publik shartohet me interesa private, sipas disa politikanëve tonë, kjo nxjerr në treg një produkt të ri: prostitucionin politik. E pranoi një deputet, në afshin e debatit. Apo ishte panikë? Mund të pranohet edhe komenti se të gjitha kanalet ku zhvillohet debati parazgjedhorë edhe paszgjedhorë, janë për tu koduar me 18+. Jo se përmendin gjenitaliet, apo vet aktin sexual, sepse ato nuk përmenden....aq shpesh! Por duhet të mbrojmë fëmijët tonë. Fundja sexi është rreziku më i vogël. Më rrezik ka nga politika e cila prodhon urrejtje. Sheh televizor, dhe nuk i njeh politikanët e djeshëm, madje as ata të rinj, që u rekrutuan nga qarqet intelektuale. Thjeshtë, ndërrojnë prej emisioni në emision. Ndërrojnë imazh dhe qëndrime. Sot shajnë, nesër puthen. Numrat!

Pastaj, fjalori! Thonë se, kemi  e prostituta politike, të licencuara, diçka si profesion. Atëherë ky profesion medoemos ushtrohet nga të dyja gjinitë. Apo,  më saktë, nga të gjitha gjinitë. Nejse prostitucioni politik, vlon, sipas disave, ndërkohë që vetë politika, jonë, vazhdon të mbetet e virgjër. Përbetohet për euro-atlantizëm dhe euro-integrime.  Mund të tingëllojë e pamundur, por te ne asgjë nuk është e pamundur.

 Pyet qytetarët:“E kapërdini dot, këtë politikë”? Si mendoni se  do të përgjigjen? E pse jo? Është nga importi. Gjithë politika shqiptare është nga importi. Nuk ka asgjë autentike, as demokracia madje , si do të thoshte dikur, i përvuajturi politik, Ukshin Hoti, njeriu i cili nuk arriti as të pranohej për së gjalli nga politika kosovare. Ai, asnjëherë nuk pranoi të shartojë asgjë, rekomandonte veç produkte vendore.

Kur jemi te ajo çka e bënë toka jonë, sot, dëgjojini këto fjalë nga mediat.  “Shalqirin, domaten, trangujt, vendore nuk i hamë”, thonë fermerët të cilët i prodhojnë ato, dhe me të cilat ata e furnizojnë një pjesë të mirë, të tregut rajonal. “Nuk i  hamë, sepse bimët janë e ushqyer dhe ndikuar me substanca të ndryshme. Kjo është helm, pak a shumë” pranojnë ata, pa e lëvizur qerpikun. Nuk shqetësohen nga politika, se mundet të u ndalë biznesin. As nga gjykatat. As nga...askush. Nuk e hanë vet! Populli, e ha!  Populli, dëgjon politikën. Nuk dëgjon përralla më. Hap kanalin me politikë dhe fillon të gërhas.

E politika jonë, pra, nuk qenka helm? Është nga importi, e certifikuar, betohen politikanët. Por, nëse politika është nga importi, politikanët gjithsesi i kemi prodhim vendorë. Ata i hedhin substanca helmuese politikës. Kështu politika jonë, nuk zgjidh asnjë problem, edhe pse gjithsesi  krijon shumë probleme, dhe atë jo vetëm shëndetësore. Shumë probleme , sidomos kur shartohet me gjithçka.

Por, kujt i bënë nëse ti tashmë e ke blerë produktin. Askush nuk do të dij për ty, pasi tashmë ke votuar. Ke blerë mallin. Ke falur apo shitur votën, pra nuk ke ku të ankohesh. Shkon në ministri, por shpejt bindesh se edhe ministria është shartuar, me kungull. E ministrat me tranguj. Përjashta është e kuqe, një e kuqe e bukur, si  do të thoshte shitësi nga ekrani, për domaten, ndërsa përbrenda nuk hahet. Është e pjekur me zor. Ndërkaq, zgjedhjet na rastisën zgjedhjet në qershor por dielli nuk ishte veror, dhe temperaturat ishin të ulëta, prandaj trangujt dhe domatet tona politike dolën të papjekura. Vështirë se do të hahen, as këto sivjet. Ose do i “pjekim” me zor, edhe do i ngjyrosim...!

Thonë se më 2018 vera do të marrë më e nxehtë, me më shumë diell. Kush e di, Mbase votat deri atëherë do të shartohen me diçka dhe do të dalin edhe vizat...pastaj kujt i bënë për qeverinë. Softueri ynë i njeh të gjitha perandoritë, e rrjedhimisht edhe qeveritë....! Çdo qeveri e pranojmë më lehtë se tonën! Me çka me e shartua, politikën tonë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat