Rrjeti i krimit duhet të luftohet, e jo të forcohet

Opinione

Rrjeti i krimit duhet të luftohet, e jo të forcohet

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 28 qershor 2017 Në ora: 21:21
Abdulla Mehmeti

Mediat e vendit, për aq sa janë të lira dhe të pavarura, duhet t’ia përkujtojnë qeverisë së re në Maqedoni, sidomos kryeministrit, se nuk mund të zbatohen reforma me njerëz të ,,vjetër”, përmes seleksionimit negativ të kuadrit të përfshirë në strukturat e reja të saj, disa prej të cilëve kanë dosje të trasha krimesh, sidomos abuzime me pushtetin dhe krime financiare gjatë pushtetit të kaluar.

Cili është institucioni kompetent në këtë shtet, i cili e vlerëson pastërtinë e figurave publike, veprimtarinë e kaluar të tyre në organet e pushtetit, arritjet në fushën profesionale, aftësitë menaxhuese dhe jetën e tyre publike në përgjithësi? Kush e këshillon kryetarin e qeverisë aktuale në Maqedoni, e cila dëshiron veten ta paraqesë si reformuese e pushtetit dhe shoqërisë në këtë shtet me demokraci të brishtë?

Ky kryeministër edhe po ta kishte këshilltar personal Vuçiqin dhe Sheshelin serb nuk do ta kishin këshilluar kaq mbrapshtë, sidomos në lidhje me përzgjedhjen dhe emërimin e disa kuadrove nga radhët e subjekteve politike të shqiptarëve. A ka ky shtet organe të kontrollit, të hetuesisë, inspetorate, media të lira dhe opinion kritik? Qeveria e re duhet të pushojë me praktikën e derisotme: Sa më keq për shqiptarët, aq më mirë për shtetin!

Respekt për disa kuadro shqiptarë në qeverinë e re, të cilët nuk ka pse të skuqen për të kaluarën e tyre, të cilët mjafton të jenë të vetëdijshëm se mes tyre secili pushtet në këtë vend, me apo pa vetëdije, i përfshin njerëzit e vet të besueshëm që ta ripërtërijë rrjetin e krimit, kontabandës dhe spiunazhit në radhët e shqiptarëve, për ta mbajtur gjallë frymën jodemokratike, antishqiptare, proserbe dhe proruse në Maqedoni. Qeveria e re, që të lirohet nga ky ankth, në radhë të parë duhet të kujdeset nga infilitrimi i këtyre individëve me të kaluar kriminale, si dora e djathtë e regjimit të mëparshëm dhe të hallka të rrjetit të spiunazhit serb dhe rus në Maqedoni. 

Rrjeti i krimit dhe spiunazhit në Maqedoni duhet të luftohet fuqishëm, për çka kanë paralajmëruar me kohë edhe disa personalitete dhe institucione ndërkombëtare, jo të ripërtërihet me kuadro të komprometuar, për veprimtarinë e të cilëve dinë aq shumë qytetarët e këtij vendi, edhe pse organet e pushtetit i kanë lënë në heshtje deri më sot, ndërsa organet e hetuesisë dhe ato gjyqësore nuk ua kanë dhënë dënimet e merituara për krimet e kryera deri më sot ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe ndaj shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat