Atdhetari e patrioti i shërbejnë kombit, jo fesë e qarqeve jo-shqiptare

Opinione

Atdhetari e patrioti i shërbejnë kombit, jo fesë e qarqeve jo-shqiptare

Nga: Arben Çokaj Më: 18 korrik 2017 Në ora: 18:14
Arben Çokaj

Një përgjigje për dy shkrime të gjata të Prof. Dr. Mehdi Hyseni, të mbushura me akuza, sharje e fyeje të panevojshme, si dhe me kërcënime të ndaluara për një mendje racionale dhe në një shoqëri të lirë e demokratike, të publikuara ku atakohet Paul Tedeschini dhe unë.

I nderuar Prof. Dr. Hyseni, po më duhet që në fillim të them se e ke drejtuar tytën gabim, sikur po pështyn lart, e po pret që pështyma të të bjerë në fytyrë. Me Paul Tedeschinin ke patur debate më të hershme, ku ai me argumente ka kundërshtuar pikëpamjet e tua patetike e jo realiste, në lidhje me bashkimin kombëtar (Shkrimi i Paul Tedeschinit si reagim ndaj Hysenit: http://www.fjala.info/reagim-ndaj-shkrimit-te-prof-dr-mehdi-hyseni-mbi-bashkimin-e-kosoves-me-shqipnine/). Për Bashkimin Kombëtar duhet punuar, e kjo nuk arrihet nëse shoqërinë tonë e drejtojmë drejt iluzioneve, por vetëm përmes dijes e shkollimit, punës e zhvillimit mundemi të krijojmë premisa, që shqiptarët të tërhiqen nga suksesi i qeverisjeve tona dhe jo nga hajnia, dështimi e korruptimi i tyre. Nëse ne i mëshojmë ndasive fetare, siç bën edhe ti z. Hyseni, (duke akuzuar të tjerët më kot, sikur ata po e bëjnë këtë, e ti jo), ne mbesim kështu si kemi qenë, që pas ikjes së turkut nga Ballkani, kombi e vendi më i prapambetur në Evropë. Dhe ne duhet t’i dimë e pranojmë shkaqet, pse jemi në këto kushte, para se të zgjedhim edhe rrugën tonë drejt zhvillimit e integrimit Evropian.

Ndërsa kundër meje, ti je shprehur me aq sa ta ka mbajtur rradakja jote patologjike, duke u nisur nga një shkrim i imi për “Patriotat shqiptarë të Erdoganit” (Shkrimi im ku citohet edhe Prof. Dr. Hyseni: http://www.fjala.info/patriotat-shqiptare-te-erdoganit/). Ti kishe dëgjuar Erdoganin në një intervistë, që dilte kundër Bashkimit tonë kombëtar, dhe kishe sulmuar Albin Kurtin, sikur ai po i shërben teorisë serbe për “Shqipërinë e Madhe” dhe ti shpalose aty patosin tënd kundër ideve të Albinit. E unë t’u përgjigja me një shkrim të shkurtër, ku të tërhoqa vëmendjen, se nuk është patriotizëm e atdhetari t’i shërbesh ideve të Erdoganit, i cili si duket ka synim “përçaj e sundo”, të na lërë si shqiptarë të pafuqishëm, në përpjekjen tonë për zhvillim dhe të pengojë edhe bashkimin tonë kombëtar. Për ne si shqiptarë është me rëndësi t’i shërbejmë së mirës dhe nëse e mira na e kërkon të bashkohemi, edhe atë duhet ta kemi si opsion, e të mos sulmojmë askënd, që i shërben kësaj, dmth. as Albin Kurtin, aq më tepër nga frëngjitë Erdoganit.

T’i marrim gjërat më shtruar e pa pasione. Unë nuk të njoh ty fare, por të kam lexuar në ndonjë shkrim, madje dikur edhe mund të kem publikuar shkrime të tuat në portalin tim Fjala e Lirë (suplemet i ueb faqes më standarde të Shkodrës në internet). Pra, nuk të njoh as për mirë e as për keq, por shikoj e analizoj shkrimet e tua së fundmi, ku duket se ke lajthitur (si fillim rastësisht, e tani ngaqë më ke sulmuar), që për hir të së vërtetës duhet pranuar se ke një diarre në stil, fillon e shan, mallkon e nuk di të ndalosh. E në fund vetë-lavdëron veten si patriot i madh. Patriot duke sharë shqiptarët? Nuk bëhesh patriot me zor lum miku, e duke i shërbyer turkut, por me punë e duke i shërbyer shqiptarisë. E këto punët e fundit, duke parë disa nga shkrimet e tua për islamin, e deri në këto sulme ndaj nesh, këto shkrime të paraqesin ty më shumë si mercenar i paguar i turkut e Erdoganit, sesa si patriot shqiptar. Prandaj reflekto, merr frymë thellë e vlerëso me arsye, jo me urrejtje.

Paul Tedeschini është një katolik shkodran, i cili po shikon një ekspansion të rrezikshëm e të qëllimshëm të islamit në trojet shqiptare dhe ky i financuar nga Erdogani me teorinë tij neo-osmane dhe nga qarqet arabe. Jo vetëm Pauli, por kushdo që i kupton këto punë, dhe e sheh se orientimi islamik i shoqërisë sonë, i shoqëruar ky edhe me tentativa për të na e humbur identitetin shqiptar, e për ta zëvendësuar atë me identitetin islam (vetëm se dikur turku kaloi këtej?!), secili patriot shqiptar, pra, që nuk e ka emrin turk si ti, e që ka ndërgjegje shqiptare, e kupton se investimi për fenë dhe për islamin në veçanti, në shoqërinë shqiptare, nuk ka synim zhvillimin tonë e as bashkimin tonë, por si në vitet 1878 – 1912, kur ishim i vetmi komb, që e donte turkun në Ballkan edhe pse Evropa vendosi në Berlin, që turku të dilte nga Ballkani, dhe kjo na solli shkatërrimin e humbjen e territoreve shqiptare, ashtu edhe sot, historia po përsëritet dhe ne po ia minimizojmë shanset vetes si komb, që të zhvillohemi e prosperojmë si duhet, në rrugën tonë drejt bashkimit dhe integrimit Evropian, si komb Evropian që jemi dhe jo si turko-arabë.

Pra, të jemi të qartë, i nderuar Prof. Dr., se nëse ne e shohim bashkimin shqiptar, duke denigruar e përjashtuar shqiptarët në këtë pjesëmarrje, siç po bën edhe ti me sulmet e tua, ne kemi vetëm llafollogji e logorre, jo bashkim kombëtar. Turku na ka ndarë në 4 vilajete gjatë pushtimit 523 vjeçar, dhe më pas edhe në 4 besime fetare, me qëllim shkatërrimin e kombit tonë, dhe këtë e thonë edhe historianët shqiptarë, si Muhamet Mala etj. Nëse ne merremi me fe, apo sidomos me islam, Perëndimi, Evropa e SHBA (që ti kaq shumë bën sikur e adhuron), nuk do na shohin me sy të mirë, nuk do të mund të jemi partnerë të besueshëm për ta. Nëse ne merremi me islamin, nuk kemi as zhvillim e as bashkim, e pastaj rrahim ujë në havan kot.

Kështu që duhet të ndryshojmë taktikë. Rugova pati sukses si lider i shqiptarëve dhe e afroi Perëndimin deri në ndërhyrje ushtarake për të shpëtuar shqiptarët nga pushtimi e dhuna e egër serbe, vetëm sepse Rugova ishte një lider vizionar, që nuk flirtoi as me turkun e as me arabin dhe as me islamin. Por edhe UÇK nuk e lejoi leshin e harapit të merrte pjesë në luftën kundër serbëve, jo se nuk kishin nevojë për ndihmë, por sepse nuk donin ta kompromentonin luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Shqiptarët kanë arritur shumë nga zgjuarsia e Rugovës, dhe kështu duhet të përqendrohemi në zhvillimin e ekonomisë sonë përmes dijes e shkollimit, në avancimin e politikave tona integruese evropiane dhe jo të biem pré e marrisë, sikur ti, që aludon “kush mbron fenë”... cilën fe po mbron ti?! Fenë e turkut?!

Feja nuk ka patur kurrë dhe nuk ka rol kombëtar, ajo ka rol universal. Vetëm krishtërimi, e sidomos katolicizmi ka patur edhe veprimtari kombëtare ndër shqiptarë, se ka promovuar gjuhën e kulturën shqiptare të popullit ku edhe ushtrohej si besim, gjatë pushtimit të gjatë islam, por jo feja islame. E këto gjëra, me dorë në zemër, pa inate e urrejtje, por për hir të së vërtetës, duhen pranuar, e jo të dalin Prof. Dr. si puna juaj, gjysmagjela e të bëjnë zhurmuesin kundër arsyes e logjikës sonë të zhvillimit.

Duke parë e lexuar shkrimet e tua, vërehet cektësia jote e arsyetimit, dhe aty e kupton pse vuan ky popull. Se i ka edhe politikanët e intelektualët e pretenduar, të paaftë për ta kuptuar realitetin objektiv, dhe për të gjykuar objektivisht dhe në të mirë të shqiptarëve. Por si inatçorë të liq, në impotencën e tyre intelektuale, ata po shiten lirë dhe po sulmojnë këdo, si kaçakë, sapo i konteston ata në paaftësinë tyre për të kuptuar e gjykuar drejtë e si duhet! Shpresoj e uroj, që shkrimet e tua të ardhëshme, t’i shërbejnë kombit dhe jo ndasive e mosmarrëveshjeve ndër shqiptare. Ose hesht, nëse je i paaftë për të shkruar e për t’i shërbyer të mirës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat