Nuk ka më alibi për askënd as nga zoti e as nga ligji

Opinione

Nuk ka më alibi për askënd as nga zoti e as nga ligji

Nga: Islam Fejzullahu Më: 13 korrik 2017 Në ora: 11:03
Ilustrim

Zgjedhjet e parakohshme te 11 qershorit siç e dinë të gjithë nuk nxorën asnjë subjekt e as koalicion, i cili do të mund të formonte qeverinë e re, prandaj nga shumica e analistëve dhe opinionistëve është paraparë vazhdimësi e ngërçeve politike nga secili lakmitar i kapjes së pushtetit e në rastet më ekstreme e atyre, të cilët zhvaten popullin dhe buxhetin e varfër plot dy mandate? Se përse parashihej ngërçi politik dihet mirëfilli tani edhe secili qytetar i Kosovës po i din të gjitha ngase vet politikbërësit iu kanë dhënë mundësinë qytetarëve që të merren me politikë, kushtimisht t’ua shpërlajnë trurin rreth skamjes, varfërisë dhe të drejtohen të interesuar rreth aktualitetit në vend në aspektin politik, por shumica me bark të zbrazët nga varfëria e skajshme, ndërsa politikbërësit shumica milionerë. Në një emision të mbrëmshëm i lartëapostrofuari (Memli Krasniqi) rreth sqarimit se si do të vijë deri tek zgjidhja e këtij ngërçi politik kushtimisht nëse nuk mund ta formojnë qeverinë subjekti i tij politik në koalicion me dy subjekte tjera me pak peshë e me njëmbëdhjetë “nën subjekte” ( i emërtoj kësisoj, sepse ato parti me nga një autobus përkrahës ishin servil të ish-liderit të PDK-së, tani president i vendit, dhe si te tillë  i mbeten besnik padronit për të zhvatur akoma nga ai, edhe pse ai la partinë për karrige të lartë të shtetit.

Krasniqi gjatë diskutimit kërcënoi se do të shkohet në zgjedhje të reja nëse PAN nuk formon qeverinë? Pse? Sepse të këtillët sikur edhe padronet e tyre mendojnë se me mbetjen në pushtet do të kenë alibi për të bëmat e tyre deri më tani, sepse pretendojnë se nëse kushtimisht do të ketë aktakuza nga Gjykata Speciale për ndonjërin nga drejtuesit e mëhershëm dhe të tanishëm të partisë e që supozohet se do të ketë (ashtu ia atribuojnë vetes dhe tjerëve) do të mund të ngritin në këmbë Kosovën sikur në vitin 2004 (Marsi)?

I apostrofuari shkon aq larg sa edhe kërcënon duke nënvlerësuar subjektet tjera politike të cilët sipas tij me numër më të vogël deputetësh (VV-32,LAA-29) nuk mund ta bëjnë qeverinë kur nuk mundemi ne me 39 deputetë? Jo ore dajë, ata do ta bëjnë sepse ata mund të bëjnë koalicion që edhe pritet ta bëjnë dhe të bashkuar do ta kenë shumicën apsolute (sipas Kushtetutës në fuqi për pjesëmarrje të garantuar të minoriteteve në qeverisje), përkundër faktit se nga koalicioni me ju, respektivisht me PDK-në, nuk dëshiron asnjëra nga këto subjekte tjera politike.

Ngërçi politik është pasojë e juaj nga mbarësimi me të gjithë ata që jeni bashkuar duke ju penguar të arriturat e bashkëqeverisjes nga koalicioni paraprak PDK-LDK të cilin e rrëzuat ju me dorë të zgjatur të të tjerëve, sepse ju pengonin të arriturat dhe rezultatet, sepse iu këputen rrënjët krimit nga ju. Tani atë ngërç politik po e forcon edhe presidenti aktual të cilit gjithsesi i duhet ish-partia e tij në pushtet për arsyen të sipërshënuar, por ta dini se nuk ka më alibi as edhe nga Zoti e as nga ligji, sepse janë të lodhur të gjithë nga ju edhe bashkësia ndërkombëtare  është lodhur me ju edhe pse ne shumicën e rasteve kanë qenë bashkëpjesmarrës në të gjitha të bëmat e juaja gjatë gjithë kohës sikur UNMIK, ashtu deri më tani edhe EULEX? Ju dajë dhe bashkëpartiakët e juaj shkoni aq larg sa edhe parashikoni përzierje nga jashtë (serbo-ruse) nëse ju nuk e bëni qeverinë por tjerët. Një batutë thotë: Dhelprës kishte filluar t’i digjej bishti, dhe ajo vajtonte se po digjet dynjaja; Edhe juve nëse po ju djeg ta dini se vetëm ju po e digjni veten dhe dikë tjetër, dynjaja është e qetë dhe do të kërkojë llogari nga të gjithë për të bëmat e secilit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat