Politika e pabesisë

Opinione

Politika e pabesisë

Nga: Veli Karahoda Më: 26 qershor 2017 Në ora: 13:13
Veli Karahoda

Ka ndonjë që nuk përton të gërmojë në histori për të gjetur mënyra inteligjente për të parandaluar mashtrimet në politikë. Meqë kodet kalorësiake, burrnia dhe fjala e dhënë qenkan të pamjaftueshme dhe të panevojshme në kohën tonë, propozohet firmosja e kontratave me obligim ligjor. Argumenti ndërtohet në mënyrë spekulative duke iu referuar “Statutit të mashtrimit” nga viti 1677, një ligj anglez mbi kontratën që është shfuqizuar pothuajse krejtësisht me reformën ligjore të vitit 1954. Përndryshe, ligji në fjalë vlen për kontrata që bëhen mes personave privatë, mes bashkëshortëve, mes tregtarëve të kreaturave, por jo edhe në politikë, e aq më pak mes partive politike.

Rrena dhe mashtrimet janë të zakonshme në politikë. Këndej edhe thënia mjaft popullore se në politikë nuk ka moral. Një politikan mund të jetë edhe i moralshëm, por nuk ka mekanizëm që ta detyrojë të jetë i tillë. Poashtu, ka raste kur strategjia politike, retorika çorientuese e fushatave politike, lojërat psikologjike dhe mënyrat sesi manifestohet vullneti për pushtet i politikanëve ngatërrohen me çështje të moralit, me ndershmëri ose me meskinitet. Më në fund, destinacioni i mbramë i politikës është pushteti. Në politikë, interpretimi utilitarist i moralit është më adekuat, derisa shfrytëzimi i vullnetit të elektoratit nga ana e politikanit si mjet për t’u ngritur në pushtet nuk quhet imoralitet, ashtu siç do të quhej në filozofi, ta zëmë, në teorinë e Kantit mbi moralin. Pikëpamja utilitariste mbi moralin që flijon vullnetin e individit për “të mirën e përgjithshme” i përshtatet më mirë politikës.

Meqë në çdo shoqëri ekzistojnë norma morale, është gjë e natyrshme që njeriu të kërkojë një grimë moral edhe në politikë. Por politika nuk është arena ku luhet loja e principeve morale. Edhe në shoqëritë me tradita të etabluara demokratike ekzistojnë shprehje si “shkelje premtimesh”, “retorikë boshe për konsum ditor”, “premtime zgjedhore”, “mashtrime politike”, e kështu me radhë. Është punë e kotë të kërkosh skrupuj moralë në gjuhën e ashpër konfrontuese të politikës, por etika shoqërore luan gjithsesi një rol të rëndësishëm kur njerëzit e politikës kalojnë kufijtë e së pranueshmes. Në raste të tilla, politikani është i detyruar të bëjë një gjest dinjitoz, të tërhiqet nga politika përgjithmonë, ashtu siç ndodh shumë shpesh në demokracitë e konsoliduara dhe pothuajse kurrë në demokracitë që vazhdimisht reduktohen në oligarki, si në rastin e Kosovës.

Kontratat mes partive politike dhe elektoratit nuk janë të mundura për shumë arsye, por një prej tyre ka më shumë rëndësi: politikat intervencioniste paszgjedhore të protektorëve, që tashmë janë kthyer në traditë, nuk do të lejonin marrëveshje politike kaq të pavarura. Nuk shoh asnjë lëvizje, asnjë tendencë, madje asnjë arsye se përse protektorët do të angazhoheshin për një demokraci të mirëfilltë në Kosovë, kur synimi i vetëm është ruajtja e stabilitetit nëpërmjet status-quosë. Sfiduesit e status-quosë nuk mund të formojnë qeveri pa bërë kompromise të rënda politike dhe ideologjike. Kjo vlen veçmas për Lëvizjen Vetëvendosje. Për të bërë qeveri, ajo duhet të zotohet përpara protektorit se do të bëjë transformime politike thelbësore të denja për një parti “elitare” të përshtatshme për pushtet dhe qeverisje. 

Para se të hidhet në aventura politike të kushtueshme, Vetëvendosja duhet të reflektojë për arsyet e suksesit të saj. Para së gjithash, ngritja e saj në pozitën e partisë më të madhe në vend mund të quhet aksidentale. Më shumë se nga votat tradicionale, të themi kushtimisht, socialdemokrate, fitorja e saj u sigurua nga votat e një pjese të revoltuar të elektoratit që vendosi t’i ndëshkonte subjektet e tjera politike. Një fitore e tillë është e brishtë dhe mbase e papërsëritshme në qoftë se keqpërdoret. Me përjashtim të bastioneve tradicionale krahinare të votuesve që botëkuptimet politike i reduktojnë në patriotizëm lokal dhe lojalitet ndaj fisit, familjes, tarafit, në Kosovë nuk ekziston ende një kulturë votimi sipas bindjes politike dhe ideologjike si në vendet perëndimore, prandaj rëniet dhe ngritjet në politikën e Kosovës mund të jenë drastike dhe aksidentale. Vota për Vetëvendosjen ishte votë e pakënaqësisë, e refuzimit, e hakmarrjes, një votë e huazuar për një alternativë politike, kështu që edhe rrëshqitja më e vogël drejt “elitarizmit” do të lexohet si prirje arriviste për pushtet e jo për ndryshime. Duke pasur parasysh historinë dhe rrugëtimin politik të Vetëvendosjes, nuk besoj se ajo do të bëjë transformime politike vetëm e vetëm për t’u hyrë në hatër protektorëve. Kapitali i saj politik është akumuluar pikërisht nëpërmjet refuzimit, rezistencës, kritikave të ashpra ndaj politikave intervencioniste të protektorëve dhe sidomos nëpërmjet aksioneve politike, nganjëherë tepër agresive dhe aspak demokratike, mbase ngaqë sistemet e korruptuara dhe jodemokratike s’mund të luftohen me mjete demokratike. Pa këtë kapital politik, Vetëvendosja s’mund të arsyetojë ekzistencën e saj në skenën politike të Kosovës. Prandaj, gjasat për ndonjë konvertim politik radikal të Vetëvendosjes janë të pakta, ashtu siç janë të pakta edhe mundësitë për sajimin e ndonjë qeverie sipas kritereve të definuara prej saj.  

Më të mundura duken skemat e vjetra, tashmë të provuara dhe efikase, sepse qeveritë e Kosovës nuk sajohen për të zhvilluar demokracinë, por për të përmbushur “kriteret”, çkado qofshin ato. Kjo është loja. Ende jemi në fazën e euforisë paszgjedhore. Subjektet politike tradicionale që janë vërtitur në karuselin e pushteteve rotative qysh nga paslufta refuzojnë të bashkohen për të sajuar qeveri. Janë armiqësuar sërish. Nuk duan të bashkëpunojnë. Këtë e thonë haptas dhe preras, ashtu që elektorati ta ketë të qartë se këta nuk duan të bëjnë kompromise. Pasi të përçohet në opinion mesazhi i “vullnetit të fortë”, do të kalojmë në fazën tjetër. Do të simulohet kriza politike. Do të alarmohet opinioni. Altoparlantet do të zhurmojnë. Çekani pacifizues i pragmatizmit ndërkombëtar do të bjerë rëndshëm mbi burrat e papërgjegjshëm të politikës për mungesë të maturisë, të arsyes së shëndoshë dhe patriotizmit “konstitucional”. Burrat e fortë do të tundohen e do të ngrysen në fytyrë si trimat e legjendës, duke dredhur mustaqet, burrnisht. Sado kokëtrashë që janë, goditja e çekanit s’do të durohet. Me indinjatë të thellë, do të varin koburet te krraba e kullës. Para së gjithash, atdhedashuria. Për hir të kauzës, do të pranojnë një bashkëpunim të detyruar me hasmin. Kështu do të sajohet edhe një qeveri e zhvatjes dhe e mizerjes. Ndërkaq elektorati do të thotë: nuk deshën, por i detyruan. Burrat e fortë lëshuan pe, por ama veç me koburen te tëmthi. Kjo është loja.          

Ndërkohë mund të flasim për sjelljet kalorësiake, për burrninë, për fjalën e dhënë. Po thonë se edhe këto duhet të tejkalohen. Gabojnë. Në politikën e Kosovës nuk ka sjellje kalorësiake, as burrni. Atë që nuk e ke, ose atë që e ke pasur dhe e ke humbur, nuk mund ta tejkalosh. Duhet ta kërkosh, ta kthesh, sepse një shoqëri pa sjellje kalorësiake, pa kulturë të fjalës së dhënë, pa burrni, është shoqëri e pabesisë, e mashtrimit, e korrupsionit, e kalbjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat