Një plakushe rrudhace, një zgërbonjë, me vello nuseje të re

Opinione

Një plakushe rrudhace, një zgërbonjë, me vello nuseje të re

Nga: Eshref Ymeri Më: 13 korrik 2017 Në ora: 18:56
Eshref Ymeri

Gjatë ditës së djeshme, lexova artikullin me titul l“Die Welt për Samitin e Triestes: Brukseli po synon krijimin e Jugosllavisë së re”.

U revoltova tej mase në qenien time të pafuqishme për t’i ndëshkuar rëndë projektuesit e “Jugosllavisë së re” - Parisin dhe Berlinin -, të cilët duan ta varrosin përfundimisht aspiratën mbinjëshekullore të kombit shqiptar për ribashkim të trojeve etnike. Përsëri në qenien time të pafuqishme, klitha përbrenda:

“Eh, ore Çurçill, ç’gabim fatal bëre që këmbëngule dia herë dhe i mbushe mendjen Ruzveltit për hapjen e Frontit të dytë kundër Gjermanisë naziste! Pse nuk e le mbarë Evropën Perëndimore në mëshirën e Hitlerit? Se pastaj Hitlerin do ta sulmonte Armata e Kuqe e Stalinit. Sulmin Stalini e kishte planifikuar ta fillonte të dielën e 06 korrikut 1941 (por Hitleri ia rrëmbeu iniciativën nga dora më 22 qershor 1941) dhe plani ishte hartuar që sulmi të ndalonte në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa Perëndimore do të qe bërë komuniste dhe pas një gjysmë shekulli do të qe katandisur në atë derexhe ekonomike, ku u katandis Bashkimi Sovjetik në fundin e viteve ’90”.

Këtë përsiatje e bëra për arsye se Perëndimi evropian, sidomos Franca dhe Gjermania, ushqejnë në heshtje një dashuri përvëlimtare për Rusinë, por qysh të bëjnë se u ka zënë rrota bishtin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë Rusia e ndien, e kupton shumë mirë, Prandaj edhe, ashtu siç po punon me ethe për rikrijimin e perandorisë sovjetike, po mundohet të rikrijojë “Jugosllavinë e re” me ndihmën e Perëndimit Evropian. Sepse përmes Jugosllavisë së re, të kësaj plakusheje rrudhace, kësaj zgërbonje me vellon e një nuseje të re, Rusia kërkon të jetë violin e parë në Evropën Juglindore dhe këtë rajon, përmes Serbisë, ta ketë nën kontrollin e vet të rreptë. Prandaj nuk ishte fare rastësi ndërhyrja e paradokohshme e Moskës, përmes ambasadorit të saj në Bruksel.

Përmes mjeteve të informimit masiv është bërë e ditur se “ambasadori rus në Bashkimin Evropian, Vladimir Çizhov, ka deklaruar se vendi i tij mund të ofrojë alternativë për Maqedoninë, Ballkanin Perëndimor apo qoftë ndonjë vend tjetër, për shkak se, sipas tij, gjithmonë ka alternativë tjetër nga integrimet euroatlantike, transmeton INA, duke cituar portalin euroaktiv” (Citohet sipas: “Integrimi në NATO e BE? Rusia ka tjetër ofertë për Maqedoninë”. Faqja e internetit “Përqasje”. 06 maj 2017).

Në këtë mënyrë, të dashur miqtë e mi, Perëndimi evropian po synon që kombit shqiptar t’i vendosë në krye “çobanin serb”. Dhe këtij synimi nuk ia pret dot turrin kush, se në krye të klasës politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, është ulur këmbëkryq tradhtia kombëtare, e cila, në vazhdën e traditës së tradhtarit kriminel Enver Hoxha, serbosllavizmin e ka fort për zemër, kurse populli shqiptar është mercenarizuar dhe, me heshtjen e vet, e ka vënë veten tërthorazi kokë e këmbë në shërbim të kësaj tradhtie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat