Krizat, luftërat dhe konfliktet ndërkombëtare?

Opinione

Krizat, luftërat dhe konfliktet ndërkombëtare?

Nga: Nijazi Halili Më: 24 qershor 2017 Në ora: 14:22
Nijazi Halili

Mosmarrëveshje, konflikte, kriza dhe luftërat zakonisht karakterizojnë m-n. Mungesa e konflikteve mes shteteve është e rrallë. Historia jep pak shembuj të jetesës së njerëzve, shoqërive ose shteteve pranë njeri tjetrit për një farë kohe, pa manifestuar herët a vonë mosmarrëveshje ose konflikt pikëpamjesh apo interesash. Këto mosmarrëveshje nëse janë të thella bëhen shkak për kriza dhe rrezikojnë, po qe se ashpërsohen, të çojnë në luftë. Por si mund të dallojmë krizën nga mosmarrëveshjet dhe luftërat? Cili është pragu kur kalohet nga njëra gjendje në tjetrën? Cilat janë raportet mes tyre? Si mund t’i dallojmë ato? Kriza dhe lufta përfaqësojnë dy nën-kategori të një dukurie më të gjerë, konfliktet ose mosmarrëveshjet ndërkombëtare.

Në kuadrin e këtyre konflikteve ndërkombëtare ose mosmarrëveshjeve, marrëdhëniet mes shteteve marrin katër forma të ndryshme: konflikte ndërkombëtare pa kriza dhe luftëra; kriza që nuk çojnë në luftë; kriza si përgatitje për luftë; lufta ose konflikti i armatosur.  Në rastin e parë kemi një gjendje tensioni permanent që zgjat në kohë, e paqëndrueshme dhe shpërthyese. Shtetet kërcënojnë njeri tjetrin në mënyrë pak a shumë të fshehur ose të hapur. Por nëse kërcënimi me përdorim armësh mbetet një eventualitet, marrëdhëniet mes dy shteteve në konflikt mbeten relativisht normale dhe thuajse paqësore. Në rastin e dyte, kriza që mund të ketë si shkak direkt ndodhi të ndryshme (vendime, rrethana, aksidente), përcakton marrëdhënie tepër të veçanta mes shteteve. Atëherë këta përballen papritur me një gjendje në dukje e vështirë dhe e mbartur me rreziqe.

Menjëherë duhen marrë vendime, që mund të shpien në reagime të ashpra e të dhunshme nga pala tjetër. Krizat, (rasti i tretë), të cilat çojnë në luftë (rasti i katërt), janë relativisht të pakta. Në shekullin e XX, shumica e krizave kanë qenë nën kontroll, qoftë në mënyrë jo të dhunshme, qoftë me anë të një përdorimi të kufizuar të forcës.

Por përse atëherë ndodh që krizat të klasifikohen ndonjëherë brenda tipologjisë së luftërave? Thjeshtë, sepse mendohet se një përqindje e konsiderueshme e krizave shkallëzohet në dhunë dhe luftë. Megjithatë, evidencat sasiore tregojnë se shkallëzimi i krizave drejtë luftës është bërë më pak i dendur dhe kjo për arsye të rritjes së kostos së luftërave. Nga pikëpamja historike, sipas një studimi të bërë mbi 217 kriza që kanë ndodhur nga viti 1929 deri në vitin 1985 dallojmë: kriza që nuk kanë çuar në luftë, 65% e rasteve; krizë e pasuar nga një luftë, 12% e rasteve; kriza që ndodhin gjatë luftërave, 23% e rasteve. Konkretisht në rastin e fundit, disa studiues amerikanë përpiqen të dallojnë kriza brenda luftërave: beteja e Stalingradit ose zbarkimi në Normandi përbëjnë kriza për Gjermaninë naziste, ndërsa ndalimi i sulmit të Aleatëve në malet Ardene (dhjetor 1944), ishte krizë për këta të fundit.

Një krizë me zgjidhje të kënaqshme mund të rregullojë problemet dhe të zhdukë tensionet dhe mosmarrëveshjet që kanë qenë shkaku i saj. Por ka gjithashtu shumë mundësi një rikthim i gjendjes së tensionit që parapriu krizën, madje një tension edhe më i fortë. Ecuria e ngjarjeve mund të ndjekë një rrjedhë më dramatike dhe kriza përfundon realisht me luftë.

Ky është rasti, kur gjatë shekullit të XX, kjo ka ndodhur afërsisht një në dhjetë raste. Pra kriza nuk është luftë. Krizat mund të shihen si një fazë speciale në marrëdhëniet mes aktorëve ndërkombëtarë. Ato, në një kuptim klasik janë manifestime të kushteve “as luftë dhe as paqe”.  Lufta ose konflikti i armatosur janë shpesh produkt i krizave të menaxhuara keq. Lufta ndryshe nga kriza, përcaktohet si një instrument i politikës shtetërore dhe konsiderohet si një formë relativisht e re e dhunës së organizuar. Një luftë, megjithatë, shpesh përbën një krizë për një vend të tretë, i cili nuk është implikuar direkt ose menjëherë, por që mund të jetë në mënyra të ndryshme gjatë zhvillimit të mëtejshëm të një konflikti të caktuar. Për gjatë viteve 1980 dhe 1990, luftërat civile në Liban, Kamboxhia, Somali apo ish-Jugosllavi, megjithëse nuk implikonin direkt SHBA ose aleatët e tyre perëndimorë, të cilat përbënin për këto vende kriza ndërkombëtare të rrezikshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat