Debati i munguar, si pasiguri e programeve partiake

Opinione

Debati i munguar, si pasiguri e programeve partiake

Nga: Azem Parllaku Më: 22 qershor 2017 Në ora: 22:27
Azem Parllaku

Bindja e votuesit logjikisht duhet të jetë preokupimi kryesor i partive politike, që garojnë për të fituar zgjedhjet. Gara për të fituar legjimitetin e qeverisjes, ka të bëjë me përpjekjet për t'a determinuar opinionin publik në favor të politikave dhe programeve partiake. Suksesi dhe efekti i këtij misioni varet nga shumë faktorë, por pa dyshim një faktor me rëndësi dhe ndikueshmëri të madhe dhe të veçantë, ndoshta edhe vendimtare, janë debatet në media. Mediat janë mënyra më efikase për t'i bindur votuesit dhe për t'i promovuar vlerat dhe konceptet politike.

Ekzistojnë edhe faktorë tjerë që paraqiten si kushte për të arritur suksesin një partie politike. Të tillë faktorë janë; oferta dhe programi politik, autoriteti i drejtuesve kryesorë, struktura organizative, kapaciteti financiar etj. Mirëpo çdo parti politike mund t'i plotësojë të gjitha këto kushte dhe përsëri mund të dështojë, nëse nuk i kushton rëndësi të veçantë paraqitjes mediatike, duke përfshirë të gjitha llojet e mediave; shtypin, radion, televizionin, dhe internetin. Drejtuesit e partive politike në përgjithësi duhet të krijojnë një vizion ndërkulturor, dhe kjo do të thotë që ata duhet të kenë aftësitë e nevojshme komunikuese për ta kthyer vizionin e debateve publike në praktikë, në garime për marrjen e pushtetit. Pranimi i debatit publik me kundërshtarin politik, është edhe shenjë e zhvillimit të kulturës individuale dhe asaj demokratike, është shenjë e dëshirës së mirë për t'i shërbyer më mirë elektoratit tënd, duke i treguar se je i/e sigurtë në programet apo arritjet e tua dhe nuk ke frikë t'i përballësh këto me kundërshtarin tënd edhe në debat publik.

Amerikanizimi i proceseve zgjedhore ka gjetur shtrirje në të gjithë botën dhe së fundmi edhe në Shqipëri ka një prirje të tillë. Kompanitë amerikane të manaxhimit të fushatave elektorale renditen të parat në botë për ofrimin e konsulencës. Këto kompani qasin konsulencën e tyre lidhur me hartimin e produktit politik, e veçanërisht marrëdhënieve me median. Në Amerikë debatet televizive presidenciale nganjëherë janë vendimtare për përcaktimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Shumë njerëz, kur flasin për këta debate përmendin një episod nga e kaluara. Richard Nixon, kandidati republikan në zgjedhjet e vitit 1960 dhe njëherazi zëvendëspresident i SHBA-së, u shfaq i zbehtë në debatin e atij 26 shtatori në kryeqytetin Washington DC. Fytyrën pa grim ia mbulonin djersët, teksa shpeshherë vihej në siklet para kamerave dhe gëlltitej. Ndryshe nga rivali i tij demokrat John Kennedy, i cili kishte pushuar dhe ishte përgatitur gjatë për këtë përplasje. Të gjitha këto ia kthyen Nixon-it në një ferr të vërtetë atë natë, që shënoi një epokë të re në historinë e garës presidenciale në SHBA. Ekspertët do të shpreheshin më vonë se pas kësaj, u kuptua se nuk ishte nevoja që të pritej për ditën e zgjedhjeve: Presidenti ri ishte zgjedhur tanimë dhe çdo gjë kishte ndodhur përmes televizionit.

Ndërkohë, në Shqipëri sapo u mbyll fushata zgjedhore dhe kandidatët për postin e kryeministrit, nuk mundën t'a kthejnë vizionin e debateve publike në praktikë. Rama, Basha, e Vasili, më së shumti promovuan format e komunikimit me votuesit nëpërmjet metodave klasike si komunikimi i drejtpërdrejtë, tubimet etj. Por nëse bëjmë një krahasim me komunikimin masiv mediatik, metodat klasike kërkojnë më shumë angazhim, më tepër resurse njerëzore, janë më të lodhshme dhe nuk mund të përfshijnë të gjithë votuesit. Krejt ndryshe komunikimi masiv përmes mediave, ofron përfshirje më të madhe të madhe të publikut, e rrjedhimisht është më me ndikim.

Përplasja në debatet televizive mes kandidatëve për kryeministër, gjithësesi do të shërbente si matës i nivelit dhe fuqisë politike të kandidatëve në garë. Fatkeqësisht, jo përballë dhe larg vëmendjes së publikut të gjerë, Rama, Basha, e Vasili, lëshuan deklarata kundër njëri-tjetrit, duke u shmangur kështu, nga promovimi i programeve qeverisëse. Edhe kur kandidatët në fjalë u thirrën veçmas në debatet televizive me gazetarë, këta të fundit nuk u treguan të paanshëm, ndërsa të parët e shpenzuan kohën televizive, duke bërë batuta. Kryeministri në detyrë nuk mundi dot të bëjë një bilanc të qeverisjes 4-vjeçare, nuk pranoi fajin e mosrealizimit të premtimeve elektorale të dikurshme, ndaj dhe dhënia e llogarisë, apo mbajtja e përgjegjësisë, as nuk i shkoi nëpërmend Ramës, po kështu dhe zërat që i'a kërkuan ishin të paktë. Dështimet qeverisëse Rama i'a faturoi bashkëqeverisësit Meta, por edhe opozitës, kur në fakt ai vetë qeverisi me dorë të fortë.

Kandidatët për kryeministër i'u shmangën përballjes drejtpërdrejtë, pasi e kanë të qartë se shoqëria është gjithnjë në konflikt me politikën, veçanërisht me politikën që rastis të qeverisë, dhe se kurrë shoqëria dhe populli nuk beson te pushteti dhe te politika. Populli vëzhgon, vigjëlon e vepron si antipolitikë dhe në rastin më të parë të dëbon nga pushteti. Domosdoshmëria e përballjes në debat e kriticizmi konstruktiv është një fuqi morale dhe intelektuale e pazëvendësushme, që kërkon guximin qytetar, profesionalizëm dhe intelektualë të vërtetë. Në të kundërt retorikat në distancë, batutat dhe populizmi luftën politike e kthen nga luftë ndaj ideve në luftë ndaj njerëzve. Në këtë fushatë zgjedhore në Shqipëri, fjalimet politike ishin boshe. Foltoret dhe infrastruktura e konferencave për shtyp ishin të pakrahasueshme me mesazhet e dhëna! Të parat shumë më atraktive se të dytat. Në debatet televizive u fol nga dy orë e gjysmë dhe s'u tha asgjë konkrete.

Politika, kjo paradigmë filozofiko-jetike, me impaktin e vet po na trazon të gjithëve. Shqiptarët ata që nesër do të votojnë mund të mos jenë të vetëdijshëm se, politika e kohës sonë është politikë, largplatoniste, se në të ka edhe njerëz që synojnë të mirën kolektive, moralistë, se në të imponohen, ndërfuten, tërhiqen, avancohen të prishur, se ka edhe të atillë që peshkojnë në ujëra të ndotur. Do të votojnë politikanë me zero fjalime në parlament e më keq ende nuk e kanë bagazhin jo vetëm politik, por edhe intelektual. Duke i'u shmangur debatit publik politika e ka vrarë ardhmërinë, sepse votuesi shqiptarë, është vrarë me të përzgjedhurit e listës politike, është vrarë përmes pozitës dhe opozitës me liderizimin e njerëzve, të paaftë për të bërë gara me trurin intelektual. Shqiptarët që nesër do të votojnë e kanë aq dije se; Ka një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të vajtuar dhe një kohë për të vallëzuar, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për t'u frenuar, një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të hequr dorë, një kohë për të mbajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, një kohë për të shqyer dhe një kohë për të ngjitur, një kohë për të qenë të heshtur dhe një kohë për të folur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat