Pse nuk i fitoi apo pse i humbi Basha zgjedhjet?

Opinione

Pse nuk i fitoi apo pse i humbi Basha zgjedhjet?

Nga: Enver Bytyçi Më: 27 qershor 2017 Në ora: 12:51
Enver Bytyçi

Partia Demokratike doli më 25 qershor me 43 deputetë, ose me 7 deputetë më pak se në zgjedhjet e kaluara të 23 qershorit 2013, kur kishte dy legjislatura konsumimi në pushtet. Ndërsa Edi Rama mori timonin me 74 deputetë, dmth shumicën e kërkuar dhe planifikuar prej tij gjatë fushatës elektorale. U rrit gjithashtu LSI, duke u zotuar se do të jetë një opozitë e fortë në legjislaturën që vjen. Ndërkohë që Partia Demokratike ende nuk është deklaruar se çfarë pozicioni do të mbajë përballë dy forcave politike të fuqishme të majta, të cilat së bashku kanë zaptuar gjithë vendet në parlament. Diskutimet që bëhen janë të shumta, të ndryshme.

Nga çdo pikëpamje dhe pa asnjë mëdyshje përgjegjësia e humbjes duhet t'i faturohet kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha.Ai ka luajtur në fushën e betejës vetëm me kalin e shpatën e tij. Ka marrë vetë vendimet përkatëse, duke përjashtuar çdo konsultim me forumet drejtuese të PD-së. Qoftë dhe për këtë shkak, ai ngarkohet me përgjegjësi të plotë për humbjen, ashtu siç do të shijonte suksesin e fitores. Zotin Basha e fajësojnë të gjithë. E fajësojnë ata që ai i la në hije, e fajësojnë idealistët, të cilëve u dhumbset Partia Demokratike, po aq sa edhe zotit Basha. E fajësojnë gjithashtu kundërshtarët e tij politikë të deklaruar, si dhe kundërshtarët e tij brenda radhëve të PD-së, të cilët iu bashkuan korit të korbave kundër saj. Pse? Sepse humbën privilegjet e dekadave. Sapo nuk e panë veten në listat e deputëtëve, një pjesë e tyre dolën hapur ose punuan nën rrogoz që Basha të pësonte humbjen e thëllë.

Dhe këta nuk skuqen as nuk zverdhen. I japin vetes të drejtën madje të dalin e të thonë: "E shihni si doli fjala jonë! A nuk ju thamë se Basha anashkaloi forumet?! Tani pse duhet të bëhemi ne pjesë e fajit?!. Nuk e kërkojnë dorëheqjen e zotit Basha vetëm ata që kanë fituar nga lista e tij për të qenë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, disa servilë që ai i ka mbajtur afër në Bashki e në parti, disa sejmenë që ai i ka afruar për kontribute të dyshimta në PD. Nuk dua të shkoj më tej në këtë format të kërkesës ose jo të Bashës për dorëheqje. Ai duhet ta marrë një vendim dhe ky vendim duhet të jetë në koherencë me pritshmërinë e demokratëve idealistë. Megjithatë shkaqet e humbjes së thellë të PD-së janë të disa dimensioneve. Nuk është vetëm Basha përgjegjës për humbjen, sidoqë është e duhet të jetë përgjegjësi kryesor. Ja disa arësye pse Partia Demokratike i humbi ose pse nuk i fitoi zgjedhjet e 25 qershorit?

1. Më së pari analiza duhet bërë lidhur me raportin e qeverisë me zgjedhjet. Dy partitë kryesore në qeverisje, si dhe PDIU, u përfolën gjatë gjithë fushatës për manipulime, blerje e shitje votash, për përdorimin e grupeve kriminale dhe eksese të shumta në fushatë e në proces. Vetëm Partia Demokratike ishte jashtë kësaj skeme. Asnjë fakt, asnjë të dhënë për përdorimin nga ana e saj e pavare të pista ose grupeve kriminale e oligarkëve në zgjedhje. Se çfarë kanë përfaqësuar Sajmir Tahiri në Tiranë, Tomë Doshi në Shkodër, Granoz Ruçi në Fier, Mona në Elbasan, Gjushi në Durrës, Idrizi në Elbasan e në Dibër më mirë se Basha e di Rama, Meta, Idrizi dhe qytetarët e këtyre zaonave.

2. Të gjithë e pranojmë se shqiptarët ishin dhe janë të pakënaqur me qeverisjen e zotit Rama. Pakënaqësia duhej të përkthehej në mos votë pro PD-së, në votë kundër Ramës. Pjesmarrja e ulët ishte një lloj proteste. Por pakënaqësitë që ka shkaktuar Rama shkojnë përtej kësaj. Pse nuk ndodhi? Duhet të jesh naiv të mendosh se këto zona e të tjera në Dibër, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Vlorë e Korçë nuk u dominuan nga presionet, joshjet me paratë e krimit e të drogës, etj. Fushata e batutave e Ramës ishte koopertura e nëntokës së manipulimit dhe intimidimit të zgjedhjeve. Zheji foli per gjeneralë të kësaj nëntoke, ku bëjnë pjesë përfituesit e krimit në trafiqe dhe krimit të koncensioneve të katër viteve qeverisjeje të Edi Ramës. Aq sa mund të thuhet se që prej ditës së parë në zyrën kryeministrore ai ka projektuar jo vetëm manipulimin, por edhe maskën e tij. Të paskrupullt u dëshmuan për blerje-shitje votash si Rama, si Meta, si Doshi, si Idrizi. Vetëm PD u distancua si gjithnjë nga kjo makutëri e pashoqe. Ky është shkaku kryesor i humbjes së PD-së. Por ka edhe shkaqe tjera, të cilat PD duhet t'i analizojë.

3. Kryeministri nuk manipuloi vetëm zgjedhjet, ai manipuloi edhe opozitën, vetë kreun e saj. Dhe kjo nuk është përgjegjësi e kryeministrit, aq më pak të një kryeministri që përveç intrigës nuk njeh asnjë rregull tjetër në marrëdhëniet politike e qytetare. Kjo është përgjegjësi e zotit Basha, direkt dhe personalisht e tij. Të besosh është virtyt. Por t'ia besosh maces mëlçitë në qafën e saj, është naivitet. Të besoje se një ministër teknik, pa kurrëfarë ndikimi në ministrinë që merr përsipër të drejtojë, të kontrollojë dhe të ndalë abuzimin me zgjedhjet e votimet, kjo ishte gafa më e pafalshme e zotit Basha. Edhe nëse hynte në zgjedhje, nuk duhej të nxirrte nga zjarri gështenjat për llogari të Edi Ramës. Pse e bëri? Nuk dua ta paragjykoj, siç bëjnë shumë të tjerë. Duhet të shpjegohet vetë. E ka për obligim. Por më e mira do ishte të mos përzihej në çeshtjet e oranizimit të zgjedhjeve. Të mos pranonte as kreun e KQZ-së. E më pas të organizonte grupe të shumta për të faktuar me zë e me figurë shkeljet, ndoshta për të justifikuar një tërheqje nga zgjedhjet pesë orë para mbylljes së procesit të votimit. Nëse do vepronte kështu nuk fitonte PD, por do të fitonte demokracia e Shqipëria.

4. Gafa tjetër e radhës ishte akordimi për një kohë të gjatë i zërave PS-PD gjatë fushatës elektorale, ndërkohë që lufta politike kundër kanabizimit, përfshirjes në krim dhe përdorimit të bandave në fushatë do të duhej të ishte tema kryesore e sulmit opozitar. U duk sikur Rama dhe Basha do bënin mrekullitë! Mrekullia ndodhi, por ajo u shfaq në anën e Edi Ramës. I fituar doli edhe Ilir Meta, i sulmuar majtas e djathtas, para e mbrapa, krejt pa arësye nga ana e zotit Basha, ndonëse Rama kishte hallin se i iknin votuesit e tij të majtë! Fryma që krijoi çadra mund të ndizej më shumë, por nuk ndodhi pikërisht për këtë sjellje xhentelmenësh midis një europianisti dhe një kontrabandisti, bos i krimit dhe parave të drogës në Shqipëri.

5. Partia Demokratike nuk ka struktura. Basha ka angazhuar në organizimin e partisë njerëz teoricienë, pa pikë interesi për punë e jo praktikë, si Eno Bozdo, të cilët Basha i pompon për t'u dhënë më shumë arrogancë në raport me demokratët e thjeshtë. Arroganca e servilëve të Bashës në PD, të cilët krekosen në listën e tij edhe pse pameritueshëm, është një arësye e humbjes së Partisë Demokratike. Edhe për këtë fajtor është kreu i demokratëve dhe duhet të shpjegohet. E ka detyrë t'u thotë demokratëve pse grumbulloi rreth vetes njerëz që disa herë e kanë sulmuar dhe e kanë lënë në mes të rrugës Partinë Demokratike dhe njerëz pa përvojë! Pse grumbulloi njerëz që kanë lidhje të dyshimta me kundërshtarët e hapur të Partisë demokratike? Pse nuk kandidoi asnjë drejtor departamenti në listat e deputetëve? A kishte ndonjë hile të tipit të asaj që ndodhi kur u krijua PKSh (PSSH) më 1941-in?! Janë pyetje që duan përgjigje dhe këtë përgjigje duhet e mund ta japë vetëm zoti Basha.

6. Shkak i humbjes së Partisë Demokratike janë edhe disa ish të saj, të cilët kur nuk lexuan emrat e tyre në listën e re të kandidatëve për deputetë bënë thirrje për të mos votuar PD-në ose punuan nën rrogoz për t'i shkaktuar asaj humbjen. Jozefina Topalli e humbi të drejtën e kritikës që kur e shpalli veten kundër PD-së dhe u bë me dashje ose pa dashje bashkëfajtore me Bashën për humbjen e saj. Dhe pse? Se nuk iu prit derisa të gdhinte data 26 qershor! Fatkeqësi për një drejtuese të lartë të opozitës! Edhe ish-sekretari i Përgjithshëm u angazhua fort për dështimin e Bashës. Mjafton të ndjekësh një portal "demokrat" të tij dhe të shohësh sesa kontribute shtesë dha ai në favor të Edi Ramës e kundër partisë së tij, përmes së cilës mori jo vetëm pushtet, por edhe pasuri. Janë dhe nja dy emra të tjerë, të cilët ndikuan negativisht me deklaratat e tyre dhe e dëmtuan partinë që ata thonë se "e duan me shpirt"! Ka dhe shumë arësye tjera pse Basha i humbi zgjedhjet. Dhe të gjitha do të duhet të jenë pjesë e një analize të thellë. Megjithatë duhet patur kujdes. Bashës as që duhet t'i shkojë në mendje ndonjë lloj qasje "miqësore" të hapur ose të fshehtë me Edi Ramën. PD duhet të konkurojë ndoshta katër vite, ndoshta më pak, me LSI-në për të bërë një opozitë jo vetëm parimore, por dhe të ashpër me një kryeministër që unë e shoh si rrezik kombëtar për të sotmen e të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat