Paguani!

Opinione

Paguani!

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 16 korrik 2017 Në ora: 07:47
Sylejman Salihu

Jam përsëri në Atdhe. Në verë. Ardhsh si vera, do të uronte urtia popullore. Rruga si gjithnjë, e gjatë. Mijëra kilometra. Ec e ec, ec e ec. Nuk ka ndalesa, nuk ka kontrolle. Ecje pa dokumente. Kufijtë nuk ekzistojnë. Por më në fund vjen ai i madhi, në të cilin nuk mund të hysh lehtë. Shfaqet porta e madhe. Si një portë hekuri. Ç‘ të shohësh: kolona është e gjatë. Pritje për të hyrë në vendin tënd. Të gjithë këta kur kanë ikur, kanë ikur shpejt pa pritur. Madje me vrap. Edhe me ca dhembje në karaharor. E tash për të hyrë përsëri, duhet pritur. S‘ është e lehtë hyrja.Se ikanakët duhet të ndëshkohen.Sado ke paguar një jetë të tërë, përsëri duhet të paguash. Keni dashur të ikni, tash pritni dhe paguani, sikur të thonë. Nuk e keni pritur këtë ndonjëherë, por pritni. Mos u çuditni! Me hapa prej milingone, më në fund vjen radha e sportelit.Del përpara uniforma e Atdheut:
-Mirëmbrëma zotëri!
-Mirëmbrëma!
-Jeni lodhur, pyet.
-Shumë, i kthej.
Fillojnë procedurat.Shpalosje dokumentesh. Vulosje. Uniformat hyjnë e dalin. Punojnë. Zonë e lartë pune dhe sigurie!!!
Pastaj jepet leja e kalimit. Ecën ca hapa të tjerë prej milingone dhe del uniforma tjetër dhe përsëri të ndalon.
-Mirëmbrëma!
-Mirëmbrëma!
-Çka keni për lajmërim, pyet.
-Kurrgjë, ia kthej.
-Ju lutem hapni dyert e makinës!
Fillon bastisja. Duart e tij futen gjithandej nëpër makinë. Edhe këtu më në fund bastisja është kryer me sukses. Pastaj lirohem me udhëzimin që të ndaloj përsëri para sportelit tjetër.
Dhe përsëri ndaloj. Marr dokumentet dhe portofolin dhe rri gatitu para tagrambledhësit. Se në Atdhe duhet paguar një tagër.
Si gjithnjë. Tetëmbëdhjetë vite radhazi. Si çdo herë: paguaj, paguaj, paguaj. Se të shohësh njerëzit e tu, duhet paguar. Nuk ka gratis kurrgjë. Paguaj po deshe të shohësh nënën apo varrin e babait. Paguaj, po deshe të shohësh miqtë e shkollës. Paguaj, po deshe të shohësh bukuritë e Atdheut. Se ndryshe nuk ka. Dhe përse? Për siguri, thonë. Tërë Evropën e ke shkelur dhe s‘ ke paguar, e tash vjen koha që duhet të shkundesh.Të sigurohesh, se në Atdhe siguria duhet të jetë e lartë. Ndryshe nuk ka hyrje. Pastaj kur paguan kujton se je siguruar, ndërkohë që ke hyrë tamam në zonën e pasigurisë. 
I jap gas makinës drejt shtëpisë së vjetër. Ca gropa më shkundin dhe gërvishjet e makinës sikur më zgjojnë nga gjumi. Edhe ca ngasës makinash më trembin, por unë jam i siguruar dhe nuk kam pse mërzitem edhe nëse ndodh më e keqja. Se shteti ka marrë të gjitha masat të na ndihmojë edhe mua, edhe ty, edhe të gjithë neve.Të na ndihmojë në çdo situatë. Madje e kanë shkruar me gërma të mëdha: MIRË SE VINI! Por përpara kësaj atje në hyrje ta thonë me gojë në sy pa u bërë syri vërr: PAGUANI!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat