Mirënjohje për ata që të duan kur je në fatkeqësi

Opinione

Mirënjohje për ata që të duan kur je në fatkeqësi

Nga: Flamur Hoxha Më: 22 qershor 2017 Në ora: 17:09
Flamur Hoxha

“A do të vish të na takosh pasi të fitosh”, më pyeti një banor në një lagje të Kamzës në një nga këto ditë që po trokas derë  më derë. Është pyetja më e rëndësishme që kam dëgjuar në këtë fushatë. I thashë në vend, caktoje datën kur do ti të vij dhe do më kesh këtu. Por u betova me veten se nuk do t'u mungoj këtyre njerzve, të cilët ndoshta më shumë se çdo gjë ndjejnë nevojën të takohen, të përfillen, të bashkëbisedojnë, të konsiderohen nga deputeti, nga zyrtari, nga shteti. Ndjejnë nevojën të mos ndjehemn të harruar, të përbuzur, të lënë mënjanë, të lënë pasdore.

Unë po futem në politikë me besim e shpresë për të sjellë një ndryshim edhe në mentalitetin e sotëm të një pjese njerëzish. Pajtohem me një ndjeshmëri të njerëzve të caktuar, të cilët shprehen se në politikë kanë depërtuar edhe horra, kriminelë me damkë, hajdutë, që hyjnë në të për t’u pasuruar, njerëz të paditur, që marrin peng të sotmen e të nesërmen.

Është kjo arsyeja pse Partia Demokratike mori nismën për të pastruar politikën shqiptare me ligjin e dekriminalizimit. Ndërkohë në këto 27 vjet, unë e di se në politikë ka patur edhe njerëz të ndershëm që kanë punuar me përkushtim atdhetar. Falë politikanëve të tillë si Sali Berisha sot Shqipëria është në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA dhe në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Unë ndjej mirënjohje për këta politikanë. E kam ndërtuar jetën time me mund e djersë. Askush nuk mund të gjejë asnjë hije të dyshimtë në jetën dhe veprimtarinë time ekonomike. Duke hyrë në politikë, unë besoj fort në programin e Republikës së Re, në programin e Lulzim Bashës, që do t’u japë fund pelivanëve, shushunjave e dallkaukëve të korrupsionit.

Ka një tendencë që t’i paraqesë gjithë politikanët njëlloj mashtrues, që kërkojnë të përfitojnë në kurrizin e njerëzve, që kujtohen për njerëzit vetëm në ditën e votimeve. Kjo nuk është e vërtetë për mua. Në të gjitha takimet e shumta që kam bërë me njerëzit, i kam siguruar  se do të jem i njejti njeri, ashtu siç jam shfaqur me sjelljen time gjatë kësaj fushate.

Do të jem derë e hapur për të gjithë, nuk do të jem i shurdhër për askënd. Kjo është moto e imja. Madje këto fjalë i kam vënë edhe në kartvizitën time, që ua kam shpërndarë njerëzve, që këto fjalë t’i mbajë mend secili votues.

Unë, Flamur Hoxha, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, në rajonin e Kamzës, jam njëri prej jush, biri dhe vëllai juaj, që, ashtu si çdo shqiptar, njoh historinë e vuajtjeve të përbashkëta, historinë e qëndresës tonë të sotme e të mëhershme. Njoh dëshirat dhe respektoj synimet e secilit për një jetë më të mirë për sot e për nesër. 

Për mua, tiranasit janë të gjithë njëlloj: demokratë, socialistë dhe pa parti. Ju siguroj se do të marrë fund dallimi, së paku në vështrimin tim, ajo që dikush të shikohet si i nënës e dikush tjetër si i njerkës. Jemi të gjithë shqiptarë, jemi vëllezër e motra dhe duam që të gjithë që ky vend të ecë përpara.

Si krejt Shqipëria, në fillim të viteve ’90, zona e Kamzës hyri në udhën e zhvillimeve të pakthyeshme. E gjithë kjo që shohim sot në  Kamëz, Laknas, Bathore, Paskuqan, Babrru etj, është pasojë e mundësive të pakufishme që dha liria.

Partia Demokratike dhe liria, për mua, kanë qenë dhe mbeten një binom i pandashëm. Kemi hasur në vështirësi të panumërta. Rruga jonë e zhvillimit nuk ka qenë e shtruar me lule. Kemi ecur përpara edhe përmes gabimeve të shumta, të cilat janë njohur nga PD dhe, besoj se gabimet do të njihen më mirë duke mos lejuar përsëritjen e tyre. Shkoj para zgjedhësve me peshën e përgjegjësisë që t’i përfaqësoj në Kuvend,  të përfaqësoj aspiratat dhe pritshmëritë e tyre legjitime. Shtëpitë e ndërtuara me mundin dhe djersën e tyre, të cilat PD nuk mundi t’ua legalizonte të gjithëve, kam qenë dhe jam i   bindur që nuk do të kishte forcë në botë që do t’i shkatërronte ato. Sepse në çdo kohë veprat e ndërtuara me djersë e ndershmëri respektohen nga të gjithë.

Banorët e bashkisë Kamëz i njohin mirë vlerat e lirisë. Dhe ndaj gjithnjë kanë votuar Partinë Demokratike. I konsiderojnë qëndrestarë. Dikush mund t’i konsiderojë edhe si konservatorë, që nuk e njohin ndryshimin. Kjo është një akuzë e padrejtë. Një pjesë e madhe prej tyre, duke lënë vendlindjen, kanë provuar se janë të aftë t’i realizojnë prirjet e drejta për ndryshim e zhvillim të vazhdueshëm. Konservatorizmi ndërkohë është një prirje e natyrshme e çdo shqiptari për të mbrojtur zakonet tona më të mira, trashëgiminë tonë kulturore kombëtare dhe mentalitetin, që na dallon prej të tjerëve. Do të jemi gjithmonë njerëz të fjalës së mbajtur, të besës, burrërisë e të guximit.  Ne do të jemi konservartorë për mbrojten e vlerave të vërteta, që lidhen me lirinë, me të drejtat njerëzore, me pronën, dhe familjen. Njoh virtytin e mirënohjes të banorëve të ardhur më vonë dhe marrëdhëniet e mira me miqtë e të afërmit.

Image

Në Kamëz është krijuar një realitet i ri demografik e social, ku jetojnë në harmoni të plotë vendasit e vjetër, bujarë e mikpritës me të ardhurit, që janë përpjekur gjithnjë tua njohin e reflektojnë këto vlera. Harmonia midis njerëzve është një vlerë që do të jetë në themel të veprimtarisë e të sjelljes time politike. E njoh edhe personalisht vuajtjen si shumë njerëz. Kam ndjerë mbi kurriz edhe një persekutim të veçantë, një diskriminim veç të tjerëve. Kam njohur gjendjen ekonomike e shpirtërore që të shkakton situate, kur je i internuar larg vendlindjes, larg të afërmëve, larg miqve e dashamirësve, kur në çdo situatë pushteti i pashpirt komunist nuk përtonte të ma kujtonte se më kishte pushkatuar gjyshin. E ndjej detyrimin e mirënjohjes së përhershme ndaj popullatës së thjeshtë të fshatrave të Ishmit, të cilët na kanë përkrahur, na kanë ndihmuar, na kanë ftuar gjithnjë në dasmat e gëzimet e tyre, duke rrezikuar mirëqenien e rehatinë e tyre.

Mirënjohje përjetë për të gjithë ata që të duan kur je në fatkeqësi e në ditë të vështira!

Koha për familjen tonë si për të gjithë shtresën e të persekutuarve, ndonëse me vështirësi, ka shëruar shumicën e plagëve. Duam të harrojmë me dëshirën e mirë për t’i vënë kapak së kaluarës. Dua edhe përsonalisht që e kaluara të mbetet vetëm në librat e shkencës së historisë, që si mësuese e jetës, të na japë vetëm dritën e nevojshme për të sotmen e të ardhmen.

Nuk kam lejuar asnjëherë që e kaluara të më ngatërrohet nëpër këmbë, që emocionet e së kaluarës të vrasin perspektivën e së ardhmes. Ky është edhe një vizion europian që e mësova në Europë, ku çdo prirje zhvillimore lidhet me humanizmin dhe me punën e prodhimin e pandalshëm. Pa mundësitë e punës dhe të prodhimit qyteti i Kamzës, i lindur nga djerrina, do të rikthehej edhe një herë në djerrinë. Shtëpitë e mbushura me fëmijë e njerëz do të boshatiseshin, siç kanë filluar të boshatisen dhe mundësitë për jetë më të mirë do të asgjësoheshin. Partia Demokratike solli shpresë tek njerëzit me thirrjen për ta bërë Shqipërinë si Europa, por, në këto 27 vjet për fat të keq, nuk e sollëm Europën në Shqipëri, por dërguam njerëzit në Europë. Në rrethana fatlume, unë jam njëri prej atyre që u rikthyen me besim në Shqipëri për ta ndërtuar jetën këtu. Ja kam dalë këtij synimi në sipërmarrjhen time personale. Në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët italianë, kam ndërtuar biznese të suksesshme. Përpiqem për familjen time, për njerëzit që punojnë në sipërmarrjen time, për të cilët ndjej gjithnjë mirënjohje e besim. Me këtë ndjenjë jam përpjekur për të rritur kujdesin dhe shpërblimin ndaj tyre.

Image

Në takimet e përditshme derë më derë e sy me sy me njerzit, kam premtuar si njeri se do të jem ky që më shihni sot, që nuk do tua kthej shpinën kurrë, që do të jem përherë i vëmendshëm ndaj kërkesave dhe nevojave të tyre jetësore. Kam dëgjuar me vëmendje vërejtjet e tyre, qortimet, kërkesat jetike dhe do të doja që një pjesë e gabimeve tona të mos kishin ndodhur. Nuk jemi këtu për të vajtuar, prandaj jo për interest e mia personale, i jam bashkuar ekipit të Republikës së Re, me të cilën më lidh detyrimi që fjalët dhe premtimet tona të mos mbeten rrugëve, të mos i marrë era.  Gjithçka që premtohet, besoj fort, se do të kthehen në një realitet të shpejtë. E di shumë mirë që njerzit nuk kërkojnë mrekulli. As nuk shpresojnë që kjo të ngjasë, siç mund të shprehet dikush tjetër, me shkopin magjik. Por, me sa kam kuptuar unë, ekipi i ri qeverisës i Partisë Demokratike do të përkrahë e stimulojë fuqishëm prodhimin e brendshëm industrial e bujqësor, do të nxisë çdo biznes, që hap prespektiva zhvillimore dhe vende pune. Jo për të zbuluar vetëm informalitetin, edhe kjo është e drejtë, por për të krijuar vende të reja pune.

 Në Parlamet do ta votoj programin e qeverisë Basha për taksa e tatime ku unë përsonalisht kam marrë pjesë në hartimin e këtij programi. Siguroj se do të jem garant që askush të mos abuzojë me taksat e qytetarëve. Këto taksa e tatime që do të mblidhen, unë do të jem i vëmendshëm gjithmonë që të shkojnë gjithnjë vetëm për projekte zhvillimore, që rrisin mirëqenien. Ju siguroj se do të jem i vëmendshëm që askush të mos guxojë të vejë detyrime e gjoba të padrejta apo të kërcënojë askënd për interesa personale. Ndaj abuzuesve të tillë të mundshëm do të këmbëngul të forcohet edhe legjislacioni.

Ashtu si do ta kërkoj votën deri më 25 qershor, që nuk dyshoj se do ta kem, pas 25 qershorit, premtoj solemnisht se do të jem ky që më shihni sot. Nuk do të ndërroj udhë prej askujt, nuk do ta kthej kokën mënjanë.

Njerëz të pafytyrë vijnë në Kamëz dhe kërkojnë votën sërish për të qeverisur edhe katër vjet të tjera. Nuk duan që t’ua kujtojë kush gënjeshtrat e para katër viteve. Vijnë me të njejtat gënjeshtra, me të njejtat fytyra, por me një ndryshim, nuk rrejnë për toke, por rrejnë për qielli.

Timoni në duart e tyre, do të thotë Shqipëria në greminë, Shqipëria e mbushur me krime dhe drogë, me njerëz pa shpresë, që mezi presin të ikin nga atdheu. Ata thonë se do të krijojnë vende pune këtu. Po pse nuk krijuan asnjë në këto katër vjet? A mos u duken pak katër vjet? Ata nuk kanë fare respekt për kohën dhe jetën e njerëzve, që po ju ikë pa e kuptuar në skamje dhe shpërfillje të vazhdueshme.

Partia Demokratike respekton konkurencën paqësore midis alternativave. Siç dihet, ajo zhvilloi një betejë të jashtëzakonshme për zgjedhjet e lira. Këto ditë, fatkeqësisht, po dëgjojmë për dhunë edhe ndaj grave, për gjakosje, për shitblerje votash. Aleatët e qeverisjes 4 vjeçare akuzojnë njëri –tjetrin.

Në të gjitha rastet, ashtu si Partia Demokratike, edhe unë e dënoj preraz dhunën. Dhuna i përket Republikës së vjetër. Sipas meje, policia e prokuroria e kanë për detyrë t'i zbardhin urgjentisht rastet e këtyre ngjarjeve të dhunshme, t'i dërgojnë fajtorët në bankën e të akuzuarve.

Por kam përshtypjen se kjo lloj fushatë zgjedhore e kundërshtarëve politik, që shfrytëzojnë retorikën, pa dhënë llogari, por me hidh e prit, shaj e ulërij, ngri tone e kërcëno - midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, sikur po u shkon për shtat të dy forcave të vjetra politike, pikërisht për t’i dredhuar përgjegjësive dhe llogaridhënies. Unë kam bindjen se liderët e PS e LSI kanë dëshirë të kapardisen, të shfaqen si burra të fortë dhe, mbase kështu, shpresojnë se do të shpërblehen me vota. Por unë jam i bindur se askush nuk do ta shpërblejë terrorin e tyre verbal.

Mes kësaj vape klimatike dhe elektorale, u bëj thirrje administratorëve të pushtetit, le të shuajnë klithmat e ndërsella të akuzave, të mos ua presin ujin njerëzve, të lirojnë saraçineskat, se do të mbahen mend si kuçedra e fushatës së 25 qershorit.

Unë mbështetem tek simpatia e banorëve që sa vjen e shtohet për Partinë Demokratike. Si barometër kam veprimtarët e kësaj partie, që i njohin shumë mirë ndjeshmëritë e njerëzve. Ata më sigurojnë për një fitore të thellë. Le te qesin kundërshtarët petulla me ujë për vete sa të duan, le të blejnë sondazhe e kalemxhij të gjithëdijshëm. Asgjë s'mund ta ndalë fitoren e 25 qershorit.

(Autori është kandidat i Partisë Demokratike për deputet në Tiranë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat