Sfidat

Opinione

Sfidat

Nga: Albinot Maloku Më: 23 qershor 2017 Në ora: 12:33
Albinot Maloku

Edhe njëmbëdhjetë qershori i sivjetmë iku duke përmbyllur me sukses një proces zgjedhor për legjislaturën e re, të gjashtën me radhë për Republikën e Kosovës. Rezultatet përfundimtare të cilat e përmbyllin përbërjen e re të kuvendit, do të shpallen dhe përfundimisht do të dihet se kush janë përfaqësuesit e popullit të cilët i morën votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë. Periudha prej pas 11 qershorit deri në zgjedhjen e kreut të kuvendit, të qeverisë dhe kryeministrit me siguri do të dominohet nga debate të lloj-llojshme se kush me kë do t’i formojë institucionet e reja të shtetit të Kosovës. Propozime, rekomandime e ide ka nga më të ndryshmet, por kryesorja ngelet, që siç ishte procesi zgjedhor i kulturuar të mbarojë edhe faza deri te formimi i institucioneve shtetërore të vendit.

Gjithsesi, çdo kombinaotrikë është duke u diskutuar, mirëpo më e mira do të ishte kombinatorika e cila do të prodhonte një qeveri e cila ka për të hapur një perspektiv për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Sfidat e vendit e për vendin vazhdojnë të jenë të mëdha e shumë-përfshirëse, kurse nyja e problemeve, pa dyshim vazhdon të jetë zhvillimi ekonomik.

Maratona e shtet-ndërtimit të Republikës së Kosovës, si në aspektin e brendshëm, e po ashtu edhe në aspektin e jashtëm u nis me 17 shkurt të vitit 2008. Kjo maratonë është e përfshirë nga sfida të ndryshme e që janë edhe të vështira edhe shumë shtresore. Aktualisht vendi gjendet para një sfide e cila ka përpirë çdo zhvillim, e kjo sfidë është vendosja e sundimit të ligjit e të së drejtës. Kjo paralelisht mund të nën-kuptonte një luftë të ashpër kundër padrejtësive në të gjitha instancat institucionale e shtetërore të vendit.

Me gjithë përparimet e bëra deri më tani, Kosovës i mbetet që të punojë edhe më shumë në krijimin e një kulture politike, e cila do të prodhonte një gjuhë të përbashkët për marrjen e vendimeve të konsideruara të mëdha politike. Më pastaj hallet e dertet e qytetarëve janë të mëdha. Pagat e vogla, shëndetësia e sëmur e që pret dorën e mjekut të shërohet, arsimi i bastarduar e që pret dorën e profesorit meritor për t’ia ngritur cilësinë, sistemi gjyqësor i cili lëngon si pasojë e korrupsionit e nepotizmit politik e familjar.

Në aspektin diplomatik, Kosova vazhdon të mos ketë asnjë ngritje e cila do të përfshinte edhe rritjen e numrit të njohjeve edhe krijimin e një ambienti të favorshëm për ato investimet famoze të shumë pritura nga vendet perëndimore.

Sfidat për Kosovën e qytetarin e saj ndërlidhen kryekëput me nevojën e madhe e të pa tjetërsueshme të pasjes së një qeverie e institucione që bëhen dora e zgjatur dhe shpresa që e ngrit edhe dashurin ndaj shtetit e vendit. Asnjë kombinatorikë qeverisëse e cila nuk rrjedh si pasojë e nevojave të qytetarit e të vendit nuk do të jetë me jetë të gjatë. Populli duhet ta ndjej se ka shtet, qeveri e përfaqësues të cilët i konsideron si pjesë të tij, të nevojave të tij, të brengave e sfidave të tij.

Qytetari i Republikës së Kosovës u treguar me 11 qershor se është i kulturuar dhe siç di të shpërblejë di edhe të ndëshkojë. Tani topi është te klasa politike aktuale e vendit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat