Zgjedhjet në Shqipëri-“ Edi Rama nuk ka faj”

Opinione

Zgjedhjet në Shqipëri-“ Edi Rama nuk ka faj”

Nga: Asllan Bushati Më: 21 qershor 2017 Në ora: 08:04
Asllan Bushati

Duke i parë  nga një këndshikimi i përgjithshëm në  zgjedhjet e 2017-ës në Shqipëri, ( krahasuar  me të mëparëshmet),  mund të konstatohet lehtë  se kanë  disa ndryshime të dukshme. Që në fillim mund të theksojmë se ata nuk kanë dam-dame, flamuj partiak, banderola, karikatura, shprehje vulgare e poshtruese për kundërshtarët, banda muzikore, grupe fansash që demostrojnë  forcë etj. Bukur. Shpresojmë të jetë shprehje e një emancipimi  të përgjithëshëm   shoqëror e zgjedhor, ku të gjithë aktorët kanë pjesën e tyre. Shpresojmë që ato të jenë  më pak të kushtueshme se të mëparëshmet,  të drejta,  të ndershme , të pa manipuluara, transparente dhe të pranuara pa kontestim  nga gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

Por, nuk mund të kalojmë pa e theksuar se në emër të maxhorancës, në cilësinë e Kryeministrit, dhe të Kryetarit të PS-së, Edi Rama për gati katër vite,  për pak sa nuk na shurdhoj veshët duke thënë:”fajin e ka Sali Berisha, fajin e ka qeveria e mëparëshme e PD-së, fajin e ka SHQUP-i, fajin e ka Lulzim Basha e cadra në bulevard. Dhe tani (e moderuar  në fushatë), fajin e ka LSI-ja dhe Ilir Meta të cilët e kanë penguar të udhëheq, fajin e ka PDIU-ja  e Shpëtim Idrizi,… Ben Blushi e Koço Kokdhima… madje po të shkohet më tutje  ndoshta mund të dalë që fajin e ka patur  edhe Ramiz Alia e Fatos Nano, por  vetëm Edi Rama nuk ka asnjëherë faj”.

Edi Rama pati premtuar 300 mijë vende pune të reja e shëndetësi falas, por meqenëse ata nuk u realizuan ,” ai nuk ka faj”. Në Parlament e në segmente udhëheqëse të katër vjecarit të tij, erdhën shumë të inkriminuar, “por ai edhe për këto nuk ka faj”. Shkatrroi  strukturat kanabiste të fshatit Lazarat, por ata u përhapën në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë Edi “nuk ka faj”. Bëri premtime të mahnitëshme në shumë fusha, sa ta kishte ënda ta dëgjoje në fushatën e 2013-tës, por me që ata nuk u realizuan “ai nuk ka faj”. Çdo vit nga Shqipëri janë larguar për në vendet e tjera mesatarisht 30-40 mijë të rinj se nuk gjenin mundësi punësimi, por edhe për këtë Edi “nuk ka faj”.Pra tani në fushatë nuk i duhet kërkuar llogari për premtimet se ai për katër vjeçarin e ardhshëm e don “timonin”  dhe “tepsinë”vetëm dhe është shpresëplotë se do të bëjë mrekullira.

Në qoftë se ndonjërit i vete mendja ti kërkojë Edit  llogari për të shkuarën, kjo është fyerje për të, është jashtë mode dhe s’ka asnjë përqasje me” idetë madhështore të tij për të ardhmen”. Pa le sa thjesht vishet ( ore me citjane), sa bukur flet para turmave me batuta e barsaleta brilante, aktor i vërtetë i shoubizit alla rilindase. Madje edhe për deklaratat për Presidentin Trump dhe për thirrjen drejtuar policisë që pas punës të bëjnë fushatë për PS-në,” ai nuk ka faj”.

Edi Rama  s’ka nevojë të jap llogari  në këto zgjedhje për dështimet e tij katërvjeçare, sepse ai  aktualisht është ” shumë i zënë  me  shpalosjen e filozofisë  së  bashkimit të së majtës shqiptare”. Kjo është shumë” madhore” në këtë moment,  premtimet e së kaluarës dhe të tjerat janë sekondare.Shikojini me vëmendje se cfarë janë partitë e vogla dhe partnerët për  Edin…ferra nëpër këmbë që i kanë pushtuar administratën, që  se kanë lënë të punojë dhe për këtë ai “nuk ka faj”. Plotfuqishmëria e një partie që ai kërkon në këto zgjedhje, “nuk” është dukshëm një autoritarizëm i tipit të ri  dhe “shumë  e rrezikshme” për demokracinë në Shqipëri.  Jo , betohet Edi dhe kur betohet ai ,duhet te besohet pamedyshje.

Por, unë të dashur bashkatdhetar mendoj se, “Edi Rama ska faj” se ai si person, është i pa përgjegjshëm për çfarë thotë e çfarë bën, është i pa aftë për të drejtuar shtetin, madje edhe po ta  çojë  atë  në greminë   (siç deshi të bënte me reformën e drejtësi dhe zgjedhjet pa opozitën), prap do të thotë “unë nuk kam faj”. Fajtor do të jemi ne votuesit në qoftë se  e votojmë përsëri Edi Ramën. Ti japësh edhe një shans tjetër këtij njeriu, kur ka shkatërruar cdo gjë në katër vite, është njëlloj si të vrasësh  me vetdije  të ardhmen  e fëmijëve të tu.

Por edhe LSI-ja  dhe Ilir Meta, që tashmë  po u bien sirenave, nuk janë pa faj. Aty kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koalicion me Edi Ramën. Vendimet i kanë marrë bashkë , përfitimet i kanë ndarë bashkë, pisllëqet i kanë bërë bashkë, tani nuk duhet tu largohen përgjegjesive për dështimet. Ilir Meta së bashku me Edi Ramën e Erjon Velinë dhe disa analistëtë sojit të tyre, po përpiqen të krijojnë përshtypjen se të gjithë politikanët shqiptarë, janë të të njejtit format, të të njejtit soji të korruptuar të gjithë njëlloj pra alla Rama-Meta. Unë mendoj se kjo është e qëllimëshme dhe e pa drejtë.

Është krejt ndryshe qëndresa stoike e PD-së dhe e forcave të tjera opozitare që treguan vision për të ardhmen, kulturë demokratike, qëndrueshmëri dhe forcë që e tronditi qeverisjen Rama –Meta.  Këto u panë me insistimin për ligjin për dekriminalizimin, për ligjin për vetingun, për qëndrestarinë tremujore për votën e lirë ,e deri në shembja  e 11 ministrave të  të qeverisë Rama në prag të zgjedhjeve. Programi i   zotit Basha është i qartë, i ndërthurur , i argumentuar dhe i besueshëm, për  uljen e taksave, punësimin, rritjen e pagave e të pensioneve, zgjerimin e biznesit, përmirësimin e shëndetësisë e të arsimit, zgjidhjen e problemit të pronave dhe hapjen ndaj biznesit të huaj.

Personalisht besoj tek ky program dhe ju ftoj ta votoni. Pas katër vitesh është e drejta jonë t’i kërkojmë llogari edhe zotit Basha se sa i ka realizuar premtimet e marra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat