Erdogani kundër bashkimit të shqiptarëve

Opinione

Erdogani kundër bashkimit të shqiptarëve

Nga: Gani Mehmetaj Më: 22 qershor 2017 Në ora: 08:52
Gani Mehmetaj

Erdogani asnjëherë nuk tregoi dashamirësi ndaj shqiptarëve. Herën e parë kur e vizitoi Prishtinën, e përuroi xhaminë që ishte ndërtuar mbi rrënojat e kishës katolike shqiptare, aty ku treqind vjet më parë u varros Pjetër Bogdani i madh. Hherën e dytë nga ish kryeqyteti i Shqipërisë, Prizreni tha se Kosova është Turqi.

Deklarimi i presidentit turk, Erdoganit kundër bashkimit, ishte gjëja më e pritshme për të gjithë shqiptarët me mend në kokë, duke u nis nga përvoja historike që kemi me Turqinë e vjetër dhe me Turqinë e re. Stambolli apo Ankaraja asnjëherë nuk ishin dashamirëse të shqiptarëve që të bëhen tash. Ata që kanë besuar në të kundërtën, u zhgënjyen deri në pakufi. Rrjetet sociale të shqiptarëve vërshuan me kritika e fyerje të pafundme kundër të parit të turqve, ndërkaq, rrjetet sociale e portalet që e mbronin ideologjinë islamike e neosmanzimin, ulën bishtin dhe heshtën. S'kishin asnjë argument virtual të dilnin në mbrojtje të turkut të parë, megjithëse marrin para lum nga shoqatat turko-islamike që ta ngjallin kufomën osmane. 

Erdogani asnjëherë nuk tregoi dashamirësi ndaj shqiptarëve. Herën e parë kur e vizitoi Prishtinën, e përuroi xhaminë që ishte ndërtuar mbi rrënojat e kishës katolike shqiptare, aty ku treqind vjet më parë u varros Pjetër Bogdani i madh. Pra, legjitimoi kulturocidin  ndaj shqiptarëve, sepse xhaminë e rindërtoi organizata kulturocide TIKA. Herën e dytë nga Prizreni "turk", ish kryeqytet i Shqipërisë, deklaroi se Kosova është Turqi, ndërsa kur reagoi Serbia, duke ia tërhequr vërejtjen se Kosova është Serbi e jo Turqi, Erdogani i kërkoi falje Beogradit për keqkuptimin, përderisa politika servile shqiptare heshti, ndërsa në heshtje pranoi se Kosova është Turq e Serbi, por jo Shqipëri.   

Shqiptarët e zemëruar po ashtu e kaluan përciptazi kërcënimin e të parit të turqve islamik ndaj atyre që duan bashkim territoresh shqiptare. Ai u dha zemër serbëve të Beogradit se do t'u dal në ndihmë për mbrojtjen e Serbisë me Preshevën, Bujanocin e Medvegjen e okupuar brenda. Turku nga Ankaraja i doli krah edhe sllavëve të Maqedonisë, kështu që ua uli kokën shqiptarëve - të pabesë, argatë të Turqisë, shqiptarët e tjerët e dinin sa vlen lëkura e turkut.

Shqiptarët i kërcënon vazhdimisht edhe Putini, aleat i Errdoganit. Politikën e qëndrimet i kanë të koordinuara. Rusia e Turqia përmes bërrylave, politikës rrënimtare, intrigave e korrupsionit përpiqen të ushtrojnë ndikim në gadishull, ndërsa Perëndimi e ShBA-të përpiqen t'i dëbojnë nga rajoni, sepse vetëm pështjellim e kaos krijojnë.

Është fatbardhësi që Turqinë në njëqind vjetet e fundit askush nuk e pyeti për gadishullin, të cilin e la në rrëmujë dhe ia mbathi me bisht ndër shalë. Shqipërinë që atëbotë shtrihej në mbi 100.000 kilometra katrore, pazaret turko-serbe, e turko-greke e rrudhën në 29 mijë kilometra katror. Me marrëveshje të fshehtë turko-serbe dhe turko-greke i zbrazën territoret shqiptare dhe e ripopulluan Anadollin.

Turqinë e Rusinë nuk e pyeten ShBA-të e Evropa Perëndimore as kur vendosën të ndihmojnë shqiptarët e ta mbështesin pavarësinë e Dardanisë. Me mrekullon fakti që perëndimorët janë përcaktuar kundër ndikimit turk e rus në gadishull, por do të bënin mirë të nxitonin, sepse turqit po bëjnë shumë dëme përmes korruptimit të shtetit e politikës në Dardani e në Shqipëri. Koncepti turk për kufomën e vdekur e të pavarrosur- osmane, nuk ka ndryshuar, prandaj ata që përpiqen ta ngjallin të vdekurin që qelbet janë sa të dëmshëm, po aq të rrezikshëm. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat