Kjo fuqi e tepërt e PS, me tepri force të Edi Ramës

Opinione

Kjo fuqi e tepërt e PS, me tepri force të Edi Ramës

Nga: Ramiz Lushaj Më: 28 qershor 2017 Në ora: 18:07
Ramiz Lushaj

1.
KQZ e shpalli Rezultatin Përfundimtar të Zgjedhjeve në Shqipëri. Partia Socialiste në Pushtet doli fituese duke marrë 74 mandate në Kuvendin 140 vendësh. Me një aritmetikë të thjeshtë: ma shumë se gjysmën, mbi 50 për qind. Gjithkahit, kryesocialisti e socialistët, e trumbetojnë si fitore historike, që iu mundësoi për të marrë të vetëm Timonin e për të mos ndarë Tepsinë me të tjerët. Socialistët e festuan në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. A thue gjithçka është realisht kështu, kësisoj: fitore e festë?! Jo.

Një fitore e tillë, tue marrë në konsiderim përmasat e rrjedhojat e saj në vargni kohe, është fort e frikshme për Shqipërinë tonë me demokraci të brishtë, ekonomi të dobët, tranzicion të tejzgjatur, luftë politike të ashpër.

Në zgjedhjet ma të fundit parlamentare, në asnjë shtet ballkanik, në asnjë vend euro-atlantik në BE e NATO, asnjë parti politike në pushtet apo në opozitë, nuk ka mbrri të ketë përtej gjysmës së vendeve në parlamentet e tyre kombëtare, sikurse Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në Shqipëri, në zgjedhjet parlamentare 2013, PS mori vetëm 65 vende në ulëset e Kuvendit, me koalicionin Aleanca për Ardhmëri Europiane (LSI, PBDNJ, PBKD, PDIU).  Në Serbi partia SNS e Vuçiçit në zgjedhjet e 24 prillit 2016 në koalicion me 7 parti siguroi gjysmën + 6  vende në Kuvendin e Serbisë. Në Malin e Zi, në tetor 2016, partia e Gjukanoviçit në koalicion mori 41.1 për qind të votave, 35 vende në Kuvendin 81 vendësh. Në dhjetor 2016 në Maqedoninë partia në pushtet e Gruevskit me koalicion mori 38.1 për qind të votave (51 vende) dhe SDSM e Zaevit me koalicion 36.7 për qind (49 vende në Kuvendin 120 vendësh). Në Bosnje-Hercegovinën multietnike partia fituese SDA në zgjedhjet e dhjetorit 2014 mori vetëm 27.9 për qind të votave.

As në shtetet ballkanike, antare në BE e NATO partitë fituese nuk kanë marrë mbi gjysmën e vendeve në parlamentetet e tyre, si PS e Edi Ramës.  Në Greqi, në shtator 2015, Partia Syriza mori 35.5 për qind të votave Në Bullgari, në mars 2017, GERB fitoi me 32.7 për qind. Në Kroaci partia fituese mori vetëm 56 vende në parlamentin kroat, etj

Edhe në vendet ma të fuqishme të BE, asnjë parti fituese nuk ka marrë mbi gjysmen e vendeve në Parlament. Sivjet, në Mbretërinë e Bashkuar, konservatorët e kryeministres Theresa May morën 36.8 për qind (317 vende) në Parlamentin 650 vendësh. Në Gjermani Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) i kancelares Angela Merkel (në koalicion me CSU) mori 41.5 për qind. Po kështu, edhe në Francë e Itali, edhe në Vendet Skandianve (Norvegji, Suedi, Finlandë, Danimarkë, Islandë), po edhe në Kanada, në kontinentin e Amerikës së Veriut.

2.
Si kjo fitore e PS në Shqipëri ndodh rrallë edhe në ish republika të Bashkimit Sovjetik, të cilat Federata Ruse i ka fut nën sqetullën e vet, ku demokracia lenë për të dëshiruar, presidentët sillen si mbretër, synojnë të shkojnë me integrime drejt Europës e Amerikës, por mbeten në Lindjen Sovjetike të Leninit, Stalinit e Putinit.
 
Taxhikistani ka mbi 143 mijë km katërore e mbi 8 milionë banorë. Në zgjedhjet parlamentare të marsit 2015, Partia Demokratike Popullore e Taxhikistanit (PDPT) fitoi 65.4 për qind të votave, 51 vende në Kuvendin 63 vendësh. Partitë e të tjera: Partia Agrare, Partia e Reformave Ekonomike, Partia Komuniste, Partia Socialiste, marrin vota në përqindje të ulëta, nga 1 deri në 5 deputetë. Në Taxhikistan, presidenti Rahmon është në pushtet prej dhjetorit 1994, gati po kap një çerek shekulli sundim autoritar. Pra, si partia PDPT e Rahmonit në Taxhikistan dhe partia PS e Ramës në Shqipëri (Albanistan) kanë fitue mbi gjysmën e vendeve në parlament.
 
Kryesocialisti e kryeministri Edi Rama e ka fort të vështirë ta administrojnë një fitore të tillë, sepse vendi ynë mund të ikin  keqas nga rruga e demokracisë euro-atlantike e timoni i pushtetit katërvjeçar mund t’i ikin shumë shpejt nga duart. Timoni është i rëndë. Tepsia është e madhe. Ai, Edi Rama, sipas gjasave, mund të dështojnë shpejt e keq me politikën e tij “TT”, etj. Edhe Opozita, Partia Demokratike e Shqipërisë, duhet ta ndërtojë strategjinë e vet për dobësimin e fuqisë të PS e të Edi Ramës dhe jo të rrijnë duke sulmue pa skaj e majë kryetarin aktual të PD, Lulzim Basha. Sulmet ndaj lidershipit të PD-së nga Topalli, Imami, Bregu, e ndonjë tjetër, e kanë dëmtue dukshëm PD në Elektoriadë; e kanë fuqizue ma shumë PS e Edi Ramën. Fuqizimi i tepërt i PS e Edi Ramës i ban dam Shqipërisë, sikurse dobësimi i Opozitës, i PD-së i ban keq Shqipërisë.
 
Edi Rama, kryeministri me mandat të ri dhe kryesocialisti me mandat të gjatë, me kaq fuqi të re e forcë deri në tepri mund t’i ngjasin liderit Rahmon të Taxhikistanit apo dikujt tjetër në Afrikë. Pse jo, dhe në të shkuaren e Shqipërisë komuniste. Edi Rama ka dhënë shenja e prova autoritarizmi të sforcuar e të tepruar qyshce në mandatin e parë kryeministror, qyshce në vitin e parë të mandatit të tij, atëherit kur deklaroi para Kuvendit e Shqiptarëve, se: “Nuk keni parë gjë akoma”?!, etj.  Edi Rama e ka të qartë e të përjetuar përvojën e të shkuarës e të sundimit autoritetar të “Bllokut”. Atij i shërbeu ma së mirit motoja platformë ideo-politike “Rilindje”, e cila në thelb e themele nuk ishte “Rilindje” e Popullit, por Rilindje e “Bllokut”. Tashti, me këtë arritje edhe të “Rilindjes” ai po bahet më i fortë se asnjëherë, ma i fortë se çdokush tjetër në Shqipëri.
 
Edi Rama kuptimon e veprimtaron për të qënë një “Dorë e fortë e Shqipërisë”. Një popull e një vend si Shqipëria, i dalun i lodhur nga diktatura, i mësuar me diktaturën, që nganjëherë e koncepton demokracinë e sotme si diktaturë me elementë të djehit, e kërkon “Dorën e Fortë”, e ndjek pas ngado që t’i vijnë ajo, nga e majta apo nga e djathta. Pra, ndodh të kërkojnë edhe “Taxhikistan”, një parti fituese e sunduese si në Taxhikistan (!)
 
Ndaj kryesocialisti e kryeministri Edi Rama e sulmon kaq shumë liderin historik Sali Berisha, të cilësuar nga ndërkombëtarët dhe nga shtypi i huaj si “Burri i fortë i Shqipërisë”. Gjithashtu, njejtësisht, gjithanshmërisht, e sulmon edhe kryetarin aktual të PD, Lulzim Basha, që të mos bahet një “Dorë e fortë e Shqipërisë”, pavarësisht se ky gëzon edhe mbështetje ndërkombëtare. Kësisoj, kështu, e për këto arsyena, e sulmon Edi Rama edhe ish kryetarin e LSI, të sapozgjedhurin për në postin e Presidentit të Republikës.
 
Kjo fitore e PS të Edi Ramës, e kryeministrit Edi Rama, si e pangjashme në vende ballkanike e euro-atlantike, është një tjetër tregues se Shqipëria ka probleme të dukshme me demokracinë e saj në çerekshekullin e fundit dhe veçmas në dy mandatet qeverisëse të PS e Edi Ramës. Shqipëria e vogël po bahet më klane të mëdha politike e oligarkike, një Shqipëri klanore. Shqipëria ka ardhur koha të qeveriset, jo vetëm nga brezi i dytë i Ramës, Bashës e Metës, nga kjo gjeneratë e dytë politike me të vetët, por edhe nga brezi i tretë, nga nipërit e mbesat të rritur në vitet e demokracisë. Shqipëria sot ma së shumti e ma së forti qeveriset në mënyrat e veta tipike allashqiptarçe nga etërit, veçanarisht nga Etërit e Bllokut. Kjo fuqi e tepërt, me tepri sundimi nga PS e Edi Rama, rrezikon t’na çojnë në neo-diktaturë, t’na largojnë nga demokracia, t’na vonojnë në integrimet tona euro-atlantike, të shëmbëllejmë me një Taxhikistan, me rrezikshmëri të kthehemi në Albanistan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat