25 qershor 2017- votime për Shqipërinë, jo për partinë…!

Opinione

25 qershor 2017- votime për Shqipërinë, jo për partinë…!

Nga: Sami Repishti Më: 22 qershor 2017 Në ora: 11:52
Sami Repishti

Me kalimin e viteve krijohen realitete të reja. Ashtë nji pa evitueshmëni historike. Me shprehjen shqipe: koha ban punën e vet. Dhe në fakt, ka ba punën e vet në këto 26 vitet e fundit, për fat të keq jo me shumë sukses!

Gjatë këtyne viteve, klasët politike në pushtet nuk kanë adoptue normat dhe praktikën e pranueme përgjithësisht për nji qeverisje të mirë (good government). Para nji gjendje të këtill, Shqipëria duhet të votojë për “institucionalizimin e qeverisjes”, për nji klasë politike që beson sinqerisht se na, Shqipëria, jemi nji komb i organizuem simbas ligjeve, i bindun ndaj ligjeve, nji kondite sine qua non…!

Për shekuj, struktura e shoqënisë shqiptare e detyrueme nga rrethanat politike jashtë kontrollit të saj- dhe ma të fuqishme se ajo – ashtë  krijue, zhvillue dhe veprue si nji koleksion klanesh krahinore, partiake, e për fat të keq, edhe fetare. Nji zhvillim i këtill, i shkëputun nga bota dhe eksperienca e vendeve të Europës perëndimore, nuk dha mundësi që zhvillimi i shoqënisë sonë të mbështetet në bindjen se në botën moderne ashtë imperative me qenë nji shtet i mbështetun në ligje, e jo në klane.

Me qenë “klanish” (fisnor e krahinor?) don të thotë të mos kuptosh se si vepron bota moderne, dhe te qendrosh larg saj. Në raste të këtilla, nji rregjim ose sistem qeveritar përmbyset nga shpërthimet e mbrendshme (implosion) edhe pa ndërhymjen e jashtëme. Sepse nji sistem “fisnor e krahinor” do të ishte i dënuem me u zhdukë nga rrymët e mbrendshme, nga zemrimet, hatërmbetjet, shgënjimet dhe trathëtitë që arrijnë nji pikë kritike, dhe nivele centrofugale shpërthyese në mënyrë violente dhe të pa evitueshme.

I vetmi shpëtim nga implozione të këtilla janë institucionet civile e demokratike që përballojnë stuhitë: Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti, e sidomos sistemi gjyqsor me Gjykatën Kushtetuese në krye. Vetëm këta institucione kanë mundësi me ruejtë integritetin e “Shtetit”. (Këte mësim na japin sot SHBA!) Në këte betejë për mbijetesë, institucionet demokratike aleatin e tyne ma të mirë e kanë në nji shtyp të lirë, të ndershëm e hetues që nuk përpiqet “me formue” por “me informue” opinion publik. Nji opinion i informuem drejtësisht arrinë në konkluzionet e tia lirisht dhe demokratikisht, dhe nuk thyhet lehtë. Beteja për nji fitore të këtill ashtë e ngadalëshme, kambëngulëse, dhe eventualisht luftarake. Zgjedhjet e 25 qershorit jane pjesë e kësaj beteje.

Zgjedhjet nuk janë pjesore për “partitë politike” të vendit; ata janë të përgjithshme, për të gjithë vendin. Ata janë për të ardhmen e “Nanës Shqipëri”, të ardhmen e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim! Ky mentalitet duhet të mbi-zotnojë mendjet e votuesve para arkës së votimit, ditën e zgjedhjeve.

Nuk jemi në vitin 1945, viti kur zgjedhjet baheshin vetëm për “Frontin Demokratik”, maska e “Partisë Komuniste Shqiptare” akoma në ilegalitet. Pa asnji alternativë, zgjedhësit ishin para nji dileme: me votue për “Frontin” ose në “arkën boshe”, që haptazi quhej “arka e reaksionit”. Fletë-votimi ishte nji kokërr gome. Kjo komedi me rrjedhime tragjike për “kokë-fortët” që guxuen (unë u denova me 15 vjet burgim!) ishte aq e qartë sa që pranë “arkës boshe” qendrojshin dy “të besueshëm të Frontit” me ndigjue zhurmën që bante “goma” (vota) e hjedhun, ma vonë e trajtueme si provë e anmiqsisë kundër pushtetit, dhe justifikim për arrestim politik.

 Sot realiteti ashtë i ndryshëm. Votimi ashtë relativisht i lirë dhe i rregullt; nuk ekziston frika e arrestimit. Por ekzistojnë raste të shumëta të “shitë-blerjes së votës” zakonisht në zonat e vorfna të vendit, dhe mashtrimi politik me premtime të pa mbajtuna. Kjo ashtë fatkeqsi, plagë e randë për shoqëninë tonë që duhet eliminue sa ma shpejt. Për fat të mirë ekziston mbikëqyrja ndërkombëtare.

Mbas votimeve të vitit 1945, perdja e hekurt ra mbi vendin tonë, dhe zgjedhjet e ardhme deri në vitin 1992, ishin nji tallje me të drejtën e popullit për votime, dhe nji manifestim i padëshirueshëm i nënshtrimit të përgjithshëm para frikës së persekutimit. Nji metodë e këtill arriti shkallën e absurdit me zgjedhjet e vitit 1982, kur nga afër 1.7 miljonë votues, 1,627,959 qytetarë votuen “për Frontin”, dhe vetëm nji (1)votë “kundër”. Këto statistika zyrtare morën ngjyra fyese me talljet e botës së jashtëme që përshkruejshin aparatin shtypës të Qeverisë komuniste të Shqipërisë në ndjekje për zbulimin e “nji” vote kundërshtare.

******

 Ndamja e popullsisë vendëse në klasa thellësisht kundërshtare, pabarazia ekonomike që lëkundë besimin në aftësitë tona me i eliminue nuk janë as aksidentale as të paevitueshme; ata janë të planifikueme dhe të orkestrueme nga princët e krimit të organizuem e baronë miljonerë të drogës, nji grup i pasunuem me para të pista e i vendosun me transformue vendin në nji “cash machine”, maqinë që pret para vetëm për të pasunit. Kjo klasë shkatërrimtare ushqen qeveritarët e korruptuem, frikëson rivalët, mashtron, dhe pranon ndytjen e ambientit, ajr e ujë të pijshëm, e njikohësisht pakëson fondet për arsim, shëndetsi e asistencë sociale – nji  fenomen pothuejse i përgjithshëm i ditëve tona. Në vendet ma të pasuna se Shqipëria ata krijojnë fondacione, qendra studimi, programe universitare, e sidomos financojnë fushatat elektorale… (“me mbrojtë nji ndërgjegje të flliqun nga nji Zot i zemruem”. (shprehje e A.Lincoln)

Kjo e ban të domosdoshme daljen në skenë, dhe angazhimin serioz të nji grupi qytetarësh të edukuem, të ndershëm, të pavarun, me aftësi për zgjidhje të problemeve që komplikojnë jetesën e qytetarëve në shoqëninë tonë. Vetëm ata do të kenë guximin me përballue degjenerimin e ditëve tona. Dhe ky grup qytetarësh zgjidhet me vota të lira dhe të pastra.

 Kjo kerkesë e natyrëshme megjithate, paraqet vështirësi të mëdha për nji shoqëni shqiptare që vetëm pak kohë ma parë përmbysi nji sistem diktatorial monist që vrau rezistencën e masave të gjunjëzueme, e mohoi edhe përmbushjen e nevojave ma fillestare – bukën e gojës!- që gënjeshtrën e ngriti në piedestal dhe e quejti “morali komunist”. Ai rregjim “ndigjoi” çdo fjalë, “gjurmoi” çdo gjest nen kërcënimin e burgut për dekada te gjata, e theksoi mosbesimin tek njeni tjetri, solidaritet i domosdoshëm me ruejtë dinjitetin personal të qytetarit….U realizue dekonstruksioni i shoqënisë sonë shqiptare!

Gazetari e analisti i shquem, Thomas L. Friedmann, shkruente këto kohët e fundit: “Më trego nji bashkësi që kupton botën e sotme dhe që punon së bashku e lulëzon nga mbrenda, e unë të tregoj nji bashkësi në rritje e sipër- bregdetare ose kontinentale, qytetare ose fshatare”. Anti-teza e shoqënisë komuniste! Këto janë shoqënitë ku “tjetërsimi”(alienation) luftohet me pjesëmarrje në jetën publike, shoqëni ku edhe i vorfni merr pjesë në “self-government”(vetëqeverisje). Këta janë shoqënitë që kanë ringjallë e forcue elitën e patriotizmit: sherbim për vendin tand në nji botë të hapun për të gjithë!

Tue justifikue marrëveshjen nukleare me SHBA-n ministri i PJ të Iranit, M.J.Zafir shkruen:”Në se nuk thyejmë ciklin e mosmarrëveshjeve, na vetëm kalojmë përgjegjsinë e këtij momenti historik në kurrizin e  fëmijve dhe nipave tonë. Na kemi për detyrë me mësue prej historisë e jo me u dënue me përbuzëjen e saj”. Nji qendrimi të këtill, Zonja Susan Rice, këshilltare e Presidentit Obama e komentoi:”Na jetojmë në nji botë ku siguria dhe prosperiteti zhvillohen në maksimum kur edhe të tjerët e gëzojnë njilloj si na. Sot, kercënimi –terrorizmi, përhapja e armëve nukleare, smundjet, ndryshimet atmosferike, kartelet e rrezikshme- nuk zgjidhen vetëm me ndërhymje ushtarake, as nuk zgjidhen vetëm nga njeni nga ne. Zgjidhja e yne kerkon aksion kolektiv efektiv, dhe njikohësisht, partnerë me vullnet”.

Kjo ashtë bota që na ofrohet e që na duhet të përqafojmë! Duhet të ruhemi nga diktatura, sepse efektet shkatërrimtare të diktaturës të çfarë do ngjyre qoftë nuk janë vetëm për viktimën dhe familjen e tij; ata janë për mbar njerëzimin; ata duhen denoncue sepse kanë aftësinë me u persëritë. Diktatura ashtë pësim dhe mësim për të gjithë. Beteja kundër diktaturës ashtë nji detyrë morale permanente për të gjithë, jo vetëm beteja politike e nji dite.

Nji botë me qenie njerëzore plot dinjitet ashtë nji ideal që duhet të realizohet. Shpesh herë vështirësitë janë ma të mëdha se aftësitë tona. Por historia na mëson se randësia e mos-komprometimit me “murtajën” diktatoriale ashtë vlera ma e naltë, e mbrojtja ma e mirë kundër përhapjes së diktaturës. Dinjiteti për të gjithë ashtë nji ideal i arrijtshëm. Në Shqipëri, rezistenca kundër pushtimit italian e gjerman e ka konfirmue këte cilësi superiore. Na mund të pengojmë edhe ri-ndertimin e burgjeve e kampeve të përqendrimit e të punës së detyrueshme nën kamxhikun e policit brutal për familjet tona të pafajshme –pleq, gra e fëmij, për 45 vjet pa ndërpremje- nji turp i mbar shoqënisë shqiptare. (Dekreti Nr. 648, datë 10 janar 1949 vendosi sistemin e internimit të familjeve për arsye politike). Kujtojeni! Mos e harroni! Vetëm atëherë do të jemi në gjendje me korrë fitoren e kurajos civile dhe shpirtmadhësisë sonë njerëzore! Sepse edhe sot, kushdo që ashtë persekutue ose shpronësue nuk e ndien veten të sigurtë përsëri. Ethet e frikës  mbulojnë akoma vendin tonë.

Kur amerikanët mendojnë për lirinë, zakonisht imagjinojnë nji dyluftim në mes të “nji qytetari të thjeshtë” dhe “nji qeverie të plotëfuqishme”. Në përfundim, ata janë të prirun me fuqizue qytetarin dhe me kufizue forcën qeveritare. Kjo quhet demokraci! Nji zhvillim i këtill forcon bindjen tonë se duhet të kemi besim tek njeni tjetri. Kështu lindë solidariteti në shoqëni.

Tue pasë parasyshë të metat e zgjedhjeve, na njohim ligjëshmëninë e tyne; pranojmë përqindjen e votave si përfaqsuese e të gjitha votave. E verteta e panjohun zevendsohet me nji “të vertetë nominale”, tanësia  me pjesën ma të madhe të saj. Dhe kështu, na vendosim pushtetin në duert e nji të vertete “nominale”. Shpesh herë kjo “shumicë” ashtë kundër “vullnetit të përgjithshëm të popullsisë”, nji shkelje e parimit themelor se “autoriteti” që qeverisë duhet të respektojë “vullnetin e përgjithshëm” që simbas filozofit iluminist francez, Diderot. “gjithmonë mbështet anën ma të favorshme të interesit publik”.

Ky parim themelor u kontestue me rrjedhime katastrofale nga filozofi Karl Marx, dhe u zbatue nga rregjimet komuniste ma vonë. Per Marksin, “ndërgjegjsimi” asht diçka që duhet të formohet- universal dhe autoritar. Fillon me nji “vullnet të përgjithshëm”, i definuem a priori, të cilit individi duhet t’i nënshtrohet, për shpejtimin e procesit historik të shoqënisë njerëzore, i.e. marrja e pushtetit nga klasa punëtore “Të tjerët”, ata që nuk e pranojnë, janë “armiq të popullit”. Ky qendrim sjellë koncentrimin e pushtetit në nji parti të vetme (monizëm) dhe eventualisht në nji njeri të vetëm. Për marksistët, “nji” njeri i vetëm njeh, në mënyrë të pa gabueshme, cili ashtë “vullneti i popullit”, ….diçka e ngjashme me rregjimin e  bleteve.  Ky lloj pushteti total korrupton në mënyrë të paevitueshme “udhëheqsin” në karakterin e tij përfaqsues. Historiani anglez, Lord Acton, përfundon:” Njerëzit e pushtetshëm janë pothuejse  gjithëherë njerëz të këqij”.

******

Me 25 qershor, afër dy miljonë qytetarë të lirë do të drejtohen  drejt qendrave të votimit me ushtrue të drejtën e tyne themelore: zgjedhjen e lirë të përfaqsuesve të tyne. Ky ashtë akti themelor në demokraci, dhe ma i randësishmi për mbarëvajtjen e shoqënisë shqiptare. Ata që vijnë në fuqi, betohen se do të sherbejnë elektoratin e tyne me nder e besnikëri. Çdo votues ka të drejtë me kerkue nji sherbim të këtill. Vetëm ata që nuk votojnë heqin dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë.

Zgjedhjet e 25 qershorit e gjejnë vendin tonë në nji situate të padëshirueshme që kërkon rektifikim të plotë. Nga shtypi i përditëshëm kuptohet se kemi të paktën tre probleme kryesore:

1.mungesa e  shtetit ligjor që lejon shpërdorimin e autoritetit nga ata që e mbajnë;

2. dhunim i së drejtës së votes, me shitë-blerje, dhe manipulime jashtë-ligjore;

3. pabarazi ekonomike, papunësi dhe pakënaqsi e skajshme për gjendjen ekonomike dhe paqën shoqënore.

Votuesi shqiptar gjindet para nji dileme. Ai duhet të mendohet mirë para se të votojë! Ka pakë heroj në jetë; shumica dermuese jemi qenie njerëzore me aftësi të kufizueme dhe me të meta. Me synue persosëmëninë e plotë ashtë nji utopi. Me pranue të metat e natyrës sonë ashtë “njerëzore”. Politika duhet të adoptohet me situatën dhe jo të alarmojë atë. Forcat e përmirësimit (meliorism) preferojnë nji qasje ma të kalibrueme. Kjo nuk ashtë nji rrugë për ata që nuk kanë durim, por kjo rrugë ka verdiktin e historisë . Utopia ka fjalë ma të bukura për ne, por “melioristët” na dhurojnë nji botë ma të mirë se ajo që e gjetën. Në fakt, në barkun e çdo utopie lindë dhe rritet tirania, shkruen Bernard de Journel. Dhe duhet të jemi të hapun me pranue faktet që sfidojnë bazat e pikënisjes sonë, në se dëshirojmë me evitue fanatizimin tonë politik.

Nji përgjigje pozitive e dilemës sonë ashtë kombinimi fatlum i ndershmënisë dhe i guximit civil. Le të jemi të hapun me veten dhe me të tjerët në nji përpjekje serioze dhe të qytetnueme me zbulue shkaqet e tragjedisë sonë shqiptare, ma shumë se për denimin e autorëve të saj, me qellim që të hjedhim bazat e nji shoqënie të re që nuk do të lejoj përsëritjen e katastrofës së kaluemes jo të largët dhe konfuzionin politik të tranzicionit post-diktatorial.

Le të formohemi si “patriotë” dhe të jemi shembull për breznitë e ardhme si duhet të jetë nji “shqiptar” e çfarë don të thotë të jeshë “shqiptar”, për nji “identitet” shqiptar që na ban të gjithëve krenarë. Të rinjtë kanë nevojë për shembuj të këtill. Le të tregohemi guximtarë; sepse në qoftë se sot nuk jemi të përgatitun me sakrifikue për të mirën e përgjithshme, nesër të gjithë do të vdesim në diktaturë…!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat